Basha – Berisha: Çfarë pritet të ndodhë?

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar mbrëmë, përjashtimin nga grupi parlamentar të deputetit Sali Berisha, në vijim të kërkesës së vazhdueshme të ambasadores amerikane në Tiranë Juri Kim që të merret një vendim në përputhje me shpalljen non-grata të z. Berisha.

Basha në fjalën e tij ka theksuar sakrificën dhe vështirësinë e marrjes së këtij vendimi, si edhe përkohshmërinë e vendimit deri në sqarimin e situatës.

Me ç’duket Lulzim Bashës i mbeti të merrte rrugën më të vështirë. Pas tentativave publike të shumë individëve për ta bërë z. Berisha të hiqte dorë vetë nga mandati, duke e lehtësuar peshën e vendimit për Bashën, Berisha nuk u tërhoq. Berisha i vendosur u përball me fatin më të hidhur të mundshëm, përjashtimin nga pasardhësi i tij i mikluar.

Publiku është i ndarë në dy grupe të mëdha: ata që thonë “më në fund Basha mori një vendim dhe u bë lider” dhe grupi tjetër i përbërë nga idhtarë të Berishës dhe ata që urrejnë Bashën edhe pse nuk e duan Berishën. Kjo ndarje kaq e qartë duket se do të rikonfigurojë klanet në PD sipas formatit pro dhe kundër Bashës. Lulzim Basha zgjodhi të jetë në anën e amerikanëve. I presionuar apo jo, ai ka bërë zgjedhjen e tij. Në anën tjetër qëndron Berisha me të tijët. Cilët janë ata?

Nga ky moment, Partia Demokratike do të ziejë në temperaturë shumë të lartë dhe portagonistët kryesorë do të duhet të pozicionohen me njërin ose me tjetrin. Basha dhe Berisha do të masin forcat respektive në parti dhe po ashtu do të bëjnë edhe palët ndërkombëtare për tu qartësuar në mënyrë nominale për secilin personazh kryesor të grupit parlamentar dhe lidershipit në PD. Duket se përgjigjia që presin për secilin këto ditë është “Basha e mori vendimin e tij, po ti nga cila anë je?”

Seanca sotme plenare do të ketë tension mes demokratëve. Prova e tyre është që ta kalojnë me dinjitet këtë test acid pa shkaktuar çarje të mëdha. Për ta bërë këtë u duhet të mendojnë me më pak egoizëm dhe të mos harrojnë se në politikë secili nga ata është sipas nivelit të vet skuth dhe i pabesë…

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here