Vllazëritë e fshehta Masone.

Çfarë janë Freimauer? Një organizatë e fshehtë botërore me rituale satanike e cila synon të vendos një rend të ri shoqëror? Shumë teori konspiracioni janë hedhur rreth tyre. Miliona kopje të shitura të autorit Dan Brown dëshmojnë kureshtjen e madhe që ekziston ndaj kësaj shoqërie të mbyllur. Zakonisht anëtarët e saj janë individë me shumë influencë në fushën e veprimtarisë së tyre. Goethe, Moxart, George Washington, Walt Disney, Louis Armstrong janë disa prej masonëve më të njohur. Misteri i organizatës buron nga zotimi i çdo anëtari të saj për të heshtur. Ç’ndodh në lozhë, mbetet aty.

Historia e themelimit të Masonerisë (ose Freimauer) moderne nuk është më një sekret. Zanafilla e saj qëndron në Skocinë e mesjetës. Gurëgdhendësit dhe të gjitha profesionet e lidhura me ndërtimin e katedraleve krijuan një esnaf. Njohuritë dhe aftësitë rreth sekreteve të statikës dhe arkitekturës mbaheshin rreptësisht sekret. Jo gjithkush mund të bëhej pjesë e këtij esnafi të mirëstrukturuar. Ritalet e pranimit ishin mistike. Në një kohë kur shumica e popullsisë nuk kapërcenin as kufinjtë e fshatit të tyre, ata zhvendoseshin rajon më rajon duke njohur zakone dhe kultura të reja, aspekt i cili nxiti frymën e tolerancës, lirisë, tipare jo të zakonshme për kohën. Pikërisht nga kjo periudhë mbarten deri më sot termat identifikues lozhë dhe mason. Lozhë, emërtimi i strukturave organizative dhe gjithashtu i hapësirave fizike, ku masonët ushtrojnë ritualet e tyre rrjedh nga anglishtja e vjetër, ”loudge”, term i përdorur për punishtet e gurëgdhendësve. Freestone, freimauer, ishte regjistrimi i gjetur në mesjetë për përshkrimin e profesionit.
Pas rënies së bumit të ndërtimeve të katedraleve, Freimauer filluan të transformoheshin nga një lidhje profesionale, në lozha me karakter ezoterik, etik dhe simbolik. Intelektual, shkencëtar dhe aristokrat të kohës ju bashkuan kësaj lëvizjeje. Shkrirja e pesë lozhave londineze në një të vetme në vitin 1717, njihet ndryshe si viti zyrtar i themelimit të Masonerisë moderne. Më 1723 Anderson do të materializonte një statut të Masonerisë, rregullat dhe ritualet e të cilit respektohen deri më sot. Pak vite më vonë influenca e tyre u shtri në të gjithë Evropën kontinentale duke luajtur një rol të rëndësishëm në revolucionin francez. Ekspansioni i masonerisë nxiti diskutime të nxehta rreth ideologjisë dhe politikës që lozhat duhet të ndiqnin. Ky debat shënoi dhe ndarjen e lozhave nga ato me karakter tërësisht mistik dhe ezoterik deri tek ato radikale me orientim politik (siç identifikohen Iluminatit).

Jeta si një tempull!
Zhvillimin e njeriut dhe shoqërisë, masonët e paralelizojnë me ngritjen e tempullit të Solomonit, mbretit të mençur e të ditur, i cili njihet si ndërtuesi më i madh në legjendat dhe shkrimet e shenjta (një rrënojë e tempullit të tij është “Muri i Lotëve”). Në filozofinë e tyre, ky tempull është simbol i humanizmit. Qëllimi i jetës së anëtarit të një lozhe konsiston në vetëpërmirësimin e tij (tempullit të brendshëm) dhe shoqërisë (tempullit të jashtëm). Puna e vazhdueshme ndaj vetes udhëhiqet nga pesë parimet kryesore: Liria, vëllazëria, humanizmi, toleranca dhe barazia, parime të cilat duhet të reflektohen në çdo ditë të jetës. Në qoftë se do t’i drejtoheshim dy masonëve për të na ndihmuar të përkufizojmë se ç’është Freimauer, do të ndodh të marrim më shumë se tre përkufizime. Megjithatë të gjithë masonët bien dakord në pikën se vëllazëria e tyre ka karakter ezoterik dhe etik.
Detyrimi i heshtjes lejon masonët të praktikojnë ritualet e tyre dhe është parakusht i zhvillimit të tematikave brenda një lozhe. Nga ana tjetër ky zotim është një mallkim. Shumë besojnë se nuk ka pasur kurrë një revolucion francez të shkruar si në libra. Të tjerë janë të bindur se Neil Armstrong nuk ka shkelur kurrë në Hënë. Këto dhe ngjarje të tjera socio-politike thuhet se janë planifikuar nga Freimauer dhe lozhat e tyre. E drejta e dyshimit dhe lindja e teorive konspirative vjen si rezultat i “detyrimit të heshtjes”. Fakt është se anëtarët e lozhave janë themelues shtetesh (Lincoln, Roosevelt etj.) ose drejtues të lartë dhe në këtë sens përgjegjës së fatit të botës dhe të shkrimit të historisë. Megjithatë mos ndoshta ky zotim i ka rrënjët në të shkuarën e Masonëve dhe raportin e tyre me kishën?

Përse Kisha mohon Masonerinë?
Megjithëse dokumentat e para të Masonerisë janë gjetur në Skocinë mesjetare, mendohet se gjeneza e tyre lidhet me kalorësit e kryqëzatave në mesjetën e hershme. Pas rënies së Jeruzalemit në duart e arabëve, kalorësit ndihmuan dhe shoqëruan pelegrinët në qytetin e shenjtë duke u vendosur në rrënojat e tempullit të Solomonit. Si falenderim besimtarët i shpërblyen ata me gurë dhe dhurata të çmuara. Po kështu, për hir të mbrojtjes së Kristianizmit, Kisha i çliroi nga çdo detyrim tatimor. Në këtë kontekst, kalorësit zotëronin jo vetëm pushtet ekonomik, por edhe social e politik si asnjë monarki tjetër në Evropë. Gojëdhënat rrëfejnë se shumë prej pasurive të Kalorësve gjenden ende në labirinthet e tempullit të Solomonit, fakt ky që nxit gjuetarët e thesarëve të vizitojnë edhe sot këto rrënoja. Me rimarrjen e Jeruzalemit nga arabët më 1291 përmes betejave makabre, pelegrinët nuk guxonin të shkelnin më në qytetin e shenjtë. Kështu kalorësit u kthyen në kontinentin mëmë.
Pozicionimi i pushtetshëm dhe pasuria e konsiderueshme që zotëronin ata shiheshin me cmirë dhe si kërcënim real i monarkive të asaj kohe. Veçanërisht mbreti i Francës Filipi i IV u shqetësua shumë dhe i kërkoi Papës me ngulm të demonizonte Urdhërin e Kalorësve, përndryshe populli i tij do të dilte nga kisha katolike. I gjendur para kësaj zgjedhjeje, Papa vendosi të akuzonte për homoseksualitet dhe adhurim të kulteve mitologjike kalorësit, akuza të cilat u bën arsyeja e përndjekjes dhe inkuzicionit të tyre. Miti i së premtes së zezë lidhet pikërisht me vrasjen masive të kalorësve më 13 tetor të 1307 nga Filipi IV. Disa prej tyre, të cilët arritën t’i shpëtojnë persekutimit, u vendosën në Skoci. Ky fakt nuk dëshmohet nga kronika historike, por nga varrezat në luginën Kilmore, gurët e të cilave janë të mbushura me simbole masone dhe të urdhrit të kalorësve.(Në këtë varrezë shfaqen dhe simbolet e para masonike.)
Edhe më vonë, sikundër masoni Samuel Pepys shkruan në ditarin e tij, mendimet revolucionare mund të kishin konsekuenca fatale. Data zyrtare e themelimit të Freimauer nuk ishte larg kohës kur ata akuzoheshin si heretik.
Megjithatë, në ditët e sotme duket se vëllazëria masone ka evoluar. Tashmë nuk ka vetëm të tretë, të cilët pëpiqen të hedhin dritë mbi veprimtarinë apo simbolikën e tyre të pasur. Shumë blogje dhe faqe interneti të ndërtuara dhe administruara prej vetë lozhave freimauer janë tashmë aktive. Një tjetër tregues i transformimit është krijimi i lozhave të grave.
E.A./mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here