Perëndimi bllokon fondet monetare për talebanët; Ekonomia e Afganistanit në dëshpërim të thellë

Ndërkohë që talebanët përpiqen të vendosin sundimin e tyre të plotë në Afganistan, SHBA dhe institucionet e tjera perëndimore kanë vepruar shpejt për të bllokuar aksesin e talebanëve në fondet kombëtare.

Afganistani duke qënë një shtet mjaft i varfër varet nga ndihmat ekonomike të jashtme, të cilat përbëjnë 43% të PBB- së së saj.

Uashingtoni tashmë ka lëvizur shpejt për të bllokuar aksesin e talebanëve në rezervat valutore të vendit- shumica e të cilave mbahen në bankat amerikane ose evropiane. Kongresi amerikan në një letër dërguar Thesarit të Shtetit Amerikan u shpreh se likuiditeti i pakushtëzuar ndaj një regjimi me një histori të mbështetjes së veprimeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj është jashtëzakonisht shqetësues. Rreth 7 miliardë dollarë nga ato që mbahen në Rezervën Federale të SHBA janë bllokuar tashmë dhe janë bërë të paaksesueshme për talebanët.

Gjithashtu të mërkurën, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se pezulloi ndihmën për Afganistanin – duke shprehur pasigurinë mbi njohjen ndërkombëtare të sundimit taleban. FMN kishte caktuar të dërgonte burime financiare gati prej mbi 370 milion dollarë në 23 gusht në Afganistan. Këto fonde ishin pjesë e një përgjigje globale të FMN-së ndaj krizës ekonomike.

Donatorë të tjerë të mëdhenj janë shprehur gjithashtu se mund të ndërpresin pagesat ndaj Afganisanit. Analistët thonë për BBC se një shtrëngim financiar është leva kryesore që fuqitë perëndimore mund të përdorin në të ardhmen për të kushtëzuar veprimet e talebanëve.

Ekonomia e Afganistanit e varur totalisht nga ndihmat e huaja ishte dhe pasqyra shqetësuese e përcaktuar nga Banka Botërore disa muaj para marrjes nën kontroll të talebanëve. Perspektivat ekonomike duken edhe më të pasigurta tani, pasi ndihma e ardhshme financiare është nën një re pasigurie.

Afganistani ka burime të konsiderueshme minerale, por situata politike ka penguar shfrytëzimin e tyre. Varësia nga ndihmat ekonomike të huaja ka qënë në rritje. Në vitin 2019, shifrat e Bankës Botërore tregojnë se ndihma për zhvillim ishte e barabartë me 22% të të ardhurave kombëtare bruto (e cila nuk është e njëjtë me PBB -në, por afër saj). Kjo është një shifër e lartë, por është shumë larg nga 49% që Banka Botërore raportoi 10 vjet më parë. Tani këto flukse ndihmash janë nën një pasiguri të thellë.

Ministri i Jashtëm gjerman Heike Maas u shpreh për ZDF javën e kaluar: “Ne nuk do të japim një cent tjetër nëse talebanët marrin vendin dhe futin ligjin e Sheriatit.”

Banka Botërore e përshkruan sektorin privat të Afganistanit si të ngushtë dhe të vështirë për t’u zgjeruar. Punësimi është i përqendruar në bujqësi me produktivitet të ulët: 60% e familjeve marrin disa të ardhura nga bujqësia. Vendi gjithashtu ka një ekonomi të madhe të paligjshme. Ka miniera ilegale dhe, natyrisht, prodhim opiumi dhe aktivitete të ngjashme si kontrabanda. Tregtia e drogës ka qenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për talebanët.

Ekonomia afgane është rritur që nga fillimi i regjimi amerikan në  2001. Shifrat për Afganistanin nuk janë të besueshme, por sipas Bankës Botërore, rritja mesatare vjetore është më shumë se 9% në 10 vite që nga 2003. Pas kësaj, ajo u ngadalësua (e cila mund të pasqyrojë nivelet më të ulëta të ndihmës) në një normë mesatare prej 2.5% midis 2015 dhe 2020.

Vendi ka burime të rëndësishme natyrore, të cilat do të ishin tërheqëse për biznesin ndërkombëtar nëse do të kishte më shumë siguri në vend dhe më pak korrupsion. Ekzistojnë disa lloje të mineraleve në dispozicion në sasi të konsiderueshme, përfshirë bakrin, kobaltin, qymyrin dhe xeherorin. Ka gjithashtu naftë dhe gaz dhe gurë të çmuar.

Një mineral me potencial veçanërisht tërheqës është litiumi, një metal që përdoret në bateritë për pajisjet mobile dhe makinat elektrike. Aplikimi i këtij të fundit do të jetë veçanërisht i rëndësishëm pasi industria motorike po bën kalimin në formatet e transportit me karbon zero.

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here