KQZ nuk regjistron PD-në në zgjedhjet e 14 majit

Partia Demokratike nuk do të regjistrohet si subjekt elektoral në zgjedhjet e 14 Majit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk e ka cilësuar si të vlefshëm ligjërisht autorizimin që Lulzim Basha i lëshoi pas dorëheqjes Enkelejd Alibeajt, për të drejtuar partinë.

Celibashi argumenton se nuk ka asnjë hapësire ligjore për të interpretuar Kodin Zgjedhor ku përcaktohet qartë se për regjistrimin e një force politike në zgjedhje kërkohet domosdoshmërisht firma e kryetarit të subjektit zgjedhor për deklaratën solemne.

Duke debatuar me përfaqësuesin ligjor të grupimit të Alibeajt, Celibashi duke pranuar si akt publik të mirënjohur dorëheqjen e Bashës, ngriti pikëpyetjen përse nuk është depozituar në gjykatë akti i dorëheqjes.

Por përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa, jashtë godinës së KQZ-së argumenton se firma e Lulzim Bashës për autorizimin siç kërkon ligji ishte nul pas aktit të dorëheqjes.

Ndërsa në komunikimin me gazetarët, Celibashi shprehu keqardhje që ishte i detyruar që të merrte një vendim me kosto kaq të lartë për Partinë Demokratike, por ai siguron se është bazuar vetëm në ligj dhe s’ka qenë as i shantazhuar, as i përdorur nga politika.

Celibashi në vendimin e tij la pa regjistruar edhe Partinë Demokratike e përfaqësuar nga Sali Berisha, me argumentimin se nuk njihej ligjërisht nga gjykata. Ky vendim pritet të ankimohet dhe të kalojë sërish për shqyrtim te Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ, si shkallë e parë. Nëse palët janë të pakënaqura mund t’i drejtohen shkallës fundore, Kolegjit Zgjedhor.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here