Çfarë ndodhi në konfliktin e fundit Kosovë-Serbi? Fillimi dhe zgjidhja.

Pas dy ditë diskutimesh në Bruksel, Kosova dhe Serbia në 30 Shtator kanë firmosur marrëveshjen për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në profilin e tij në Twitter, i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak publikoi letrën e marrëveshjes ku shihet se Kosova dhe Beogradi kanë rënë dakord për tre pika kryesore:

1. Njësitë speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 Tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, përpara nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

2. Nga 4 Tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme.

3. Më 21 Tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda 6 muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Këtë marrëveshje e ka kritikuar opozita në Kosovë, ndërsa kryeministri Albin Kurti e ka mbrojtur këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje për targat që është arritur sot në Bruksel është identike me atë që ishte nënshkruar në vitin 2016 mes Edita Tahirit dhe Marko Gjuriq.

Në Marrëveshjen e Brukselit të arritur në vitin 2016 ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘RKS’ (Kosovë) duke hequr nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.  Targat e tilla ishin me akronimet “KM” (Mitrovica e Kosovës), “PR” (Prishtinë), “UR” (Ferizaj), “PZ” (Prizren), “GL” (Gjilan). Prishtina zyrtare i konsideronte dhe vazhdon t’i konsiderojë të paligjshme.

“Marrëveshja e sotme është marrëveshja e vitit 2016, e quajtur dikur ‘marrëveshje e turpit’ nga po këta që e riaktivizuan sot, por e degraduar, meqë rendin dhe ligjin në veri më nuk mund ta ushtrojnë institucionet e Republikës së Kosovës pa i lejuar Serbia”, ka deklaruar LDK.

“Largimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës dhe rikthimi i KFOR-it – duke marrë përsipër detyra të rendit publik dhe kontrollit të kufirit që i takojnë policisë, përbën një kthim prapa për institucionet tona të pavarura shtetërore dhe dëmton rolin kushtetues të Policisë së Kosovës. Ky zhvillim përbën një njollë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet i konsoliduar i pavarur dhe sovran.”, thuhet në reagimin e LDK.

Faktori ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të përshëndetën arritjen e marrëveshjes për targat dhe çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell shkroi se “pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve”.

“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, tha Josep Borrell.

Edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe tha se “arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon se riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”.

Cfarë ndodhi?  

Gjendja në veri të Kosovës u tensionua pas 20 Shtatorit kur Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në targa të veturave të Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se 10 vjet. Qytetarë serbë dolën në rrugë në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë duke bllokuar rrugët.

Sipas këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, veturat që hynin nga Serbia duhej të pajisjeshin me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.  Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ndërkohë që prej vitesh çdo kosovar që hynte në Serbi me veturë me targa RKS duhej të paguajë dhe të vendosë targat e përkohshme të Serbisë “Proba”, që vlenin për dy muaj dhe kushtonin 5 euro dhe më pas 3 euro.

Duhet theksuar se Kosova deri para datës 20 Shtator kur vendosi masën e recoiprocitetit, kishte kërkuar heqjen e targave “Proba” të cilat po i aplikonte Serbia, por në Beograd u refuzua kërkesa e palës kosovare.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here