Parashikimi i Cameron del i vërtetë: Rishi Sunak do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar

10 vite më parë, gjatë kohës që ai ishte kryeministër, David Cameron pati parashikuar se Anglia do të kishte kryeministrin e parë me origjinë indiane.
Ne ishim partia e parë që patëm një grua kryeministre (zonja Margaret Thatcher), ne ishim partia e parë që patëm një kryeministër hebre dhe kur shikoj talentin pas meje, mendoj se do të jemi partia e parë që do të ketë një kryeministër britanik indian”, u shpreh Cameron asokohe në nisjen e Miqve Konservatorë të Indisë.
Rishi Sunak bëhet kryeministër britanik të hënën pasi kandidatët e tjerë u tërhoqën nga gara për të udhëhequr Partinë Konservatore, duke e lënë atë me detyrën për të drejtuar një vend thellësisht të ndarë përmes një rënieje ekonomike që do të lërë miliona njerëz më të varfër.

Sunak, një prej politikanëve më të pasur në Westminster, do t’i kërkohet të formojë një qeveri nga Mbreti Charles, duke zëvendësuar Liz Truss, udhëheqësen në largim që zgjati vetëm 44 ditë në detyrë.

Ai mundi politikanin centrist Penny Mordaunt, i cili nuk arriti të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga ligjvënësit për të hyrë në votim, ndërsa rivali i tij, ish-kryeministri Boris Johnson, u tërhoq nga gara duke thënë se nuk mund ta bashkonte më partinë.

Ky vendim është një vendim historik dhe tregon, edhe një herë, diversitetin dhe talentin e partisë sonë. Rishi ka mbështetjen time të plotë,” tha Mordaunt në një deklaratë ndërsa ajo u tërhoq nga gara vetëm disa minuta përpara se të shpallej fituesi.

Çmimet e paundit dhe të obligacioneve të qeverisë britanike u rritën për një kohë të shkurtër pas lajmeve për tërheqjen e Mordaunt, por shpejt u kthyen në nivelet e mëparshme.

Sunak, 42-vjeçari ish-ministër i financave, bëhet kryeministri i tretë i Britanisë në më pak se dy muaj, i ngarkuar me rivendosjen e stabilitetit në një vend që po lëkundet nga vitet e trazirave politike dhe ekonomike.

Ish-shefi i fondit mbrojtës, multimilioner, pritet të nisë shkurtime të thella të shpenzimeve në përpjekje për të rindërtuar reputacionin fiskal të Britanisë, teksa vendi po shkon drejt një recesioni, të zvarritur nga rritja e kostos së energjisë dhe ushqimit.

Britania ka qenë e mbyllur në një gjendje krize të përhershme që kur votoi në vitin 2016 për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, duke shpalosur një betejë në Westminster për të ardhmen e vendit që mbetet e pazgjidhur edhe sot.

Periudha e fundit e dramës ka shkaktuar shqetësim në kryeqytetet e huaja dhe tallje nga shtypi botëror.

Sunak erdhi në vëmendjen kombëtare kur, në moshën 39-vjeçare, ai u bë ministër i financave nën qeverinë e Johnson ashtu si pandemia COVID-19 goditi Britaninë, duke zhvilluar skemën e suksesshme të pushimit.

Ish-analisti i Goldman Sachs do të jetë kryeministri i parë i Mbretërisë së Bashkuar me origjinë indiane.

Familja e tij emigroi në Britani në vitet 1960, një periudhë kur shumë njerëz nga ish-kolonitë e Britanisë u shpërngulën në vend për ta ndihmuar atë të rindërtohet pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas diplomimit në Universitetin e Oksfordit, ai shkoi në Universitetin e Stanfordit ku takoi gruan e tij Akshata Murthy, babai i së cilës është miliarderi indian N. R. Narayana Murthy, themelues i gjigantit Infosys Ltd.

Burimi: Reuters
Përktheu dhe përshtati: Mendimi.al
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here