Sot në histori: Vdekja e Skënderbeut (17 janar 1468)

Pas 554 vjetësh, kujtojmë sërish ditën e vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar. Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare në Lezhë.

Lajmi i vdekjes së Skënderbeut shkaktoi një pikëllim të rëndë e të papërshkruar në mbarë popullin shqiptar. “Me vdekjen e tij, – theksohej ato ditë në Senatin e Venedikut, – arbërit kanë rënë në një ngashërim dhe tronditje të madhe”
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, po në atë vend ku ai themeloi Besëlidhjen Shqiptare.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe mbrojtës i Kristianizmit.

Burimi: Historia e Popullit Shqiptar., Vol. I . Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. Tiranë, 2002.

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here