Kosova sanksionon individë dhe kompani të lidhura me Hezbollah

Shtatë individë dhe një kompani e lidhur me grupin terrorist islamik Hezbollah janë vënë nën sanksione nga qeveria e Kosovës pas një vendimi të marrë nga administrata amerikane muajin e kaluar.

Vendimi, i marrë nga autoritetet e Prishtinës të mërkurën, u publikua në faqen e internetit të qeverisë të enjten. Aty thuhet se Kosova po zbaton sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara në përputhje me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sanksionet ndërkombëtare, të miratuar në shtator 2001, disa javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington DC shkruan për BIRN Përparim Isufi.

Sipas vendimit, shtatë persona të lidhur me Hezbollah dhe kompaninë AlDar Properties janë sanksionuar “për të parandaluar financimin e aktiviteteve terroriste dhe për të ngrirë pasurinë financiare të organizatës terroriste Hezbollah apo mbështetësve të tyre në Kosovë”.

Të shtatë individët, Ali Reda Hassan-Banai, Ali Red al-Qassabi Lari, Abd al-Muayyid al-Banai, Abd al-Rahman Abd al-Nabi Shams, Jahya Muhammed al-Abd-al-Muhsin, Majdi Fa’iz al-Ustadz dhe Sulaiman al-Banai u shpallën terroristë globalë sipas një Urdhri Ekzekutiv të nënshkruar në vitin 2001 nga Presidenti i atëhershëm i SHBA-së George W. Bush thuhet më tej në artikull.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të tyre në Kosovë, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e individëve dhe subjekteve kosovare që t’u dërgojnë fonde direkte ose indirekte atyre. Kompania e listuar në sanksione, AlDar Properties me bazë në Katar, sipas vendimit, është deklaruar si “e kontrolluar drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Sulaiman al-Banai”.

Në shtator të vitit 2020, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nënshkruan të ndarë nën kujdesin e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, kryesisht për “normalizimin ekonomik”, por edhe për tema politike dhe të sigurisë.

“Të dyja palët zotohen të caktojnë Hezbollahun në tërësinë e tij si organizatë terroriste dhe të zbatojnë plotësisht masat për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hezbollahut në juridiksionet e tyre”, thuhet në një dokument që Kryeministri i Kosovës e ka nënshkruar.

Hezbollah është një organizatë militante Shia Musim me bazë në Liban e cila është cilësuar një grup terrorist nga BE, SHBA dhe shumica e anëtarëve të Ligës Arabe, por jo nga Libani apo Rusia.

Burimi: BIRN

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here