Koha e qenit – nga Indrit Vokshi

Dikur, mbaj mend, takoheshin gra të reja pa njohje me njëra-tjetrën, secila me fëmijë të vogël, ia shihnin njëra-tjetrës fëmijën përdore ose në krah dhe thonin “Marshallah, sa muajsh e ke, si dritë, ta ruajttë Zoti”. Me raste nisnin gratë hynin në muhabet, kush je, prej nga je, ku je martuar, krijonin miqësira. Nisnin analizat, sa kile ka lindur fëmija, andrrallat e problemet, ha apo nuk ha, u sëmur apo jo, nisnin krahasimet me kunata apo motra dhe historitë e tyre me fëmijët.

Sot futen në bar-kafe, secila tavolinë ka qenin e vet. Shkon qeni tek tavolina tjetër, takohet me qenin e asaj tavoline. Pronarja i turret pas, shkon kap qenin e saj në krah, e qetëson, “jo t’i lehësh atij ti mami, jeni vëllezër“. Nis muhabeti mes grave, “zemra sa i mirë, kur ishte dy muajsh kështu ka vepruar, është shumë tekanjoz; po që nuk ha, nuk ha moj, ka naze, e do t’ia japësh ushqimin me lugë dhe vetëm nga dora ime e pranon, nuk ha nga tjetër dorë”.

“Po nga ka ngjarë qeni, nga ju apo nga njerëzit e burrit? Nga ne, nga ne, s’janë aq të mirë fisi i burrit. Po na lodhi pak të them të drejtën, ngrihet natën leh nëpër shpi, kërkon diçka, janë të zgjuar qentë sot, lindin me shkollë, jo si qentë e dikurshëm. Fëmijë ke? Jo jo, po si fëmijë e kemi ketë. Kemi parë në internet mund të marrim edhe një tjetër e të plotësohemi tamam.”

Himnizimi i qenit në shoqëri është i frikshëm aq sa i shëmtuar. Qeni ka vendin e vet në botë pasi i ka krijuar vetë Zoti. Ka pasur kultura pagane në të cilat qentë, lopët, demat e lloj-lloj kafshësh, janë “hyjnizuar“. Mirëpo është quajtur degradim i mendjes njerëzore dhe është dashur korigjim. Sot as korigjim nuk mundesh të bësh pasi hyjnizimi i qenit bëhet në emër të modernitetit dhe civilizimit.

Qeni pra i ndan gjërat, hyjnizon qenin, je i civilizuar e modern. Nëse hyjnizon pleqtë, paraardhësit, familjen, fëmijën dhe i vë ata në maje të hierarkisë, je disi i prapambetur sepse je me të vjetrën, pasi kështu veprohej para 500 vjetësh. Duhet të zbatosh “kalendarin” modern dhe sipas këtij kalendari është kjo kronologji, ndërsa pleqtë, familjarët, shtëpia, familja, janë koha e mëparshme, jo e sotmja.

E sotmja është koha e qenit.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here