A e dini se dieta ketogjenike ka një numër të konsiderueshëm të përfitimeve shëndetësore që janë studiuar me interes nga ekspertët e fushës? Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me një dietë e cila na ndihmon të humbasim peshë, por në fakt kur u krijua fillimisht, u dizenjua si një mënyrë për të ndihmuar në kontrollin e epilepsisë te fëmijët të cilët nuk përgjigjeshin mirë ndaj tipeve të tjera të terapive.
Nëse ju keni probleme shëndetësore dhe dëshironi të provoni dietën ketogjenike për ta menaxhuar më mirë problemin, flisni me doktorin tuaj fillimisht, sidomos nëse jeni duke u kuruar me medikamente.
Edhe pse dieta KETO ka pasur një numër të madh përfitimesh dhe ka ndihmuar një numër të madh njerëzish të rifitojnë kontrollin e shëndetit të tyre dhe ta përmirësojnë atë, një ndryshim i madh në dietë mund të ketë një impakt akoma më të madh në shëndetin tuaj dhe në mënyrën se si medikamentet ndikojnë te ju. Vetëm mjeku juaj i di rrethanat tuaja specifike dhe rreziqet, dhe vetëm ai është në gjendje t’ju këshillojë në rrugën e duhur.
Por le të shikojmë disa probleme shëndetësore të cilat janë afektuar pozitivisht nga dieta ketogjenike. Duke qenë se nuk do doja t’ju mërzisja me një temë të gjatë, kam vendosur që pjesët e përfitimeve t’i ndaj në disa postime nga ku ju mund të lexoni atë që ju duhet më së shumti. Le ta nisim me obezitetin.
Obeziteti
Dieta ketogjenike mund të jetë shumë ndihmuese në humbjen e peshës dhe deri më tani është një nga dietat më të mira për të humbur masë dhjamore. Efektiviteti i dietës lidhet me faktin se ajo mund të kontrollojë urinë dhe oreksin, dhe të përqendrohet në dhënien e aksesit të dhjamit të depozituar.
Obeziteti është kthyer në një shqetësim serioz për shumë njerëz në mbarë botën dhe ka një korrelacion pozitiv me mundësinë e lartë për të zhvilluar një problem me zemrën, diabet tipi 2, hipertension, probleme me artikulacionet, probleme me frymëmarrjen (apnea e gjumit sidomos, kur frymëmarrja fillon dhe pushon gjatë kohës që jemi në gjumë), dhe madje dhe një probabilitet të lartë për disa tipe kanceri.
Dieta ketogjenike, por në fakt, çdo lloj diete, nuk është një plumb magjik që do t’ju shkrijë dhjamin dhe do t’ju mbajë të dobët për gjithë jetën pa përpjekje apo përkushtim nga ana juaj. Ama, dieta ketogjenike mund t’ju ndihmojë të mbani veten në formë dhe të keni një indeks BMI-je normale në terma afatgjatë. Për më tepër, do t’ju mësojë më shumë mbi ushqime të ndryshme dhe do t’ju ndihmojë të bëni zgjedhjet e duhura.