Ndryshimet në fiskalizim, a po krijojnë vështirësi për biznesin e vogël?

Fiskalizimi nënkupton konfigurimin e pajisjeve fiskale për t’iu mundësuar autoriteteve të regjistrojnë shitjet dhe informacione të tjera tatimore në lexim – memorie fiskale në kohën e shitjes për t’u përdorur nga autoritetet tatimore për raportimin dhe mbledhjen e TVSH-së.

Pas korrikut të rrëmujshëm në përpjekje për fiskalizimin e subjekteve të mëdha, proces ky që zgjati me javë, Drejtoria e Tatimeve bën me dije se me datë 1 Shtator do të fillojë faza e tretë e fiskalizimit dhe për biznesin e vogël. Faturimet e reja do të përfshijnë gati 90 mijë subjekte tregtare B2C (Business to Consumer). Drejtoria e Tatimeve ka paralajmëruar për afatet e regjistrimeve, që në fillim të vitit, dhe subjektet e kanë patur ne dorë të sistemonin në kohë përmbushjen e detyrimeve të tyre ndaj këtij procesi. Shumë subjekte janë ankuar për bllokimet e sistemit të AKSHI-t për vulën elektronike, dhe me një farë të drejte kanë ngritur shqetësimet e tyre për ndërprerjen e procesit të punës si rrjedhojë.

Ndryshimet në politikat tatimore kanë sjellë risi për bizneset. Teorikisht, bizneset tashmë do ta kenë më të thjeshtë inventarizimin dhe faturimin, pasi çdo gjë kryhet në kohë. Proceset e kontabilizimit do të thjeshtohen, madje kjo është ndihmë më tepër për bizneset e vogla, pasi raportimi kryhet në kohë nëpërmjet sistemit të ri, dhe mund të monitorojnë vetë çdo lëvizje që kryhet në bilanc. Teknologjia e re si e faturimit më  barkod, si me programin online duhet të jetë lehtësuese dhe e përdorshme jo vetëm për ekonomistët.

Realisht, këto risi kanë dhe pjesën e dobët të tyre. Ndërsa bizneset e mëdha kanë staf të trajnuar me aftësi kompjuterike, organizative, dhe menaxheriale, dhe përshtaten më kollaj me teknologjitë e reja në treg – këto të kërkuara nga Institucionet shtetërore – biznesi i vogël ka prapambetje në këtë drejtim. Duke qënë se biznesi i vogël ka strukturën familjare, individuale, për shumë prej tyre (në varësi të shtrirjes gjeografike), avancimi i teknologjisë së informacionit përbën një sfidë.

Nëse, programet janë bërë të tilla, që vetë subjekti tregtar të hedhë faturat online, për disa pronarë këto aftësi kompjuterike janë disi sfiduese.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, siç ka informuar në faqen zyrtare tatimpaguesit, se prej fillimit të muajit shtator do të fillojë “zbatimi i planit të masave për informimin dhe ofrimin e asistencës në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesve, me qëllim përmbushjen e detyrimit ligjor për fiskalizimin e transaksioneve me para në dorë, në zbatim të ligjit Nr.87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, i ndryshuar”. Plani i informimit dhe trajnimit do të kryhet për një periudhë tremujore (fundviti), ku punonjësit e Administratës Tatimore ofrojnë dhe mundësojnë ndihmën e tyre për tatimpaguesit për të plotësuar disa hapa të nevojshëm dhe të domosdoshëm për procesin e Fiskalizimit. Grupet e punës janë ndarë me kalendar për të kryer trajnimin në subjektet sipas rretheve. Por a do të arrijnë në kohë që të japin asistencën e tyre? A do të ndiqen më pas me Feeback, apo Back-end për probleme të mëtejshme gjatë përdorimit të sistemit. Nuk mund të mendojmë që me një vizitë trajnimi të Asistentëve Teknikë Tatimorë do të mund të kryhet një trajnim i plotë dhe përfundimtar.

Cila do të jetë gjuha e komunikimit gjatë trajnimit? A do të asistohen siç duhet bizneset familjare të cilat nuk kanë njohuri në terminologjinë ekonomike apo informatike në mënyrë që ato të jenë të pavarura në hedhjen e të dhënave në sistem? Ekspertët ekonomikë kanë hasur shumë ankesa nga subjektet biznes i vogël, pasi janë të paqartë sesi do të procedohen shërbimet gjatë fiskalizimit. Ata sugjerojnë që afati i fiskalizimit të shtyhet pasi kërkohet më shumë kohë që subjektet tatimpaguese të trajnohen plotësisht.

Një tjetër pikëpyetje që ngrihet është trajtimi i gjobave. Teorikisht gjobat duhet të jenë edukuese dhe jo ndëshkuese. Gjobat për mos kryerjen e procesit te fiskalizimit në kohë janë deri në 500,000 lekë. Një biznes i vogël e ka të vështirë të mbajë një kosto kaq të lartë si masë ndëshkuese, dhe mund të përfundojë në vështirësi për aftësinë shlyese e deri në mbylljë të subjektit.

Meqënëse kemi të bëjmë më një politikë të re dhe inovatore, e cila do të zhvillojë teknologjikisht bizneset në të ardhmen, a nuk do të ishte më mirë sikur qeveria të krijonte politika shpërblyese për minimizimin e informaliteti? Në këtë mënyrë, bizneset do të ishin më të stimuluara, të mbështetura dhe më bashkëpunuese nga institucionet qëndrore?

Po për shtetin cili është përfitimi i risive në politikat fiskale?

Fiskalizimi i subjekteve tatimpaguese do të sjellë më shumë para në arkën e shtetit dhe qëllimi kryesor është ulja e evazionit dhe rregullimi i nivelit të informalitetit dhe si rrejdhojë ulja e borxhit publik.

Sipas një artikulli studimor të Bankës Botërore mbi “Rregullat Fiskale për Ballkanin Perëndimor” ndër të tjera thuhet se rregullat fiskale kanë për qëllim të korrigjojnë një paragjykim ndaj defiçiteve të tepërta. Historia në këto vende ka treguar se ushtrimi i lirë i diskrecionit fiskal shpesh çon në deficite të mëdha dhe përfundimisht borxhe të pakontrollueshme dhe se rregullat fiskale mund të ndihmojnë në parandalimin e krizave të borxhit dhe të mbajnë inflacionin të ulët dhe të qëndrueshëm, duke inkurajuar kështu investime produktive dhe rritje ekonomike.

Rregullat fiskale duhet të gëzojnë mbështetje të fortë të brendshme, duhet të jenë të thjeshta dhe të prezantohen vetëm pas një debati të konsiderueshëm publik. Ato funksionojnë më së miri nëse kuptohen qartë nga politikanët dhe popullata në përgjithësi dhe gëzojnë mbështetje nga linjat partiake (p.sh., Schick 2004). Sugjerimet e Bankës Botërore thonë se rregullat fiskale duhet të jenë të thjeshta dhe të pakta në numër; prezantuar pas një debati publik të kujdesshëm; miratuar në një normë juridike që kërkon një shumicë për të kaluar ose ndryshuar; dhe të ndryshojnë vetëm herë pas here. Ato duhet gjithashtu të jenë konform si dhe të lehtësojnë pranimin për në BE./mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here