Përfitimet shëndetësore të dietës ketogjenike mbi PCOS (sindroma e ovarit policistik)

A e dini se dieta ketogjenike ka një numër të konsiderueshëm të përfitimeve shëndetësore që janë studiuar me interes nga ekspertët e fushës? Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me një dietë e cila na ndihmon të humbasim peshë, por në fakt kur u krijua fillimisht, u dizenjua si një mënyrë për të ndihmuar në kontrollin e epilepsisë te fëmijët të cilët nuk përgjigjeshin mirë ndaj tipeve të tjera të terapive.

Nëse ju keni probleme shëndetësore dhe dëshironi të provoni dietën ketogjenike për ta menaxhuar më mirë problemin, flisni me doktorin tuaj fillimisht, sidomos nëse jeni duke u kuruar me medikamente.

Edhe pse dieta KETO ka pasur një numër të madh përfitimesh dhe ka ndihmuar një numër të madh njerëzish të rifitojnë kontrollin e shëndetit të tyre dhe ta përmirësojnë atë, një ndryshim i madh në dietë mund të ketë një impakt akoma më të madh në shëndetin tuaj dhe në mënyrën se si medikamentet ndikojnë te ju. Vetëm mjeku juaj i di rrethanat tuaja specifike dhe rreziqet, dhe vetëm ai është në gjendje t’ju këshillojë në rrugën e duhur.

Por le të shikojmë disa probleme shëndetësore të cilat janë afektuar pozitivisht nga dieta ketogjenike. Duke qenë se nuk do doja t’ju mërzisja me një temë të gjatë, kam vendosur që pjesët e përfitimeve t’i ndaj në disa postime nga ku ju mund të lexoni atë që ju duhet më së shumti. E nisëm me obezitetin, dhe do vazhdojmë me PCOS (sindroma e ovarit policistik).

PCOS

Gratë që vuajnë nga PCOS (sindroma e ovarit policistik) kanë shumë probleme me humbjen e peshës, për shkak të çrregullimit të tyre hormonal, gjë që çon në uri dhe një metabolizëm më të ngadaltë. Për këtë arsye, shpesh, këto gra e gjejnë veten duke u hedhur nga një dietë në tjetrën, por pa pasur kurrë sukses. Dieta ketogjenike mund të jetë shumë efektive në menaxhimin e simptomave të PCOS dhe në humbje peshe.

Komplikimet e PCOS përfshijnë infertilitetin, obezitetin, problemet me zemrën dhe zhvillimin e diabetit tipi 2 përgjatë jetës. Menaxhimi me sukses i kësaj sëmundjeje është esencial për minimizimin e këtyre rreziqeve dhe më pas të gëzuarit e një shëndeti stabël në afatgjatë.

Nëse po vuani nga PCOS, ndjekja e një diete ketogjenike mund të përmirësojë në mënyrë domethënëse shanset tuaja për mbajtjen nën kontroll të këtyre simptomave, normalizimin e ciklit tuaj të periodave dhe madje edhe të mbeturit shtatzanë. Ka shumë histori suksesi të grave që vuajnë nga PCOS dhe kanë pasur probleme të ngelin shtatzanë.

PCOS dhe rezistenca e insulinës janë shumë të lidhura me njëra – tjetrën, madje shpesh rezistenca e insulinës është një nga faktorët që kontribuon në zhvillimin e PCOS. Duke përmirësuar sensitivitetin ndaj insulinës, mund të ndihmoni trupin tuaj të menaxhojë efektet e PCOS.

Studimet rreth PCOS dhe KETO-s, edhe pse janë të limituara, tregojnë rezultate shumë pozitive. Një dietë ketogjenike mund të ulë përqindjen e testosteroneve të lira dhe të ndihmojë në humbjen e peshës, ndërkohë që në të njëjtën kohë ul nivelin e insulinës tek gratë mbipeshë që vuajnë nga PCOS.

Nëse ju ngeleni shtatzanë teksa ndiqni një dietë strikte ketogjenike, është ide e mirë të shkoni drejt një diete me karbohidrate të ulëta gjatë shtatzanisë, sidomos nëse shumë ushqime nuk ju pëlqejnë më dhe nuk i konsumoni dot. Kërkimet mbi dietën ketogjenike gjatë shtatzanisë janë të limituara.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here