Indrit Vokshi, anëtar i rizgjedhur i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 17 Korrikut, ka reaguar sot me një koment për listën e re të Këshillit Kombëtar. Indrit Vokshi është shpesh kritik me PD, por duket se ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për tu rizgjedhur. Ai vijon me kritikën e tij, me satusin e publikuar sot në facebook. Ai shkruan:
“Janë lënë jashtë Këshillit, njerëz me kontribut disa vjeçar. Njerëz të cilët kanë refuzuar oferta në mijëra euro nga armiku i demokratëve. Njerëz të formuar gjithashtu.
Ndërkohë janë futur në Këshill, njerëz të cilët kanë blerë vota për llogari të partive të tjera, kundër PD-së. Njerëz që kanë shitur votat e PD-së. Njerëz pa gram formimi. Njerëz të cilët ecin me moton “Të jemi aty, se kuidihet, kapim ndonjë gjë”. Pa e ditur se me qenien aty, nuk kapet asgjë. Pasi politika bëhet tjetërkund.
Po a merr vendime Këshilli? Pra a bëjnë dëm këta? Jo. Një herë të vetme të bëhemi të sinqert. Vendimet merren o në shtëpi, o në restorant ose edhe gjatë pushimeve. Në parti thjesht legalizohen formalisht. Po atëherë çfarë pune prish qenia e tyre në Këshill, kur nuk marrin vendime?
Prish punë tek mesazhi. Mesazhi që u jepet njerëzve është ky: përzgjidhet ai që të shet, përzgjidhet ai që ka blerë vota kudnër PD-së, përzgjidhet ai që nuk ka asnjë formim e prezencë politike. Po të ishte se këta ngrenë peshë politikisht, hajt po i pranonim, se na duhet maksimalizimi i votës. Mirëpo asnjë peshë nuk ngrenë. Atëherë pse?
Mesazhi tjetër i lidhur me të parin është ky: nuk promovohet besniku. Nuk promovohet ai i cili nuk ka pranuar oferta. Nuk promovohet ai i cili ka mbrojtur PD-në. Nuk promovohet ai që ka formim dhe prezencë. Kjo ka dekurajuar e vazhdon të dekurajojë mijëra demokratë në të gjithë Shqipërinë.
Të mos keqkuptohemi; ka në atë Këshill demokratë prej vërteti, shqiptarë me shkronja kapitale. Por shkruaj për një kontigjent tjetër njerëzish.
Kuvendi Kombëtar ishte mundësi për të dhënë një mesazh në Shqipëri. Sado idiotësi të bëhen, njeriu ka aftësinë për tu penduar, ka aftësinë për tu vetëdijësuar. Ia ka falur Zoti. A e keni parë? Disa kriminelë, papritur, nisin lexojnë Bibël e Kuran, ndërrojnë rrugë, pendohen.
Mund të them vetëm diçka: kjo ka për t’i kushtuar shtrenjt PD-së. Formula “Hë se ikin dhe afrohen prapë, sapo të afrohen zgjedhjet”, ka marrë fund si formulë. Nuk vlen më. Do afrohen pak syresh. Jo mjaftueshëm.
Janë lënduar dhe fyer shumë demokratë në të gjithë Shqipërinë. Po t’i kishin zëvëndësuar me më të aftë se ata, me më kontributorë se ata, me më besnikë se ata, sdo lëndoheshin aq shumë. Janë lënduar dhe fyer sepse i kanë zëvëndësuar me një kontigjent maskarenjsh, tradhëtarësh, spiunësh dhe njerëzish pa asnjë kontribut e pa asnjë vlerë.”
Dënimi më i rëndë është kur të dënojnë me harresë, shpërfillje dhe tallje. Jo me burg.