Kostoja e jetesës në Rusi është rritur me më shumë se 14%

Kostoja e jetesës në Rusi është rritur pas pushtimit të Ukrainës, sipas të dhënave të reja.
Shifrat zyrtare tregojnë se çmimet e disa prej produkteve kryesore të shportës – si sheqeri – janë rritur me 14% gjatë javës së kaluar.
Inflacioni do të vazhdojë të rritet në Rusi, ku rubla ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Vlera e monedhës ka rënë rreth 22% këtë vit dhe kjo ka rritur koston e importit të mallrave.
Të mërkurën, ministria e ekonomisë në Rusi tha se inflacioni vjetor ishte rritur me 14.5% – norma më e lartë që nga fundi i vitit 2015.
Shërbimi Federal i Statistikave të Shtetit tha se kostoja e sheqerit u rrit me 37.1% në rajone të caktuara të vendit dhe u rrit mesatarisht me 14%.
Sheqeri, i cili përdoret zakonisht për të ruajtur ushqimin ose për të bërë pije alkoolike, ishte produkti me çmimin më të rritur gjatë javës.
Çmimi i qepëve ishte rritja e dytë më e madhe, me 13.7% në shkallë vendi dhe 40.4% në disa zona.
Ndërkohë pelenat ishin 4.4% më të shtrenjta.
Çmimi e çajit të zi u rrit me 4% dhe letrës higjienike u rrit me 3%.
Stephen Innes, partner menaxhues në SPI Asset Management, tha se çmimet ishin më të larta për shkak të fuqisë së dobët blerëse të rublës.
Fajtori më i madh është inflacioni i importuar”, tha zoti Innes për BBC.  “Çdo gjë që importon Rusia është në mënyrë eksponenciale (më e shtrenjtë) për shkak të rublës e cila është e pafuqishme.”
Videot në mediat sociale tregojnë blerësit që përpiqen të blejnë sheqer dhe hikërror në supermarketet në Moskë.
Zv/kryeministrja Viktoria Abramchenko u ka thënë rusëve se vendi ka “mjaftueshëm rezerva kur bëhet fjalë për sheqerin dhe hikërrorin“.
Nuk ka nevojë për panik. Ka mjaftueshëm për të gjithë,” tha ajo.
Por disa rusë i thanë BBC-së se po e ndjejnë “shtrëngimin“.
Ksenia Mironiuk tha se çmimi i shumë mallrave bazë ishte “rritur në mënyrë dramatike” në Shën Petersburg.
Tashmë është mjaft e dukshme kur shkon për pazar,” tha ajo.  “Shumë njerëz po i blejnë produktet me shumicë nga frika se do të zhduken fare.”
Merkutsio Anzhello, i cili jeton në qytetin jugor të Krasnodarit, tha se prodhimet kryesore tani kushtojnë 10 deri në 20% më shumë.
Por ai tha se nuk ishte shumë i shqetësuar: “Në përgjithësi, as unë dhe as të afërmit e mi nuk jemi të shqetësuar për këtë. Çmimet në Rusi rriten ndonjëherë dhe ne jemi mësuar me këtë.”
Burimi: BBC
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here