Kina: Jemi të gatshëm për çdo lloj lufte me SHBA-të

Kina ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se është e gatshme të luftojë “çdo lloj lufte” pas kundërveprimeve ndaj tarifave të reja të vendosura nga presidenti Donald Trump. Dy ekonomitë më të mëdha në botë po afrohen gjithnjë e më shumë drejt një lufte tregtare, pasi SHBA ka vendosur tarifa të reja mbi të gjitha mallrat kineze, ndërsa Kina ka reaguar menjëherë me tarifa prej 10-15% mbi produktet bujqësore amerikane.

Nëse SHBA do luftë, qoftë ajo luftë tarifash, luftë tregtare apo çfarëdo lloj lufte, ne jemi gati të luftojmë deri në fund,” thuhet në një deklaratë të ambasadës kineze në rrjetin social X, duke cituar një deklaratë të qeverisë kineze.

Kjo është një nga deklaratat më të forta që Kina ka bërë ndaj administratës Trump dhe vjen në prag të Kongresit Kombëtar Popullor në Pekin. Kryeministri Li Qiang ka shpallur rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen me 7.2% për këtë vit, duke paralajmëruar ndryshime të reja në botë që po ndodhin me ritme të shpejta.

Pavarësisht presionit të tarifave amerikane, Kina synon të dërgojë një mesazh stabiliteti për popullin e saj, duke theksuar se ekonomia kineze mund të vazhdojë të rritet. Pekini ka theksuar vazhdimisht se synon të paraqitet si një fuqi paqësore, në kundërshtim me SHBA-në, që vazhdon të jetë e përshirë në konflikte në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Kina gjithashtu mund të përpiqet të përfitojë nga veprimet e Trump kundrejt aleatëve të tij, si Kanadaja dhe Meksika, të cilët gjithashtu janë prekur nga tarifat. Megjithatë, ajo nuk dëshiron të përshkallëzojë retorikën e saj, për të mos larguar partnerët potencialë të rinj tregtarë.

Gjatë vitit të kaluar, presidenti Xi Jinping ka theksuar nevojën për të forcuar gatishmërinë ushtarake, veçanërisht me stërvitjet që kanë zhvilluar rreth Tajvanit. Megjithatë, një gjë është të jesh i përgatitur për luftë dhe një gjë tjetër të jesh gati për ta nisur atë.

Një pikë tjetër tensioni mes dy vendeve ka qenë dhe akuzat e SHBA ndaj Kinës për ndihmën e saj në krizën e fentanilit. Ministria e Jashtme kineze ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar ato si një justifikim të dobët për tarifat e reja.

Marrëdhënia SHBA-Kinë mbetet një nga më të ndërlikuarat në botë. Ky zhvillim i fundit mund të shërbejë si një argument i fortë për ata në administratën Trump që e shohin Pekinin si kërcënimin kryesor të politikës së jashtme dhe ekonomike amerikane.

Megjithëse ka pasur shenja shprese për një marrëdhënie më të qetë, përfshirë dhe një telefonatë miqësore mes Trump dhe Xi para inaugurimit të tij, tensionet janë rritur ndjeshëm. Kina vazhdon të përpiqet të zbusë ndikimin e tarifave me plane të reja investimesh dhe me rritjen e shpenzimeve ushtarake për të forcuar pozitën e saj globale.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here