Rritje e aksidenteve rrugore këtë gusht

Nga statistikat shtetërore në vite, vihet re që muajt korrik-gusht janë muajt me aksidentet rrugore më të larta. Kjo vjen si pasojë e rritjes së qarkullimit rrugor për shkak të sezonit turistik në vend, rritjes së numrit të turistëve dhe rikthimi i emigrantëve për pushime. Gjithashtu, nuk duhet nënvlerësuar fakti që është sezoni me temperaturat më të larta gjatë vitit. Psh, këtë vit Shqipëria ka shënuar një rritje maksimale të temperaturave për një kohë të gjatë. Rritja e trafikut gjatë muajve korrik-gusht erdhi si rrjedhojë e hapjes së kufijve pas pandemisë, ku Shqipëria u cilësua si vend i sigurt për të udhëtuar.

Të dhënat e fundit nga Tirana International Airport (TIA), nga vijnë një pjesë e konsiderueshme e turistëve nga Europa (përveç rajonit) bënë të ditur se për periudhën korrik-gusht 2021 kanë udhëtuar gjithsej (hyrje-dalje) rreth 983 mijë pasagjerë. Këta vetëm me fluturime. Vetëm për muajin Korrik transporti detar shënon mbi 127 mijë pasagjerë të zbarkuar në Shqipëri.

Të gjitha këto shifra tregojnë qartë rritjen detyrimisht të qarkullimit në akse të ndryshmë rrugore në të gjithë Shqipërinë.

INSTAT publikon në raportin e radhës shifrat e aksidenteve rrugore gjatë muajit Gusht 2021. Në muajin Gusht 2021 numërohen 134 aksidente rrugore, ndërkohë që nga raporti i mëparshëm në Korrik 2021 shënohen 114 aksidente rrugore, një rritje prej 14.9%. Tetëmujori i 2021 (periudha Janar-Gusht) numëron 919 aksidente rrugore gjithsej. Ja një grafik i ecurisë së aksidenteve rrugore gusht 2017-gusht 2020.

Ka një rënie graduale të aksidenteve rrugore në vite. Kjo si rredhojë e rregullimit të sinjalistikave rrugore, forcimit të ligjit për masat ndëshkuese në aksidente rrugore, ndërgjegjësimit deri diku të popullsisë për shkaqet e aksidenteve rrugore, përmirësimit të rrugëve, përmirësimit të standardit të automjeteve në qarkullim, etj. Media Mendimi.al gjatë muajve korrik-gusht 2021 ka kryer vullnetarisht fushata sensibilizuese të ndryshme online dhe në mediat sociale, për ndërgjegjësimin e shoferëve ndaj aksidenteve dhe kujdesin që duhet treguar në rrugë.

Po kështu në raportin e INSTAT, cilësohet se në muajin Gusht 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 200 persona, duke çuar në total prej 1,250 persona të aksidentuar që nga Janari 2021. Në muajin Korrik 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 175 persona, një rritje prej 12.5% për Gushtin.

Në muajin Gusht 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 26 persona, ndërkohë që në muajin Korrik 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 13 persona. Një dyfishim i të vdekurve gjatë një muaji. Ndërkohë, në tetëmujorin e vitit 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 144 persona.

Në muajin Gusht 2021, aksidentet rrugore, në 84,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 25,4 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Në korrik kjo grupmoshë ka patur zërin më të lartë të numrit të aksidenteve gjithsej me 27.1%. Ndërkohë me rritjen e numrit të turistëve në muajin Gusht, dhe rritjen e aksidenteve shohim rritje të numrit të aksidenteve dhe në grupmoshat e tjera. Grupmosha 35-44 vjeç në muajin korrik zë 16% të të gjitha aksidenteve të muajit, ndërkohë në gusht aksidentet e kësaj grupmoshe pësojnë rritje, ku zënë 21.6% të numrit gjithsej të aksidenteve të muajit.

Qarku i Tiranës mban numrin më të lartë të aksidenteve rrugore me 400, dhe numër të vdekurish 26 për muajt janar-gusht 2021. Pas tij vjen Qarku i Lezhës me përkatësisht 123 dhe 19. Më pas renditen qarqet e Fierit dhe të Durrësit me përkatësisht 84 dhe 74 numër aksidentesh rrugore, dhe vdekje përkatësisht 21 dhe 14 për tetëmujorin e 2021.

Duke parë që periudhat me numër aksidentesh rrugore më të larta janë gjatë sezonit turistik veror, autoritetet shtetërore si dhe organizata të ndryshme jo-qeveritare që kërkojnë të përmirësojnë standardet e jetesës në Shqipëri nëpërmjet programeve të shumta që ofrojnë, kompanitë e sigurimeve të automjeteve duhet të angazhohen seriozisht me fushata sensibilizimi më të mëdha, te fokusuara ndaj kujdesit në automjet dhe vëmendjes ndaj aksidenteve rrugore. /mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here