Nga Reila Bozdo: Krimi përtej shembjes së teatrit.

Teatri Kombëtar ra. Bashkë me të ra një përpjekje e pamjaftueshme për ta mbrojtur teatrin sepse goditja finale iu dha në pabesi të plotë. Ndërsa të gjithëve u thuhej “qëndroni në shtëpi”, ishte aktivizuar çarku që do të zinte teatrin e bashkë me të përpjekjen e aktorëve, aktivistëve dhe politikës për të mbrojtur bindjen e tyre se teatri i vjetër duhej ruajtur dhe se zgjidhja për teatër të ri nuk duhej të kalonte nga shembja e të vjetrit.

Teatri u shemb në kohën e kufizimit më të egër të lirive të njeriut që kemi përjetuar në kohën pas-komuniste, sikur autorët e kësaj poshtërsie ta dinin se shembja do të ishte e pamundur të ndodhte në kushtet e lirisë. Pse? Ndoshta edhe ata e dinë se liritë demokratike kur gëzohen në cilësinë e duhur, nuk ta bëjnë aq të lehtë të bësh ç’të duash me pasurinë publike dhe se ata që qeverisin e kanë për detyrë të konsiderojnë zërat kundër në një vend demokratik normal.

Ne kemi kohë që tolerojmë të humbasim çdo ditë nga demokracia jonë. Erion Veliaj që nga dita e parë në krye të Bashkisë së Tiranës nuk ka bërë asnjë konsultim publik të vërtetë dhe serioz. Sot bashkitë nuk kanë opozitë. Parlamenti është në një mjerim të madh të mendimit dhe aksionit politik.

“Zërat kundër nuk kanë asnjë vlerë.” ishte mesazhi i qartë kriminal ndaj demokracisë, natën e shembjes së Teatrit Kombëtar. Krimi përtej shembjes.

Në gërmadhat e teatrit, ngeli edhe iluzioni se njerëzit me mendime të kundërta dinë të bashkëjetojnë në këtë vend. Demokracia na tregoi se është e rreme në këtë vend. Përvoja ka treguar se zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me zhvillimin demokratik dhe të të drejtave të njeriut. Akti i pabesë ndaj Teatrit Kombëtar tregon qartë se drejt cilës greminë po e çojnë vendin këta që drejtojnë. Teatri ra. Demokracia u shemb.

Nëse e duam këtë vend e kemi për detyrë të bashkohemi seriozisht në ALEANCËN PËR MBROJTJEN E SHQIPËRISË dhe ti japim vetes dhe fëmijëve Shqipërinë që meritojmë.

Është koha për organizim; çdo gjë tjetër është teatër.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here