back to top
Monday, June 1, 2026
28.5 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

Pse zhvillimi vetëm përmes turizmit është një gabim historik ekonomik

Sot, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, Kryeministri Edi Rama prezantoi atë që ai e quajti “një projekt të jashtëzakonshëm” për Shqipërinë. Nën slloganin e modernizimit, ai premtoi hotele luksoze që “gjenden vetëm në Dubai” dhe nqs ne e “lejojmë“, ky luks së shpejti do të zbresë edhe në Vlorë, një investim që sipas tij do ta ngrinte vendin në piedestal. Gjatë gjithë fjalimit, Rama u kujdes të projektonte imazhin e heroit kombëtar, udhëheqësit të vetmuar që po lufton me mish e shpirt për të mirën e popullit, që bën sakrifica për ne, duron sharje e ofendime, dhe nuk ka bërë asgjë për veten apo qeverinë e tij.

Por ky petk prej shpëtimtari ngrihet mbi një kontrast mjaft cinik: teksa kryeministri flet për pastërti motivesh, shumica e ministrave dhe zyrtarëve të tij më të lartë janë të zhytur në afera korrupsioni dhe të lidhur me lajme skandaloze që mbushin përditë faqet e mediave. Nëse i hiqet ky ambalazh i propagandës heroike, ky plan zbulon një të vërtetë të hidhur: Shqipëria po nxiton drejt një iluzioni të rremë të standardit të jetesës, duke injoruar leksionet më elementare të ekonomisë botërore.

Paradoksi ekonomik: Miti i turizmit si “industri e rëndë

Siç kemi analizuar gjerësisht edhe në shkrimin tonë të mëparshëm, “Miti ekonomik i turizmit: Pse turizmi nuk e bën një vend të pasur”, mbështetja ekskluzive tek ky sektor është një iluzion i rrezikshëm. Sipas të dhënave të analistit Marko Jukić nga Bismarck Analysis, asnjë vend në histori nuk është bërë i pasur nga turizmi, dhe asnjë nuk do të bëhet.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë një varësi aq të lartë nga turizmi, saqë në disa raste ajo tejkalon edhe varësinë e Dubait nga nafta. Megjithatë, vendet që mbështeten pothuajse tërësisht në turizëm si Xhamajka apo Maldivet mbeten të varfra. Për shembull, që Kroacia të arrinte nivelin ekonomik të Zvicrës, do t’i duhej të regjistronte 1.93 miliardë netë qëndrime në vit, një skenar praktikisht i pamundur po të krahasohet me realitetin e saj aktual.

Turizmi thjesht nuk e çon zhvillimin përpara për disa arsye strukturore:

  • Produktivitet i ulët: Shërbimet bazë si pastrimi apo shërbimi në restorante mbeten me produktivitet të ulët dhe nuk mund të automatizohen në shkallë të madhe.
  • Model që konsumon burime: Turizmi kërkon burime të kufizuara (plazhe, hapësira publike) dhe sa më shumë rritet, aq më shumë i konsumon ato, duke shtrenjtuar pasuritë e patundshme dhe duke krijuar pabarazi.
  • Ndjeshmëri ndaj krizave: Ky sektor është i pari që gjunjëzohet nga pandemitë, luftërat apo recesionet, ndryshe nga prodhimi apo teknologjia që përshtaten më shpejt.

Gentrification: Kur vendasit dëbohen nga shtëpitë e tyre

Kryeministri u shpreh me një gjuhë elitare se “nuk dëshiron turizëm masiv” dhe se nuk dëshiron që njerëzit “të marrin bukë me vete” në plazh. Ky qëndrim jo vetëm që fyen qytetarët, por zbulon hapur rrezikun e madh të gentrificationxhentrifikim (term sociologjik dhe urbanistik që përshkon procesin e rinovimit të lagjeve të vjetra ose të klasës punëtore, ku njerëzit me të ardhura të larta zhvendosen në këto zona. Si pasojë, qiraja dhe çmimet rriten, duke i detyruar banorët e vjetër me të ardhura të pakta të largohen.).

Në të gjithë botën, plazhet publike janë pasuri kolektive ku njerëzit kanë të drejtë të shkojnë lirisht. Kur këto hapësira privatizohen për t’iu përshtatur një klientele miliardere, ndodh ajo që po shohim tashmë të përsëritet në rajon:

  • Mali i Zi dhe Kroacia ndoqën të njëjtën rrugë të “luksit“. Rezultati? Siç tregojnë të dhënat e fundit, në Kroaci çmimet e banimit u bënë plotësisht të papërballueshme për qytetarët e vet, aq sa qeveria u detyrua të nxjerrë ligje emergjente për të kufizuar apartamentet turistike.
  • Në Shqipëri, ky model po aplikohet me një shpejtësi marramendëse. Tirana dhe zonat bregdetare kanë arritur çmime që një pagë mesatare nuk i mban dot më. Terrene si Zvërneci e Sazani, që dikur ishin të të gjithëve, po kthehen në resorte ekskluzive.

Iluzioni i standardit të jetesës dhe rinia që ikën

Propaganda e “heroit” tonë qeveritar premton vende pune dhe zhvillim të sektorit të bujqësisë, por ky model, siç shpjegon edhe Jukić, thjesht krijon një shoqëri me dy nivele: një elitë të vogël që zotëron pasuritë e patundshme dhe një forcë punëtore të madhe me paga të ulëta. Por pyetja që fshihet qëllimisht pas këtyre premtimeve pompoze është: me çfarë pagash dhe për kë? A do të punësohen vendasit në këto resorte luksoze si diçka më shumë se thjesht fuqi punëtore me rroga të ulëta, apo do të sillet fuqi punëtore e lirë nga jashtë, duke e lënë rininë tonë sërish pa asnjë perspektivë?

Ndërkohë që qeveria zotohet se po bën më të mirën për ne, realiteti tregon se pjesa më e madhe e të rinjve po largohen nga Shqipëria sepse nuk shohin asnjë mundësi për të ndërtuar një jetë dinjitoze këtu. Përvoja e fqinjëve tanë dëshmon se as projektet e luksit dhe as premtimet për integrim nuk e ndalën ikjen e rinisë; përkundrazi, thjesht ua lehtësuan rrugën për t’u larguar.

“Kategori V” dhe transparenca

Për të ligjëruar këtë masakër mjedisore në Pishë Poro-Narta, Rama përdori argumentin e “Kategorisë V” (Peizazh i Mbrojtur), duke pretenduar se kjo lejon “bashkëjetesën” e njeriut me ekosistemin. Ky është një manipulim i pastër. Kjo kategori ekziston për të mbrojtur aktivitetet tradicionale njerëzore, jo për t’i dhënë leje Jared Kushner dhe investitorëve arabë që të hedhin tonelata beton mbi një zonë kaq delikate.

Me pak fjalë

Zgjidhja e vërtetë nuk vjen nga hotelet e stilit të Dubait dhe as nga shfaqjet e “heronjve” me ministra të korruptuar në krah. Siç theksonte artikulli ynë i parë, Shqipëria duhet të ndalojë së derdhuri para në turizëm dhe të përqendrohet në rritjen e prodhimit vendas, mbështetjen e sipërmarrësve të rinj dhe krijimin e kushteve për rikthimin e profesionistëve të arsimuar.

Një vend nuk mund të mbijetojë duke u kthyer në një “resort” me qira për të huajt. Nëse bregdeti shitet, nëse malet betonizohen dhe nëse standardi i jetesës bëhet një iluzion i paarritshëm për vendasit, kush do të ngelë që të jetojë këtu? Kur betoni të jetë tharë, do të jetë tepër vonë për të kuptuar se e kemi humbur shtëpinë tonë.

Artikujt më të klikuar