Biseda me Znj.K: Vajza që ndjen se nuk vlen

Në punën time si psikologe përballem me rrëfime të ndryshme dhe probleme që as mund ta keni menduar se egzistojnë. Është një profesion të cilin e ushtroj prej më shumë se 15 vjetësh dhe eksperienca më ndihmon sidomos me rastet e të rinjve. Sapo postuam lajmërimin mbi rubrikën e re dhe mundësinë e ndjekëseve të Mendimit që të na shkruajnë, erdhën mesazhet e para.

“Do doja një mendim në lidhje me një situatë që më shkakton tepër nervozizëm për momentin, që lidhet me faktin se shpeshherë mendoj që kam gabuar në vendimet kryesore të jetës. Jam shumë e mirë tu jap mend të tjerëve, por kur vjen rradha e vendimeve të mia, gjendem se ndërmarr hapin më të gabuar dhe që nuk do ia rekomandoja askujt nëse do më pyeste për një këshillë. Shpesh më duket se nuk arrij të bëj asgjë siç duhet, duke më krijuar pasiguri dhe perceptime negative për aftësitë e mia, e gjitha kjo më jep ndjesi depresive.

Mendoj që në këtë pikë krahasimi me bashkëmoshataret e mia dhe rrethi im është tepër ndikues për të nënvlerësuar veten, por a nuk e nënvlerësoj unë së pari veten dhe më pas me të tjerët ti japin dozën e fundit të presionit psikologjik që marr? Faleminderit nëse e lexoni dhe më jepni një mendim.”

E dashur letërshkruese anonime, në rreshtat e tu ndiej se në këtë moment je nën presionin të cilin edhe e përshkruan në mesazhin tënd. Eshtë një moment i mirë për të shkruar sespe përshkrimi është realist. Eshtë i qartë shqetësimi yt dhe brengosja që të shkakton kjo seri vendimesh të cilat ti i quan të gabuara.  Do të dëshiroja të dija më tepër për ty, si psh: moshën, profesionin, që të të jap një këshillë më të plotë dhe më të dedikuar. Gjithsesi, do flas në përgjithësi mbi çfarë të shqetëson.

Që ta dish, shumë prej nesh ndihen të nënvlerësuar gjatë gjithë ditës, çdo ditë. Ose përmes sjelljes së një eprori, ose neverisë së hapur të një kolegu, është si një shpullë e lehtë në fytyrë kur dikush e bën të qartë se nuk pret shumë nga ju. Kjo gjendje mund të luajë me ju në kaq shumë skenarë, si personalisht ashtu edhe profesionalisht. Duhet të inkurajosh veten dhe të mos presësh të ta bëjnë të tjerët. Ti je e shkëlqyeshme në punën tënde, por “portierët” refuzojnë të hapin derën për ty, të të shpërblejnë për vlerën tënde ose të pranojnë potencialin tënd. Madje, shumë habiten kur ti ia del ose merr ndonjë promovim, apo ke suksesin tënd të radhës. Ky lloj mikroagresioni mund të shkaktohet nga racizmi, gjinia, mosha, rrethanat socio-ekonomike, dallimet e personalitetit, marrëzitë konkurruese ose të gjitha bashkë, por, pavarësisht nga motivimi i dikujt, është e dhimbshme të marrësh mesazhe të tilla qoftë edhe nga miqtë apo familjarët. Dhe këta dy të fundit janë grupet që qëllojnë më fort në subkoshiencë dhe të bëjnë të ndjehesh akoma më e pamotivuar.

Kur njerëzit na nënvlerësojnë, na ngarkojnë me supozime negative që mund të destabilizojnë dhe mund të na bëjnë të pyesim aftësitë tona. Ata duan qëllimisht, ose dhe aksidentalisht, të na krijojnë traum të një identiteti vetjak. Dhe ti ndjehesh sikur nuk vlen.

Është e rëndësishme të pranosh që realiteti i situatës nuk ka të bëjë me aftësitë e tua të brendshme. Atëherë duhet ta shkundësh pak veten nga kjo situatë. Mos krijo pasiguri brenda vetes duke menduar se të tjerët janë duke të gjykuar. Do mbetesh gjithmonë rob i opinionit të tyre. Kij parasysh që jo gjithmonë vendimet ndahen në të gabuara dhe të drejta. Ndonjëherë bëjmë gjërat që na do zemra dhe pastaj na duhet të paguajmë koston e tyre. Por kjo kosto nuk është tregues domosdoshmërisht i një gabimi.

Lidhu me qëllimin tënd të brendshëm. Për momentin mund të mos mbyllësh dot një kontratë, por fakti që ti po dialogon me disa, është arritje dhe jo çdokush është në hapin tënd. Jo gjithmonë, objektivat arrihen në kohë. Merr frymë dhe rishikoi dhe njëherë hapat që more për të arritur deri aty ku ke ngecur. Këshillohu më një koleg, mik, të afërm të cilit ja vlerëson mendimin. Konsidero gjërat që mund të kontrollosh vetë. Ne nuk mund të kontrollojmë gjykimin apo sjelljen e të tjerëve, por ne mund të kontrollojmë veten, si të sillemi apo të menaxhojmë kohën tonë. Merr frymë thellë, dhe ekzamino vlerat e tua dhe çfarë ti di të bësh më mirë. Jepi vetes kurajo për aftësitë e tua.

Në punën time të parë, kam patur një menaxher, i cili më rekomandonte çdo ditë të shikohesha përpara pasqyrës dhe të mendoja vetëm për suksesin. “Fol me atë që shikon në pasqyrë, dhe mendo sot është një ditë e re, dhe thuaji vetes që sot do arrish 1, 2,3,…objektiva.” – thoshte ai. Kjo metodë funksiononte për mua. Në fakt lija cdo mendim negativ pas dhe mendoja vetëm për pjesën pozitive: Sukesin tim atë ditë!

Zgjero rrethin e njohjeve. Kjo mund të të ndihmojë të gjesh frymëzime të reja, pozitivitet të ri, dhe opinione të reja. Të jep një pikëpamje të re per çdo situatë. Kërko njerëz pozitivë dhe shoqërohu me njerëz që nuk të sjellin negativitet apo nënvlerësim, njerëz që të mbajnë nën presione të panevojshme. Shkëputi disa “tela të ndryshkur e dashur”.

Thuaji vetes çdo ditë që ti vlen për….(e di vetë ti).

Paç fat!!!

Zonja K. /mendimi.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here