Në një publikim të raportit Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Zyra për Monitorim dhe Luftim të Trafikimit të Njerëzve ka raportuar së Shqipëria nuk ka standartet minimale për të eleminuar trafikimin e njerëzve.
Pavarësisht kësaj, qeveria ka bërë përpjekjet e saj në luftën ndaj trafikut njerëzor shkruhet në raport.
Profili i Trafikimit
Siç është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktima vendase dhe të huaja në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Trafikantët shfrytëzojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë në trafikun seksual dhe punën e detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rreme si p.sh. oferta martese ose punësimi për të shfrytëzuar viktimat në trafikimin seksual.
Trafikantët zakonisht i detyrojnë fëmijët të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e sendeve të vogla. Trafikantët shfrytëzojnë fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, për punë sezonale dhe lypje të detyruar. Raporte të izoluara thanë se trafikantët shfrytëzojnë fëmijët përmes punës së detyruar në fushat e kanabisit në Shqipëri dhe disa trafikantë ka të ngjarë të përfshihen në trafikun e drogës.
Trafikantët shfrytëzojnë viktimat shqiptare në trafikimin e seksit në vende të Evropës, veçanërisht në Kosovë, Greqi, Itali, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Maqedoninë e Veriut, Norvegji, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar (MB).
Emigrantët shqiptarë që kërkojnë punësim në Evropën Perëndimore janë të cënueshëm ndaj shfrytëzimit në punë të detyruar dhe kriminalitetit të detyruar, veçanërisht në MB. Viktimat e huaja nga vendet evropiane, Gambia dhe Filipinet shfrytëzohen në trafikun seksual dhe punën e detyruar në Shqipëri. Emigrantët e Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Afrikës kalojnë tranzit nga Shqipëria për të arritur në Evropën Perëndimore dhe janë të cënueshëm ndaj trafikimit, veçanërisht fëmijëve të pashoqëruar.
Përpjekjet e Policisë së Shtetit për të kapur të dyshuarit dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar çështjet kanë qënë të vazhdueshme, por shumë pak prej tyre janë ndjekur penalisht pasi gjykatat nuk kanë funksionuar siç duhet në këtë aspekt. Ligji ka parashikuar dënime mjaft të rrepta dhe, në lidhje me trafikimin seksual, në përpjesëtim me ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, si përdhunimi. Nenet 110(a) dhe 128(b) të kodit penal kriminalizonin trafikimin seksual dhe trafikimin e punës dhe parashikonin dënime nga 8 deri në 15 vjet burgim për një vepër trafikimi që përfshin një viktimë të rritur, dhe 10 deri në 20 vjet burgim për një vepër që përfshinte një fëmijë viktimë.
Prokuroria e Përgjithshme (PP) ka hetuar 43 çështje me 16 të pandehur (25 çështje me tetë të pandehur në vitin 2019); 30 çështje me katër të pandehur për trafikim të të rriturve dhe 13 raste me 12 të pandehur për trafikim të fëmijëve. PP ka ndjekur penalisht dy raste me 12 të pandehur (tre raste me tre të pandehur në vitin 2019); një i pandehur për trafikim të të rriturve dhe njëmbëdhjetë të pandehur për trafikim të fëmijëve. Gjykatat nuk dënuan asnjë trafikant (pesë në 2019). Gjykata e apelit shqyrtoi dhe konfirmoi vendimet për tre trafikantë (tre në 2019). Qeveria pezulloi gjykatat nga marsi deri në prill 2020 për shkak të përpjekjeve për zbutjen e pandemisë dhe pezullimit të aktiviteteve kur stafi gjyqësor rezultoi pozitiv për COVID-19. PSHSH mbante një Njësi Antitrafik, e cila hetonte trafikun e personave përveç trafikut të drogës dhe kontrabandës.
Qeveria vazhdoi reformat në drejtësi që ndryshuan juridiksionin prokurorial për rastet e trafikimit; Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë juridiksion për çështjet e trafikimit të lidhura me krimin e organizuar, ndërsa gjykatat e rretheve ndoqën rastet e trafikimit pa lidhje me krimin e organizuar.
Megjithatë, GRETA, prokurorët dhe vëzhguesit e tjerë raportuan se prokurorët e rretheve nuk kishin përvojën dhe kapacitetin e specializuar për të ndjekur penalisht rastet e trafikimit me sukses. GRETA dhe vëzhguesit raportuan se autoritetet ngatërronin elementët e mbivendosur të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit dhe herë pas herë aplikonin akuzën më të vogël, sepse kërkonte më pak specializim dhe kohë ose për shkak të besimit të rremë se krimet e trafikimit kërkonin një element ndërkombëtar. Burimet e kufizuara dhe qarkullimi i vazhdueshëm brenda organeve të zbatimit të ligjit krijuan pengesa shtesë për ruajtjen e kapacitetit për të hetuar trafikimin. Qeveria, herë pas here në bashkëpunim me OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare, ka trajnuar oficerë policie, gjyqtarë, prokurorë dhe koordinatorë të viktimave për çështje të ndryshme kundër trafikimit.
Problemi i lartë i korrupsionit të zyrtarëve qeveritarë me fondet e alokuara për të nxitur reformat për parandalimin e trafikut të qënieve njerëzore në Shqipëri, ka çuar në frenimin e arritjeve qeveritare në këtë aspekt. Raportet për Shqipërinë janë negative pavarësisht së qeveria raporton se ka vazhduar përpjekjet për të parandaluar trafikimin. Problemet e shumta në raport referohen me asistencat sociale, përkthyesit, dhe mos trajnimi mbi proceset per identifikimin e viktimave, apo mungesat e një database të standardizuar.
Qeveria nuk bëri përpjekje për të rregulluar ose ndëshkuar rekrutuesit e punës për praktika të paligjshme që rrisin cenueshmërinë e migrantëve ndaj shfrytëzimit jashtë vendit thuhet më tej në raport.
Inspektorët e punës nuk kishin autoritet për të inspektuar aktivitetet e punës joformale, duke përfshirë bizneset e paregjistruara. Kuvendi miratoi ndryshime në ligjin për prokurimin publik për të skualifikuar kompanitë—përfshirë personelin administrativ, udhëheqjen ose organet mbikëqyrëse—të dënuara për trafikim ose shfrytëzim të fëmijëve nga konkurrenca për kontrata publike. Qeveria raportoi se linja telefonike e Drejtorisë së Policisë së Shtetit nuk funksionoi në vitin 2020. Qeveria nuk bëri përpjekje për të ulur kërkesën për seks komercial thuhet në raport.
Burimi: DASH