Ergys Mërtiri: Pse na gënjejnë dhe kujt i intereson paniku?

Pse na gënjejnë dhe kujt i intereson paniku?

Ergys Mërtiri

Ka një valë marrëzie të pashjegueshme në terrorin e shkaktuar nga Covid 19. Lajmet flasin për apokalips, për vdekjen që na ka zënë pritë pas porte, për një botë e cila sot ndodhet në udhëkryq e që shumë njerëz thonë se do jetë ndryshe pas kalimit të kësaj lufte.

Në fakt, të dhënat janë në përgjithësi kontradiktore, të pasakta, të përzgjedhura në mënyrë tendencioze dhe shpesh të pavërteta. Me një sy të vëmendshëm, pa alarmet e terrorit që përcjell media si imazh, duket se situata nuk është aq alarmante.

Marrim Italinë, meqë është rasti më fatkeq në këtë histori. Flitet për kolapsim të sistemit shëndetësor, për mbi 800 viktima në ditë dhe një marzh vdekshmërie në rreth 7 përqind të të prekurve nga virusi.

Përse Italia e ka vdekshmërinë kaq të lartë?

Të dhënat tregojnë se, ndryshe nga vende të tjera, si psh. Gjermania, në Itali, virusi është përhapur në mënyrë drastike në moshat e mëdha. Rreth 40 përqind e të infektuarve, rezultojnë të jenë mbi 70 vjeç, ndërsa, nëse i llogarit nga 60 vjeç e sipër bëhen rreth 60 përqind. Kjo përbën një diferencë të madhe dhe një situatë krejt të përmbysur nga Gjermania, ku kjo moshë përbën vetëm 15 përqind të të infektuarve. Nëse këtyre të dhënave i shtojmë faktin që mesatarja e të vdekurve rezulton të jetë në mbi 80 vjeç, realiteti fillon të bëhet i qartë. Italia është një rast i veçantë edhe për faktin se sëmundja është përhapur më shumë tek të moshuarit, ose të paktën ata janë më shumë të identifikuar si të prekur.

Në fakt, ky virus vret pikërisht të moshuarit dhe ata që shfaqin probleme të tjera, pulmunare, diabeti, tensioni, zemra etj. Sigurisht që kjo nuk e bën situatën joshqetësuese, por ama askush nuk na thotë dot nëse këta njerëz do të mund të vdisnin edhe nga një grip i thjeshtë stinor.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2016-2017 në Itali vdiqën rreth 25 mijë njerëz nga gripi i zakonshëm. Askush nuk u alarmua, askush nuk u mbyll në shtëpi dhe qeveria nuk nxorri ushtrinë në rrugë. Sot nuk kemi mbërritur ende në shifrën e 5 mijë njerëzve dhe vendi
është paralizuar, duke rrezikuar rrënim ekonomik.

Natyrisht, disa do të thonë se intensiteti i vdekjeve është rritur këto ditë, kurba po bëhet kërcënuese dhe shumica kanë vdekur në pak ditë, jo te shtrirë në kohë përgjatë gjithë vitit. Dakort, por sidoqoftë, ciladoqoftë shpërndarja, shifrat nuk janë në tregues apokaliptikë për të prodhuar këtë nivel paniku. Gjithsesi cdo grip e ka një kurbë të tillë dhe është normale që vdekshmëria të ketë momentet e saj të pikut.

Problemi kryesor qendron tek kapaciteti i spitaleve. Covid 19 është një sëmundje që kërkon shumë kohë për tu rehabilituar dhe kjo krijon fluks të madh të sëmurësh nëpër spitale. Por nuk është vetëm kjo. Ky fluks ndikohet shumë edhe për shkak të panikut. Kur ty të thonë 24 orë në ditë se ky virus të vret, do të mjaftojë një kollë e thjeshtë për të të bërë të fluturosh drejt spitalit. Madje ka njerëz që, për shkak të panikut, iu krijohen simptomat edhe pa qenë fare të sëmurë. Pra, më shumë se gripi vetë, problemin e krijon paniku.

Shifra duket terrorizuese: 800 të vdekur në ditë. Por Italia është një vend i madh me mbi 60 milion banorë dhe është normale që, në një ditë të zakonshme të ketë mbi 1 mijë vdekje nga sëmundje, aksidente apo rrethana të ndryshme (thuhet madje se kjo shifër shkon deri në 1800 njerëz në ditë). Disa mund të thonë se ky krahasim nuk vlen pasi, nëse llogarit zonat ku ka rënë sëmundja shifra e të vdekurve nga Koronavirusi është shumë më e lartë se mesatarja ditore e vdekjeve të tjera. Në fakt, të marrësh për model zonat e nxehta nuk është një kampionim i mirë, pasi rastet e veçanta nuk na e tregojnë dot rregullin. Nga ana tjetër, sëmundja krijon rrjedhën e vet të përhapjes, dhe nuk mund ta kufizosh në zona të caktuara. Nëse, hamendësojmë se ajo përhapet në të njëjtën mënyrë kudo, atëherë kurba do të bjerë në një qytet, për tu rritur në një tjetër dhe piku i saj do të zhvendoset nga një vend në tjetrin. Në thelb, numri i përgjithshëm i vdekjeve do të llogaritet për numrin total të popullsisë.

Patjetër, është e domosdoshme të kemi kufizim të lëvizjeve dhe kontakteve, në mënyrë që ti krijojmë mundesinë sëmundjes të perhapet duke u shtrirë në kohë, për të zgjidhur problemin që kemi me sistemin tonë shëndetësor, i cili nuk ka kapacitetet e duhura për të përballuar fluks të madh pacientësh. Kjo është një prej mjeteve që ndihmojnë përballimin e sëmundjes, por jo i vetmi mjet, siç na thonë (mjeti më i rëndësishëm është testimi dhe gjurmimi i pacientëve të infektuar, nëpërmjet hetimeve, si në Korenë e Jugut, e cila e kaloi situatën pa karantinë masive). Por pavarësisht kësaj, pyetja shtrohet, deri në ç’nivel duhet të bëhet kjo? A është e udhës të shkatërrojmë ekonominë, kur, për më tepër, askush nuk na thotë realisht se deri në ç’nivel shpëtojmë jetë nëpërmjet izolimit?

Një tjetër pyetje që nuk na e thonë statistikat italiane, përvec asaj se sa prej të vdekurve të sotëm do të vdisnin edhe me një grip stinor të thjeshtë, është edhe pyetja: Sa prej tyre do të shpëtonin, nese nuk do të kishte këtë fluks që ka sot nëpër spitale?

E shtroj këtë pyetje sepse, siç thonë virologët, rreth 70-80 përqind prej nesh do ta kalojnë këtë sëmundje, pasi, ajo do të përhapet aq sa popullata të fitojë imunitet. Karantina nuk e shmang, vetëm e vonon. Raportet britanike thonë se e gjithë kjo mund të vazhdojë deri në verën e vitit 2021.

Propaganda na e sjell problemin sikur, po ndërpremë kontaktet shpëtuam. Në fakt, nuk është kështu. Një ditë do të dalim nga shtëpitë dhe do infektohemi, nëse sëmundja nuk ka e përfunduar procesin e imunizimit. Cështja është vetëm, të infektohemi me rradhë. Por, sido që të jetë, virusi do ti marrë disa prej nesh. Diferencën sesa do marrë, nëse heqim karantinën, nuk na e thotë askush dhe askush nuk po na tregon se për cilat kosto po shkatërrojmë ekonominë.

Më shumë sesa në spitale, kjo sëmundje po trajtohet në media. Fillimisht, vende si SHBA, Angli, e të tjerë, e trajtuan krejt normalisht duke thënë se nuk ka nevojë për masa shtrënguese. Por, më pas, të detyruar nga paniku i popullsisë dhe presionet politike, u detyruan të gjithë të bëjnë hapa mbrapsht. Anglezët, gjithsesi po i mbijetojnë deri diku presionit, ndërsa në shumë vende të tjera, si Gjermania, Austria etj, masat janë marrë, por jo aq shtrënguese sa në Itali, Spanjë apo Francë. Gjithsesi, ka ende shumë njerëz, intelektualë, profesorë, staticienë, mjekë etj. që kanë një qasje tjetër për gjithçka që po ndodh dhe ky është një zë që duhet dëgjuar.

E gjithë kjo tregon se, më shumë sesa me një sëmundje virale, jemi në luftë me psikologjinë e turmave, të panikuara nga media. Është një luftë me veten si viktima të çmendurisë publike që prodhon kjo mënyrë komunikimi. Më shumë se statistikat, publiku verbohet nga imazhi. Janë autokolonat e ushtrisë italiane me trupat e të vdekurve që krijojnë efekt, dhe jo krahasimet e shifrave. Në fakt, të vdekurit transportohen nga ushtria, jo se nuk ka varre, jo se janë aq shumë sa nuk menaxhohen dot, por sepse rregullat e vendosura nga qeveria detyrojnë djegien e trupave në kremator dhe më pas shpërndarjen e hirit tek të afërmit për tu varrosur. Por gjithsesi, imazhi të mbërthen dhe përballë tij, ti je pa fjalë dhe pa mend për të gjykuar në mënyrë racionale.

Shqipëria është vërtet një vend me një sistem shëndetësor për të ardhur keq. Në këto kushte duhet patjetër të marrim masa shtrënguese, ndoshta edhe më të rrepta se të tjerët. Duhet patjetër të kemi izolim social dhe distancë fizike ndërmjet individëve dhe askush nuk e kundërshton këtë. Por a duhet të ketë një debat se deri ku duhet të shkojë kjo, për të ruajtur aq sa mundemi nga kjo ekonomi, edhe kështu e varfër, siç është?

Mbi të gjitha duhet të bindemi se nuk ka arsye për panik, sado që të çirret e të ulërasë kryeministri, e sado falsifikime e shtrembërime faktesh të përdorë për të terrorizuar njerëzit. Sëmundja nuk është një apokalips dhe kjo luftë, më shumë sesa një kërcënim ndaj popullsisë, është një betejë e politikës, për të trembur njerëzit, që të mos kërkojnë shumë koncensione ekonomike për kompensim.

Beteja e qeverisë nuk është në realitet me ndonjë armik mikroskopik që dëmton shëndetin e popullatës, por është e tillë siç ka qenë gjithmonë, me qytetarin dhe pretendimet e pakënaqësitë e tij ndaj pushtetit. Për rrjedhojë, fitorja e qeverisë nuk është shëndeti i njerëzve, por frikësimi i tyre, për të mos kërkuar më shumë se buka e thatë, në kushtet kur kriza ekonomike që po vjen, nuk po trajtohet aspak me vëmendjen e duhur. Frika është instrumenti për të mbytur arsyen, të vetmit armik të cilit i druhet një pushtet i korruptuar.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here