Sallonet e tatuazheve në të gjithë Bashkimin Evropian ishin në krizë të martën (4 janar) pasi hyri në fuqi një rregull i ri i cili në mënyrë efektive ndalon shumë nga bojërat e tyre më të njohura dhe të cilin një artist e përshkroi si “heqja e miellit nga një furrë buke”.
Artistët e tatuazheve thonë se alternativat ndaj bojërave, disa prej të cilave kanë qenë në qarkullim për dekada, nuk ekzistojnë ende ose janë në mungesë, dhe ligji i jep një goditje një industrie që tashmë po lëkundet pas bllokimeve të përsëritura shkruan Reuters.
Ligji kufizon përdorimin e kimikateve të caktuara për të cilat BE tha se janë të rrezikshme, me disa të lidhura me kancerin, vështirësitë riprodhuese dhe acarimin e lëkurës, dhe që përmbahen në përzierjet për bojërat e tatuazheve dhe grimin e përhershëm.
Ligji u miratua në dhjetor 2020, por industrisë iu dha një vit kohë për t’u përshtatur dhe për të gjetur alternativa.
Komisioni Evropian tha se prodhuesit dhe artistët kishin një vit për t’u përgatitur dhe ekzistojnë alternativa, me përjashtim të dy pigmenteve të veçanta, për të cilat iu dha më shumë kohë për të gjetur zëvendësues.
Agjencia Evropiane e Kimikateve, e cila qëndron pas hulumtimit mbi bojërat, tha se të paktën 12% e 450 milionë qytetarëve të BE-së, pra të paktën 54 milionë njerëz, kanë tatuazhe. BE synon të harmonizojë ligjet në të gjithë bllokun duke vendosur kufijtë maksimalë të përqendrimit për grupet e substancave ose substancave individuale që gjenden në bojëra.
Shumë sindikata dhe artistë tatuazhi e kanë kritikuar këtë rregull të ri, pasi nuk kanë patur kohë të mjaftueshme për të zëvendësuar produktet e tyre.
Burimi: Reuters