Strehimi i refugjatëve afganë dhe cili është plani për shpërndarjen e tyre nëpër botë

Largimi nga Afganistani i shtetasve të tyre dhe të huaj sa vjen e rritet, ndërkohë që afati i fundit për forcat e armatosura amerikane për t’u larguar përfundimisht është data 31 gusht. Lëvizja e fundit e afganëve është pjesë e një eksodi historik të një vendi që ka përjetuar paqëndrueshmëri dhe konflikt gjatë shumë viteve. Dje në konferencë për shtyp, pas takimit virtual të G7 presidenti amerikan Biden deklaroi se ata do t’i qëndrojnë vendimit të këtij afati edhe pse vendet e tjera sugjeruan për një shtyrje. Kështu që Amerika dhe vendet aleate duhet të evakuojnë sa më shpejt brenda javës të gjithë shtetasit e tyre nga Afganistani.

Detajet specifike sa afganë janë larguar nga vendi janë të paqarta, por dihet numri i saktë i atyre që janë transportuar në mënyrë ajrore. Të hënën me 23 Gusht, Shtëpia e Bardhë njoftoi se SHBA kishte lehtësuar evakuimin e afërsisht 60,000 njerëzve nga aeroporti i Kabulit, aktualisht i vetmi aksion operacional në vend, që nga 14 gushti – edhe pse nuk është e qartë se sa prej tyre ishin shtetas afganë.

Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha të martën se kishte evakuuar rreth 8,500 njerëz që nga 13 gushti dhe gati 5,200 prej tyre ishin shtetas afganë.

Duke qënë se talibanët kontrollojnë të gjitha pikat kryesore të kalimit tokësor me shtetet fqinj të Afganistanit dhe se militantët kanë thënë se nuk duan që afganët të largohen nga vendi, mundësitë për afganët që shpresojnë të ikin janë tejet të kufizuara. Nga pikat kufitare tokësore është raportuar që vetëm tregtarët ose ata me dokumente të vlefshme udhëtimi po lejohen të kalojnë.

Rreth 2.2 milion refugjatë tashmë janë strehuar deri në fund të vitit të kaluar në vendet fqinje dhe ndërkohë janë 3.5 milion njerëz të mbetur të pastrehë brenda kufijve të Afganistanit. Edhe para se talibanët të rimerrnin kontrollin, më shumë se 550,000 njerëz ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre këtë vit për shkak të luftimeve, sipas UNHCR -së.

Ku janë strehuar afganë ndërkohë?

Sipas shifrave të UNHCR, pothuajse 1.5 milion ikën në Pakistan në vitin 2020, ndërsa Irani priti 780,000.

Shpërndarja e refugjatëve dhe azilkërkuesve afganë sipas shteteve në 2020, raport i UNHCR.

Disa shtete po ofrojnë strehim për refugjatët, ndërkohë disa të tjerë kanë vendosur kushte të rrepta. Për shembull Irani, vërtetë ka hapur tre zona fushimi që janë në kufi me Afganistanin dhe ka ngritur kampe refugjatësh aty, por ndërkohë ka paralajmëruar që do t’i kthejë sërish nëse kushtet e shtetit përmirësohen. Pakistani ka lajmëruar për mbylljen e kufijve në momentin kur talibanët morën pushtetin, por ka lejuar një pikë kufitare për kalimin e tregtarëve dhe atyre me dokumenta leje-kalimi.

Në korrik, Taxhikistani tha se po përgatitej të merrte deri në 100,000 refugjatë nga Afganistani. Sipas BBC, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar planet për të pranuar 20,000 refugjatë afganë. Qeveria britanike do të synojë të lejojë 5,000 afganë të vendosen në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të përqëndrohet kryesisht për të ndihmuar gratë dhe fëmijët, si dhe në pakicat fetare dhe të tjera në rrezik më të madh nga talebanët.

Presidenti Joe Biden ka autorizuar 500 milion dollarë për “nevojat urgjente të papritura të refugjatëve dhe migrimit të refugjatëve, viktimave të konfliktit dhe personave të tjerë në rrezik si rezultat i situatës në Afganistan, përfshirë aplikantët për viza të veçanta emigruese”. Akoma nuk ka një deklaratë nga SHBA për një numër të saktë të refugjatëve që do të lejojë të hyjnë në vend. Gjithashtu, Kanadaja ka thënë se do të lejojë hyrjen për 20,000 afganë, duke u fokusuar në ata që janë në rrezik nga talebanët, përfshirë punonjësit e qeverisë dhe gratë udhëheqëse. Australia thotë se do të ofrojë 3,000 vende në programin e saj të vizave humanitare për afganët që largohen nga vendi i tyre. Por vendet do të vijnë nga programi ekzistues i vizave humanitare në dispozicion dhe nuk do të ketë rritje të numrit të përgjithshëm. Franca dhe Gjermania kanë deklaruar se do të marrin gjithashtu vetëm personat që janë në rrezik, por janë skeptikë për të ekzekutuar sërish politikën e “Dyert e hapura”, ku Gjermania u kritikua në 2015 për valët e mëdha të imigrimit illegal.

Austria, nuk do të pranojë emigrantë dhe tashmë është duke ushtruar programe për deportimin e disa prej emigrantëve ilegalë të mëparshëm në vendet fqinje.

Presidenti turk Erdogan, është shprehur i gatshëm të ndihmojë me krizën e migrimit që është krijuar, por i bën thirrje Europës që të marrë përgjegjësitë e saja dhe se nuk do të bëhet më “magazina e emigrantëve të Europës”.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë thënë se do të strehojnë përkohësisht 450 dhe 300 refugjatë me kërkesë të SHBA -së. Refugjatët pritet të qëndrojnë derisa të rregullohet dokumentacioni për vizat e emigracionit për në SHBA. Kosova po planifikon gjithashtu të sigurojë strehim të përkohshëm për refugjatët që shkojnë në SHBA, por nuk ka specifikuar numra se sa do të strehojë.

Një shtet tjetër, Uganda ka rënë dakord të pranojë 2,000 refugjatë afganë. Kombi i Afrikës Lindore ka numrin më të madh të refugjatëve se çdo vend tjetër në Afrikë – dhe i treti më i madh në botë.

Burimi: UNCHR, BBC, Reuters

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here