Papunësia e të rinjve në Ballkanin Perëndimor më shumë se dyfishi i të rinjve të papunë në BE

Papunësia në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka qënë në fokusin e shumë diskutimeve dhe më tej nismave për reformat në ekonominë ballkanase. Në përgjithësi, Europa ka një rënie të ndjeshme në punësimin e të rinjve, por rajoni më i prekur nga papunësia e të rinjve është Ballkani Perëndimor. 

Në konferencën e mbajtur në Sarajevë, në 31 maj 2021, raporti i papunësisë për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor ishtë 35.1 % në vitin 2020. Kështu u shpreh Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, në Sarajevë. 

“Shkalla e papunësisë së të rinjve në BE është më pak se gjysma e kësaj përqindjeje, pra 16.9%,” tha ajo në prezantimin e studimit mbi papunësinë e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, gjatë një takimi në Platformën e mbështetur nga BE për Punësimin dhe Çështjet Sociale (ESAP 2). 

“Një pjesë e fajit për situatën në Ballkan mund t’i atribuohet pandemisë që ka ndaluar krijimin e vendeve të reja të punës, por që situata me papunësinë e të rinjve të ndryshojë ne duhet të heqim shkakun e problemit, jo vetëm të adresojmë pasojat e tij ” – tha Bregu. 

Në konferencën me titull “Jepni të rinjve një shans”, ajo tha se, në vitin 2020, punësimi i të rinjve në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ishte nën 27% dhe se ekzistonte një hendek i gjerë gjinor – shkalla mesatare e punësimit në gratë e reja ishte 14.5% dhe burrat e rinj 24.8%. 

Jordi Karel, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Punësimin, Çështjet Sociale dhe Përfshirjen (DG EMPL), tha se BE ishte e gatshme të mbështesë zhvillimin e programeve të aktivizimit të të rinjve përmes skemave të Garantimit të Rinisë përmes instrumenteve të tilla si Instrumenti për Para Asistenca e Anëtarësimit (IPA). Ngjashëm me ato të implementuara në BE.

Në studimin e kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal jepet ky raport mbi papunësinë e të rinjve në rajon. 

Raporti shpreh shkaqet e tjera përpos pandemisë e cila e goditi rajonin e Ballkanit Perëndimor më fortë se vendet e tjera të Europës, të cilat lidhen dhe me sistemin arsimor të secilit vend. 

Gjithashtu në raport thuhet se të rinjtë në Ballkanin Perëndimor përballen me shumë sfida në gjetjen e punëve me cilësi të mirë që përputhen me aftësitë dhe prirjet e tyre. Sistemi arsimor dështon t’u sigurojë shumë të rinjve aftësitë e duhura për tregun e punës dhe shërbimet këshilluese të karrierës janë të pazhvilluara. Shërbimet publike të punësimit janë joefektive për të ndihmuar të rinjtë në punë dhe si pasojë një pjesë e madhe e tyre mbështeten në lidhje familjare ose politike për të gjetur një punë ose punë në sektorin informal. Ka pasur një mungesë të vendeve të punës në dispozicion, megjithëse rritja ekonomike që nga mesi i dekadës së fundit e ka adresuar këtë çështje deri diku me krijimin e qindra mijëra vendeve të reja të punës. Pavarësisht nga kjo, papunësia e të rinjve mbetet e lartë. Kriza COVID-19 ka ndaluar krijimin e vendeve të reja të punës duke ndikuar në perspektivën e punës së të rinjve që nuk kanë tashmë një punë të sigurt në sektorin publik ose në një kompani të madhe private. Rishfaqja e kontratave të përkohshme të punës midis të rinjve, veçanërisht në disa ekonomi është një burim tjetër i pasigurisë. 

Gjatë konferencës studimi paraqiti dhe rekomandimet për secilin nga gjashtë vendet e rajonit. Plani strategjik për punësimin e të rinjve në Shqipëri është përpiluar në një platformë që quhet Garancia Rinore sipas sugjerimeve nga Komisioni Evropian për Shtetet Anëtare të BE, me modifikimet e duhura duke marrë parasysh nivelin e zhvillimit të Shqipërisë dhe shkallën e progresit në procesin e anëtarësimit në BE. Objektivi kryesor i Garancisë Rinore do të jetë aktivizimi më i shpejtë i të rinjve në tregun e punës. 

Burimi: Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal Regional Cooperation Council | Bregu: With regional youth unemployment rate at 35.1% the need to act is clear, as youth is our most precious asset (rcc.int)

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here