Një studim i ri sugjeron se koha e pirjes së kafes gjatë ditës mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në përfitimet shëndetësore të saj.
Hulumtuesit nga Universiteti Tulane kanë zbuluar se pirja e kafes në mëngjes sjell më shumë përfitime sesa shpërndarja e konsumit të saj gjatë gjithë ditës. Studimi përfshiu mbi 40,000 të rritur në SHBA, të cilët u monitoruan për rreth një dekadë.
Gjetjet treguan dy modele të ndryshme të konsumimit të kafes: 36% e pjesëmarrësve pinin kafe para mesditës, ndërsa 14% e tyre konsumonin kafe gjatë gjithë ditës. Studiuesit zbuluan se ata që pinin kafe në mëngjes kishin 16% më pak gjasa të vdisnin nga shkaqe të ndryshme dhe 31% më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet e zemrës, krahasuar me ata që nuk konsumonin fare kafe. Nga ana tjetër, pirja e kafes gjatë gjithë ditës nuk tregoi ndonjë ulje të rrezikut për vdekshmëri.
Sipas profesor Thomas Luuscher nga Londra, pirja e kafes në mbrëmje mund të ndikojë negativisht në ritmet e gjumit, duke rritur faktorët e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare. “Tashmë ka dëshmi të forta se pirja e kafes në mëngjes është e shëndetshme. Pra, pijeni kafen tuaj, por bëjeni këtë në mëngjes,” tha ai.
Pavarësisht nëse konsumohet me kafeinë apo pa kafeinë, koha e pirjes mbetet faktor kyç. Studiuesit sugjerojnë se pirja e kafes më vonë gjatë ditës mund të prishë ritmet cirkadiane, duke ndikuar negativisht në shëndet.