Bimët dhe lulet shqiptare të preferuarat për produkte kozmetike

BBC Travel ka hapur një rubrikë me titullin 50 Arsyet për ta Dashur Botën në 2021, përmes frymëzimit të zërave të njohur si dhe heronjve të padëgjuar në komunitetet lokale në të gjithë globin. Për këtë arsye, një gazetare e BBC, Elizabeth Gowing, ka veçuar kësaj radhe zonat malore të Shqipërisë. Pas një udhëtimi turistik në zonën e Kukësit dhe në malësitë përreth, ajo shpjegon karakteristikat e zonës dhe punën e grave të malësisë të cilat merren me mbledhjen e luleve dhe bimëve mjekësore të egra. Lulet nuk kultivohen nga banorët, ato janë pjesë e florës së zonës malore, të cilat mbijnë cdo pranverë në livadhe. 

Ndër të tjera, ajo përshkruan gruan shqiptare si të fortë, punëtore dhe të palodhur, madje të shkathët për të kryer tregti. Në rrugëtimin e saj me një furgon të zonës, ajo ndeshet rrugës me pasagjerë të cilët të gjithë dilnin çdo ditë në mal për të mbledhur lulet e livadheve dhe më vonë për t’i shitur ato në qytet. Çmimi i luleve është 1 euro për kilogram. Lule gishti, lule murrizi, çaji i malit, çaji i blirit, boronicat e të tjera si këto, shiten çdo ditë për eksport në qytetin e Kukësit. Gazetarja udhëton në fshatin Çajë. Kjo zonë njësoj me pjesën më të madhe të Shqipërisë, është shumica malore dhe përfiton nga një klimë dhe tokë mesdhetare që ka patur pak ndotje kimike gjatë viteve komuniste. 

Bimët e egra shqiptare janë shumë të kërkuara në mbarë botën. Industria ofron mundësi të mëdha ekonomike për gratë e zonës, megjithëse të korrat e tyre duhet të përmbushin standardet ndërkombëtare si p.sh. të mos kenë shumë material të papërdorshëm – pra së shumti lule. Ato kujdesen që tufat e shitura të mos përmbajnë kërcenj, pasi kërkohet vetëm lulja.  

Janë më shumë se 100,000 familje shqiptare të përfshira në kultivimin ose korrjen e bimëve medicinale dhe aromatike (që përdoren për kozmetikë). Në të gjithë vendin, kjo është afërsisht një në çdo shtatë shtëpi të lidhura me këtë sektor, i cili gjeneron deri në 28 milion dollarë në eksporte. Midis 2018 dhe 2019, kjo përbëhej nga 12,000 ton buzëlope, boronicash dhe bimë të tjera të kërkuara nga gastronomia e huaj dhe tregjet farmaceutike.

Lule Buzët e lopëve, ose ndryshe primula veris përdoren nga kompanitë e kozmetikës për vetitë e tyre për të ruajtur tonin e lëkurës, për serume dhe maska sysh, të cilat përdoren si materiale të para dhe përbërës kryesorë për kremrat dhe produktet estetike në të gjithë botën. 

Helichrysum, e njohur si “lulja e përjetshme“, është një përbërës në serumet e natës dhe produktet e tjera të fytyrës, përvec aftësive të tjera dhe si bimë medicinale për të luftuar gjendje të tilla si alergjitë, artritet, ekzemat dhe ankthin.

Që nga fillimi i majit dhe deri në shtator, livadhet përdoren për të mbledhur lulet si dhe për kullotjen e bagëtive. Meshkujt përdorin stanet, ndërsa gratë koleksioniste nuk shkojnë aq larg sa burrat. 

Industria aromatike e bimëve në Shqipëri ofron mundësi ekonomike dhe pavarësi për gratë në këto zona të kufizuara gjeografikisht, pavarësisht faktorëve të tjerë që i shtyjnë ato në role më tradicionale.

Gratë mbledhese në këtë sektor mund të krijojnë mundësi për të patur të ardhura dhe të bëhen më të pavarura ekonomikisht nga burrat e tyre. Shumë pak nga gratë nuk janë vetëm punëtore që mbledhin bimët, por edhe vendimmarrëse në tregtimin e produktit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here