Gazetari Mentor Kikia ka reaguar ndaj Ministres së Arsimit Besa Shahini, i revoltuar nga fakti se ministrja iu drejtua maturantëve si të nxitur nga opozita.
“Një replikë e detyruar me ministren e arsimit
Zonja ministre!
Gjëja më e rëndësishme që ju thatë sot, në reagimin tuaj për çështjen e tezes së provimit Gjuhë & Letërsi, ishte se, të premten në protestë kishte edhe studentë, të nxitur nga partitë e opozitës.
Ta zëmë se kishte edhe nga këta studentë, dhe ka patur, pasi partitë s’lënë vend pa futur duart. E çfarë pastaj? Ta zëmë se aty kishte edhe ca prindër socialistë. Ta zëmë se kishte edhe ca burra e gra nga unaza e re. Edhe ca minatorë, edhe ca shofera furgoni….
Çështja nuk është kush protestoi aty, por a kanë të drejtë maturantët apo jo? Kësaj pyetje ju nuk i dhatë përgjigje. Ose nuk e dini as ju se “çfarë dreqin bëri ai Turi”, ose sepse nuk ju intereson. Dhe atëherë bëtë gjënë më të lehtë, i vutë një mbiemër “politike” protestës dhe mbaruat punë.
Jo zonjë!
Aty mund të isha edhe unë, që s’jam as maturant, as prind maturanti, as i PD-së, as i PS-së as i LSI-së. Unë nuk jam specialist arsimi, por kam dëgjuar e lexuar mjaftueshëm këto ditë mendimet e ca njerëzve që janë ajka e mësuesisë, për të cilët mendoj se janë shumë herë më të mirë se burrokratët e zyrave që vetë-emërtohen ekspertë.
Dhe këta mësuesit me thinja, mendojnë se ajo tezë nuk bën. Është përkthyer copa-copa, ashtu siç ne përkthejmë ligje, platforma, strategjira, tekste librash dhe dreqin me të birin bashkë. Ju nuk e dini, por këtu u kanë vënë para nxënësve libra edukate, ku për ti mësuar trafikun rrogur, polici në foto ishte aziatik, ndërsa vijat e bardha tregonin rrugë në Nju Jork.
Edhe sikur asnjë maturant të mos dilte në protestë, do të mjaftonte ky reagim publik që ju të uleshit seriozisht për ta parë këtë tezë, me njerëz që ju siguroj që janë më të aftë se ata që i kanë hartuar ato teza, për të sqaruar nëse kanë apo jo të drejtë maturantët në këtë pretendim.
Dhe e fundit zonja ministre:
Ata të rinj që janë sot në rrugë, provimin më të rëndësishëm nuk kanë Gjuhën dhe Letërsinë, as Matematikën apo Anglishten. Provimi më i madh është lufta për të drejtën dhe të vërtetën. Para se ti mësojmë fëmijët të na bëhen inxhinierë apo mësues, ne duhet ti mësojmë të bëhen njerëz krenarë, të lirë, të drejtë, njerëz me karakter, që nuk nënshtrohen, që nuk bëjnë kompromise më të keqen dhe të pavërtetën. Duhet ti mësojmë që të luftojmë deri në fund për të drejtën e tyre.
Nëse ata kanë të drejtë, askush nuk duhet të turpërohet të thotë:
Po, ju keni të drejtë!
Ky nuk do të ishte dështimi juaj dhe as fitorja e tyre, por do të ishte provimi më i rëndësishëm i jetës për një gjeneratë, që ne duam të jetë më e mirë se ne.”