SHBA kërcënon Pekinin për ballafaqimin me ‘pasoja’, por Xi refuzon të dënojë pushtimin.
Joe Biden mbrëmë paralajmëroi se do të ketë “pasoja” për Kinën nëse Pekini i siguron Rusisë armë për të ndihmuar pushtimin e saj në Ukrainë.
Presidenti amerikan lëshoi sfidën e drejtpërdrejtë për Xi Jinping në një telefonatë dy orëshe, komunikimi i tyre i parë që nga fillimi i luftës. Në përgjigje, presidenti kinez pretendoi se SHBA ishte përgjegjëse për konfliktin dhe tha: “Ai që i lidhi zilen tigrit është ai që duhet që t’ja heqë sërish atë“.
Bisedimet midis liderëve të dy ekonomive më të mëdha në botë erdhën pasi rezistenca intensive e Ukrainës ka penguar përparimin e Vladimir Putinit dhe ndërsa më shumë armë perëndimore po derdhen në vend.
Zyrtarët amerikanë u thanë aleatëve në fillim të kësaj jave se Rusia po kërkonte mbështetje ushtarake nga Pekini duke përfshirë drone, raketa, automjete të blinduara dhe teknologji të mbledhjes së inteligjencës.
Ata besojnë se Pekini ka pranuar kërkesat e Moskës dhe mund ta ndihmojë atë të anashkalojë sanksionet ekonomike.
BE-ja tha se kishte “prova shumë të besueshme” se Kina po shqyrtonte ofrimin e ndihmës ushtarake dhe sugjeroi se Pekini “po flirtonte me rusët“.
Ndërkohë, ministria e mbrojtjes e Rusisë pretendoi se po “shtrëngonte lakun” në qytetin e Mariupolit, pasi forcat speciale çeçene filmuan veten duke qëlluar në blloqe banimi dhe kryebashkiaku raportoi për beteja me armë në qendër të qytetit të rrethuar. Qindra civilë mbetën të bllokuar nën një teatër të bombarduar në qytet, të cilin banorët e arratisur e krahasuan me “ferrin“.
Emmanuel Macron, presidenti francez, i kërkoi Putinit të heqë rrethimin e Mariupolit dhe të urdhërojë një armëpushim të menjëhershëm për të lejuar korridoret humanitare.
Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden e përdori thirrjen e tij me Xi për të paralajmëruar për “implikimet dhe pasojat” e mbështetjes kineze pasi Rusia “po kryen sulme brutale kundër qyteteve dhe civilëve ukrainas”. Por Xi fajësoi Uashingtonin – i cili ka financuar ushtrinë e Ukrainës që të paktën që nga viti 2014 – dhe tha se SHBA dhe Kina kanë përgjegjësinë për të ndjekur “paqen botërore”. Një zyrtar i lartë amerikan tha se telefonata ishte një “bisedë e drejtpërdrejtë, e sinqertë, e detajuar dhe shumë thelbësore” dhe shtoi: “Presidenti nënvizoi mbështetjen e tij për një zgjidhje diplomatike të krizës“.
Megjithatë, përmbledhja e Pekinit sugjeroi se pozicioni i tij nuk kishte ndryshuar, me zotin Xi që refuzon të dënojë Rusinë dhe kritikoi sanksionet. Udhëheqësi kinez tha se SHBA dhe NATO duhet të zhvillojnë bisedime me Rusinë “për të zgjidhur thelbin e krizës në Ukrainë”.
Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, Xi i tha zotit Biden: “Nëse zbatohen sanksione të gjithanshme dhe pa dallim, njerëzit e thjeshtë do të vuajnë më shumë”. Xi gjithashtu paralajmëroi Biden se sanksionet e mëtejshme mund të shkaktojnë “kriza serioze” në ekonominë globale.
Ai tha se Kina dhe SHBA duhet “të bëjnë përpjekje për paqen dhe qetësinë botërore”. Presidenti kinez shtoi: “Sa më komplekse të jetë situata, aq më e madhe është nevoja për të qëndruar gjakftohtë dhe racional”. Pekini tha se ishte i gatshëm të ofronte ndihmë humanitare për Ukrainën dhe “vendet e tjera të prekura“.
Jen Psaki, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, tha se ishte “i jashtëzakonshëm” fakti që përmbledhja kineze e telefonatës u publikua para se të dy liderët të kishin përfunduar së foluri. E pyetur nëse Kina mund të përballet me tarifa tregtare ose sanksione, zonja Psaki tha: “Sanksionet janë sigurisht një vegël në kutinë e veglave”.
Burimi: The Telegraph