Ankthet në epokën e punës në distancë

Të ka rastisur të kesh që në mëngjes emocione në ditët kur ke për të prezantuar përpara stafit një projekt, një strategji, të duhet t’i mbushësh mendjen shefit për një zhvillim të ri të cilin e ke ideuar vetë, apo të raportosh mbi rezultatet e punës tënde ose grupit ku ke qenë i/e përfshirë? Jo vetëm përmbajtja të jep ankth, por dhe kujdesi vetjak, pra kostumi i punës, pamja e jashtme, qetësia e zërit, etj, të cilat duhet të jenë në nivelin e duhur kur je përpara një audience me rëndësi. Dhe për ketë, shumë grupe menaxhimi të burimeve njërezore, kanë bërë trajnime në vite sesi të përgatitesh për një fjalim publik, e të normalizosh emocionet, ankthet e prezantimit. Trajnime sesi të vishesh për të qenë i suksesshëm, sesi duhet të artikulosh qartë e bukur. Trajnime për estetikën e paraqitjes së prezantimeve me powerpoint kanë qenë pjesë e praktikave gjithashtu. Cilat prezantime godasin e cilat mund të konsiderohen të mërzitshme pa rendiment?

Ndryshimi i ri

Me epokën e re të të punuarit në distancë, u pa një model i ri i mbledhjeve me zyra virtuale. Në fillim mund të jetë shfaqur si më i rehatshëm, pasi ta mendosh, të punuarit në shtëpi ka lehtësitë e veta. E para nuk ke për të udhëtuar për të shkuar në zyre e për të kapur orarin, pas një ndeshjeje me “demat” e trafikut. Ambjenti i shtëpisë është më mikpritës dhe i ngrohtë, je në kolltuk, ke tavolinën tënde të bukur, ke pikturat e tua në mur, dhe asnjë rrotull që të të mërzisë me pyetje të vogla herë pas here, sic na ndodhte nëpër zyra. E kush nuk e ka përjetuar që në një ambjent pune, ke fytyra miqësore që të japin energji, por ke dhe grupet e tjera “peshkaqenësh”, konkurrentët e tu të përditshëm, të cilët të duket sikur të prishin ditën. 

Ka persona që e folura përpara njerëzve i tmerron. Ndjejnë që zemra do t’u shpërthejë, përjetojnë dridhje duarsh dhe i kap tërbimi me veten pasi vënë në dyshim dhe inteligjencën e tyre. Ka njerëz të tjerë, që qëndrojnë përpara një audiencë të vogël ose të madhe dhe mund të shprehen në mënyrë të përkryer pa u dridhur. 

Me ardhjen e një rutine të re të punës në internet, ndodhi që janë shtuar mbledhjet ditore. Nëse në zyrë shefi të kalonte afër dhe komunikonte fizikisht direkt tek tavolina e punës për të të kërkuar informacion ose për të të dhënë udhëzime mbi një detyrë të caktuar, tani çdo komunikim bëhet me Zoom, Google Meet, Skype, etj. Vështirësitë që hasen në ketë rast kanë të bëjnë jo vetëm me performancën dhe besueshmërinë e teknologjisë, por edhe me problemet zanore, pamja, etj. “Ankthi social në punë” nuk është larguar apo të jetë lehtësuar si rrjedhojë e ndryshimit të hapësirës së punës. Ankthi merr pjesë dhe në mbledhjet virtuale. Ideja mos më del gjë në ekran dhe e shikojnë apo dëgjojnë të gjithë, mos më ndërhyn fëmija në orarin e punës dhe shfaqet në mbrapa-skenë ndërkohë që jam online me video, mos shefi apo kolegu nuk më dëgjoi mirë dhe mesazhi nuk u transmetua plotësisht. Mos intërneti më le në baltë. Mos bie dera dhe dikush më kërkon…etj, etj. 

Edhe në ketë rast, hapat për përgatitjet e mbledhjes online, janë po të njëjta, thjesht ka ndryshuar vendndodhja ku zhvillohet mbledhja. 

Çrregulli nga ankthi social (ose ndryshe fobia sociale) është problemi i tretë më i madh i kujdesit shëndetësor mendor sot në botë. Sipas Thomas Richards, doktor, psikolog i Institutit të Ankthit Social në SHBA, tregon të dhëna që ankthi social prek pothuajse 7% të popullsisë në çdo kohë të dhënë. /mendimi.al

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here