Analizë mbi Covid-19. Sa do të vazhdojë dhe kur mund të normalizohet?

Bota po përgatitet për një valë të re të infeksioneve Covid-19. Pandemia e koronavirusit ka infektuar më shumë se 220 milion njerëz dhe ka vrarë më shumë se 4.5 milion globalisht që nga fundi i janarit 2020 (statistika globale sipas OBSH). Përpjekjet që ndërmorën shumë vende për të shuar sëmundjen virale, çuan që shumë shtete të zbatonin plane bllokimesh, ndërprerje të shumta të udhëtimeve ndërkombëtare, pushimet masive të punësimeve dhe të shkaktojnë goditje për tregjet financiare. Përpjekjet e fundit për të ringjallur jetën shoqërore dhe aktivitetet financiare kanë rezultuar në një rritje tjetër të rasteve dhe shtrimeve në spital, megjithëse mjekimet e reja dhe kujdesi i përmirësuar mund të ndihmojnë që më shumë njerëz që sëmuren rëndë të mbijetojnë.

Gjithsesi, virusi i ri i shekullit ka për të qëndruar dhe për momentin dominon viruset e tjera, dhe vazhdon të krijojë mutacione. Zyrtarët e shëndetit global e janë shprehur se virusi vazhdon të pësojë mutacione në vendet e pavaksinuara në të gjithë botën dhe shpresat e mëparshme për ta zhdukur atë sa vijnë e zvogëlohen.

Vetë drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH, Dr. Mike Ryan, u shpreh në një konferencë për shtyp se ky virus do të zhvillohet si viruset pandemike të gripit dhe do të zhvillohet për t’u bërë një nga viruset e shumtë që prek njerëzimin.

Zyrtarë të lartë në agjencinë globale të shëndetit janë shprehur më parë se vaksinat nuk garantojnë që bota do të zhdukë përfundimisht Covid-19 ashtu siç ka bërë me viruse të tjera. Këshilltari kryesor mjekësor të Shtëpisë së Bardhë Dr. Anthony Fauci dhe Stephane Bancel, CEO i krijuesit të vaksinave Covid Moderna, kanë paralajmëruar se botës do t’i duhet të jetojë përgjithmonë me Covid-in, ashtu si gripi. Por, nëse bota do të kishte ndërmarrë hapa të hershëm për të ndaluar përhapjen e virusit, situata sot mund të kishte qenë shumë e ndryshme, thanë zyrtarët e OBSH -së.

Fakti qëndron tek variantet e reja të cilat kanë fillimin, zhvillimin e tyre dhe pastaj rënien. Pra kemi të bëjmë më një kurbë për secilin nga variantet. Por si evolojnë ato?

Dr. Amesh Adalja, profesori i shkollës së Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg dhe specialist i sëmundjeve infektive, thotë se saktësisht kur dhe sa shpejt rastet e varianteve delta do të fillojnë të bien, ndryshon nga vendi ku jetoni. Tashmë ka filluar të ngadalësohet në shtetet e goditura rëndë dhe ekspertët shpresojnë se fundi i kësaj rritje është afër.  Dr. Adalja thotë se në rastet e vendeve ku ka vaksinim dhe imunitet do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për virusin të gjejë njerëz që nuk kanë imunitet për t’u infektuar. Por sapo rastet e deltës (sepse ka variacione të mutacionit si Delta Plus) të arrijnë kulmin, kjo nuk do të thotë që COVID-19 do të largohet. Adalja thotë se ai pret që të ketë gjithmonë një nivel bazë të rasteve të COVID-19 në çdo komunitet.

“Gjithmonë do të ketë një nivel transmetimi dhe raste infektimi në komunitet. Ky është një virus i frymëmarrjes që përhapet në mënyrë efikase. Nuk do të çrrënjoset ose eliminohet,” tha Adalja. “Do të ketë një nivel të ulët të kurbës që pasqyron imunitetin e popullatës – që pasqyron vaksinimin dhe infeksionin e mëparshëm.”
Adalja pret që rastet të rriten përsëri kur moti të ftohet dhe njerëzit të kalojnë më shumë kohë brenda. Por rritja e vaksinimeve do të ndihmojë në menaxhimin e sëmundjes. “Qëllimi këtu nuk ka qenë gjithmonë eliminimi i COVID-19 si një infeksion i frymëmarrjes, por heqja e aftësisë së tij për të shkaktuar nivele të mëdha të rasteve që përfundojnë duke u shtruar në spitale dhe duke i vënë spitalet në krizë,” tha Adalja. Ai thotë se thotë se arritja e imunitetit të tufës me variantin delta do të jetë vërtet e vështirë, veçanërisht sepse fëmijët nën 12 vjeç ende nuk mund ta marrin.

Shumica e popullsisë ka adoptuar fjalë të reja në fjalorin e tyre të përditshëm, si karantina, distancimi social, PCR test, antigene – të duken si formula e famshme e Ajnshtajnit, por që pak e dinë si funksionon. Fjalë të reja po shtohen si mutacionet, genomet, variantet, etj për të cilat të gjithë sot kanë mundësi të lexojnë e të njihen shpejt me terminologjitë dhe funksionet e tyre. Gjithashtu, informacioni mbi vaksinimin është më shumë i diksutuar këto dy vitet e fundit, por disa njerëz tentojnë të përthithin informacione të gabuara rreth vaksnimit, rreth shfaqjes së virusit dhe rrisin skepticizmin e tyre ndaj shkencës dhe evolucionit gjenetik.

Në librin e shkrimtarit Yuval Noah Harari “Homo Deus”, shpjegohet sesi armiqtë kryesorë të njerëzimit, përpos luftrave dhe urisë, kanë qenë epidemitë dhe sëmundjet infektive. Viruset shpërthenin si epidemi dhe shkatërronin shpejt popuj të tërë. Një nga popujt që janë zhdukur përfundimisht kanë qënë Majat në fillim të shekullit 16, dhe vendasit nuk dinin as të përballeshin me virusin, e as nuk kishin mjetet e nevojshme për t’u mbrojtur. Injoranca e asaj kohe dhe besimet në dukuritë e pashpjegueshme të natyrës, i detyronte njerëzit të besonin në perëndi dhe besytni të llojeve të ndryshme, si për origjinën e epidemive ashtu edhe për mënyrën sesi duhet të shfaroseshin.

Çdo shekull në historinë e botës është përballur me epidemi dhe sëmundje infektive të ndryshme. Në shekullin e fundit, shpërthimet e SARS kanë frikësuar popujt dhe kanë nxitur marrjen e masave në kohë për parandalimin dhe përhapjen e tij. Përsa i përket Covid-19, parandalimi dhe masat që duheshin marrë në kohë janë përgjegjësi e disa liderave botërorë, të cilët ose nga neglizhenca, ose paaftësia e tyre për t’i dhënë vëmendjen e duhur në kohë, çuan në përhapjen mjaft të shpejtë të virusit duke krijuar një pandemi globale dhe si rrjedhojë të rezultojë me numër të lartë vdekjesh. Sot ne udhëtojmë brenda ditës nga njëri skaj i botës në tjetrin. Kjo bën që dikush i infektuar ta përhapë virusin në distanca të konsiderueshme brenda 24 orëve.

Me mjetet e sotme të informacionit dhe literaturën shkencore të provuar që është e aksesueshme në kohë, ne duhet të informohemi më shumë rreth sjelljes së viruseve dhe të njihemi më shpjegimet shkencore të mistereve prapa mutantëve dhe varianteve të koronavirusit dhe të mos ndjekim shembujt e mëparshëm ndaj skepticizmit të origjinës së një sëmundjeje.

Imagjinoni një lepur të vogël që lind mes botës së kafshëve të egra me një deformim (variant i keq) që pengon aftësinë e tij për të vrapuar. Nuk do të mbijetonte gjatë nga grabitqarët. Nëse lepuri i vogël do të ishte i pajisur me një aftësi për të vrapuar më shpejt (variant i mirë) sesa grabitqarët e tij, ai do të mbijetonte më gjatë në natyrë dhe gjithashtu do të prodhonte më shumë lepuj, të cilët gjithashtu mund të vrapojnë më shpejt. Kjo është ajo që Charles Darwin propozoi në “Teorinë e Evolucionit” duke shpjeguar përzgjedhjen natyrore.

Këto ndryshime – deformimet dhe aftësia për të vrapuar shpejt – vijnë nga ndryshimet në qelizat tona, të quajtur gjenome. Këto ndryshime në gjenomin tonë quhen mutacione (sipas përkufizimit nga Britannica). Evolucioni nga përzgjedhja natyrore është një proces shumë i ngadalshëm. Pandemia COVID-19 ka përcjellë me shpejtësi evolucionin e virusit korona në nivele të pashembullta. Për ta kuptuar këtë, ne kemi nevojë për një kuptim të gjenomit, mutacioneve dhe degëzimeve në virus që të bindemi më shumë sesi formohen dhe cfarë bëjnë.

Përsa kohë virusi gjen trupa njerëzorë të mbrojtur dhe pa imunitet luftues, ai do të krijojë një habitat të ri. Do të shkëmbejë në mënyrë të ndërsjelltë me trupin kodet gjenetike dhe nëse e mundur do të jetojë brenda trupit. Disa trupa nuk e përballojnë dot të krijojnë imunitet ndaj viruseve dhe vdesin. Të tjerë infektohen, sëmuren dhe më e mira mundin virusin. Ndërkohë virusi kalon nga njëri trup tek tjetri duke marrë informacionin më të mirë që ka gjetur duke ndryshuar dhe veten dhe krijuar mutacionin e ri për të përballur një trup më të fortë. Imunizimi ndaj virusit do të jetë lufta më e sigurt për ta dobësuar krijimin e një mutacioni.

Po njerëzit e vaksinuar? Ka dëshmi nga SHBA, Britania e Madhe dhe Singapori që njerëzit e vaksinuar që janë të infektuar me variantin Delta gjithashtu kanë po aq grimca virusi në hundë sa njerëzit e pavaksinuar. Kështu, njerëzit e vaksinuar gjithashtu mund të përhapin virusin. Vaksinat në dispozicion parandalojnë shfaqjen e sëmundjeve serioze nga koronavirusi, por nuk mund të parandalojnë infeksionet. Për t’u konsideruar pozitive, studimet në Singapor treguan se njerëzit e vaksinuar mund të mbeten infektues për një periudhë më të shkurtër (ngarkesa e tyre virale bie pas rreth shtatë ditësh) sesa njerëzit e pavaksinuar. Një dozë e vetme e vaksinës u zbulua se ishte më pak efektive sesa ata që morën të dyja dozat. Studimet nga Skocia sugjerojnë më tej se pacientët e pavaksinuar kanë dy herë më shumë gjasa të shtrohen në spital nëse infektohen nga varianti Delta sesa nga varianti Alpha.

Sipas një artikulli në Bloomberg, Izraeli ishte i pari që tregoi se vaksinat po përkulnin kurbën e infeksioneve Covid. Izraeli udhëhoqi botën në nismën e vaksinimeve të hershme, dhe deri në shkurt më shumë se 84% e njerëzve të moshës 70 vjeç e lart kishin marrë dy doza. Rastet e Covid -it ranë me shpejtësi, dhe një model i ngjashëm i vaksinimit dhe shërimit u përsërit në dhjetëra vende të tjera. Por ky përparim u vu nën kërcënim. Llojet e reja, të udhëhequra nga varianti Delta shumë i transmetueshëm, kanë shkaktuar shpërthime të reja. Tani është një garë për jetë a vdekje midis vaksinës dhe virusit thuhet në artikull. Njerëzit e pavaksinuar janë më të rrezikuar se kurrë, duke bërë që zyrtarët amerikanë të shëndetësisë ta quajnë atë një “pandemi të të pavaksinuarve”. Edhe në mesin e atyre që janë të vaksinuar, varianti delta mund të çojë në raste të lehta, dhe ata që sëmuren janë në gjendje ta përhapin sëmundjen te të tjerët, sipas të dhënave të fundit. Vaksinat mbeten efektive në parandalimin e shtrimit në spital dhe vdekjes.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here