Shfaqjet si “Përputhen” a ndikojnë keq në shoqëri?

Kohët e fundit kemi vënë re në mediat televizive sesa popullore janë bërë aktorët apo pjesëmarrësit e “Përputhen”. Historitë dhe intrigat në emision, nuk janë më pak të njohura si skenare. Madje skenarët janë fare të thjeshtë dhe nuk ndryshojnë shumë nga shfaqjet e tjera si “Big Brother”, etj., ku çiftet vihen përballë të njihen dhe të mpleksen me njëri-tjetrin duke krijuar kështu dramën televizive.

Ka momente famëkeqe në këto shfaqje ku përvec romancave që përftohen janë dhe grindjet e shumta. Jo vetëm kaq, por këto shfaqje janë një mënyrë e shkëlqyeshme për të shfaqur seksin, dhunën fizike dhe fyerjet. Ajo që ndodh është se transmetimi i tyre bëhet në orare të tilla ku shikueshmëria përfshin të gjitha moshat.

Prindërit duhet t’i paralajmërojnë fëmijët për të parë shfaqje televizive me subjekte reale, për të kuptuar se këto shfaqjet mund të kenë një përfshirje të madhe në sjelljet e shoqërisë sonë. Është e qartë se universi televiziv i këtij lloj formati po shfaqet madje jo në mënyrën më të mirë, jo vetëm në Shqipëri (dhe nuk jemi të parët), por dhe në shtete ku qytetërimi është akoma më i lartë se tek ne.

Pra, këtu lind pyetja dhe mendimi: A është reality show i dëmshëm për shoqërinë?

Sjelljet që shohim në televizion, si zënkat verbale dhe fizike, dhe fjalët e paturpshme, janë ato që ndodhin edhe në shoqëri. Kur bëhet fjalë për televizionin real, njerëzit mund të mendojnë se është argëtuese, por ka të tjerë që e marrin seriozisht.

Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Sirakuzës, thuhet se shfaqjet televizive me subjekt real kanë një efekt në sjelljet e njerëzve në shoqëri. Njerëzit ndikohen lehtësisht nga këto emisione, sepse në një moment në të ardhmen i kopjojnë sjelljet e portretizuara në ekran dhe i përdorin ato në jetën reale. Pjesëmarrësit janë bërë të famshëm në bazë të pëlqyeshmërisë, dhe përdoren kohët e fundit si influencer nga shumë biznese, të cilat artificialisht rrisin akoma më shumë famën e tyre në rrjetet sociale.

Televizioni dhe shfaqjet me subjekte reale kanë një ndikim në perceptimet tona për botën. Kjo retorikë është e bazuar në një studim vëzhgues nga Universiteti i Uinsconsin nga studiuesi Phillip Ross. Në këtë studim, 145 studentë nga universiteti u anketuan bazuar në konsumin e “reality show”-ve. Përfundimin që u arrit nxori se shikuesit e shfaqjeve me tema “Reality Show”, besojnë se sjelljet argumentuese dhe ngatërruese të portretizuara në shfaqjet televizive konsiderohen normale në shoqërinë e sotme.

Studim tjetër është kryer me temën e njëjtë mbi ndikimet dhe opinionet e ndryshme rreth shfaqjeve me programe të tilla. Lisa K. Lundy, 2008 shkroi “Televizioni dhe cilësia e jetës familjare”, ku pa që komentet e njerëzve që ajo mori në studim me fokus-grup, sollën në pah sesi këto shfaqje janë perceptuar si një shkëptuje nga e përditshmja, si fenomene të parresistueshme ose imorale.

Në ngjashmëri me këtë, Jaime Riccio, një student në Universitetin e Sirakuzës zhvilloi një tjetër studim dhe ky me fokus grupe, i cili arriti në përfundimin se “reality show” shkakton sjellje problematike tek njerëzit, veçanërisht ndaj brezit të ri.

Por shikuesit kanë mendime të ndryshme mbi atë që është morale ose jo për shoqërinë kur bëhet fjalë për shfaqjet me tema reale. Kërkime të ndryshme kanë vërtetuar se shoqëria është e tërhequr dhe e varur nga shfaqje të tilla, sepse është argëtuese, e ndërlidhur dhe ndërvepruese me audiencën e saj. Ajo që e bën realitetin TV kaq problematik është ajo që ndodh në shfaqje. Prodhuesit me qëllim i redaktojnë shfaqjet për kënaqësinë e shikuesve.

Sipas Michelle Crouch të Reader’s Digest, prodhuesit ndryshojnë skenarët e shfaqjeve të tyre për të shfaqur konfliktet midis pjesëmarrësve. Për më tepër, sjelljet e pjesëmarrësve portretizohen ndryshe, duke lejuar auditorin të zgjedhë se kush është i pëlqyeshëm dhe kush jo.

Bazuar në shumëllojshmërinë e studimeve, vëzhgimeve dhe pikëpamjeve nga studiuesit, lidhja midis shfaqjeve me subjekt real dhe sjelljeve shoqërore është ende territor gri ose më mire të quhet evaziv. Është e vështirë të përcaktohet nëse shfaqjet me tema reale kanë një ndikim të mirë apo të keq tek njerëzit në shoqëri, pasi jo të gjitha serialet televizive janë të këqija. P.sh. shfaqjet dhe emisionet e gatimit sic ishte ajo me Gjyshet nga trevat e ndryshme të Shqipërisë që gatuanin në garë, pjata nga trevat shqiptare, janë edukuese për një audience të caktuar, dhe nuk shfaq problematika shoqërore nga sjelljet e pjesëmarrëseve. Përkundrazi admirohen.

Njerëzit kanë perceptime të ndryshme për atë që është e vërtetë dhe jo në ekran në krahasim me jetën e vërtetë. Por është e vështirë të ndryshosh mentalitetin e shikuesve. Shfaqjet me subjekt real janë shumë të popullarizuara, dhe gjithashtu shumë fitimprurëse, dhe ky faktor duhet të merret parasysh për të kërkuar ndryshime në programacionet e tyre, nëse do të kishte ndikim negativ shfaqja ose jo.

Gjithashtu mbetemi me mendimin e përgjithshëm të vërtetuar prej kohësh që komuniteti ose mjedisi me të cilin njerëzit janë të rrethuar është ndikuesi kryesor i madh se si njerëzit veprojnë ose sillen në jetën reale. Ndaj ky komunitet duhet forcuar me parime dhe shembuj e modele të forta e të suksesshme në bazë të parimeve, për të rritur breza të sigurt dhe të shëndetshëm.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here