Pijetorja më e vjetër në Angli, ndoshta 1.229 vjeç, mbyll dyert për shkak të vështirësive të koronavirusit

Ye Olde Fighting Cocks u ka mbijetuar luftërave civile dhe botërore, urisë dhe përhapjes së murtajës bubonike

Pijetorja Ye Olde Fighting Cocks në Shën Alban i ka parë të gjitha: që kur tulla e saj e parë u vendos, rreth vitit 793, pranë rrënojave romake të qytetit, shumë më përpara se Mbretëria e Bashkuar të formohej, i ka mbijetuar luftërave civile dhe botërore, urisë dhe përhapjes së murtajës bubonike.

Por vështirësitë e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit po e detyrojnë pijetoren – e cila dikur mbante titullin e rekordeve botërore Guinness si më e vjetra e Anglisë, megjithëse të tjerët e kundërshtonin këtë fakt – të mbyllë dyert.

Christo Tofalli, i cili mori përsipër dhënien me qira të pijetores në 2012, i tha The Washington Post se pandemia dhe kufizimet e qeverisë për shëndetin publik e shtrydhën biznesin e tij, derisa ai nuk mund të përmbushte më detyrimet e tij financiare.

Falimentimi i saj e lë Mitchells & Butlers, e cila zotëron pijetoren, të hapur për të kërkuar një menaxher të ri për biznesin e vjetër, ndoshta më shumë se 1200-vjeçar.

Sezoni i Krishtlindjeve, tha Tofalli, ishte “shansi i tij i fundit” për të shpëtuar Ye Olde Fighting Cocks, i cili, si pjesa më e madhe e industrisë së mikpritjes, u godit veçanërisht rëndë nga bllokimet, distancimi shoqëror dhe kufizimet e kapacitetit të vendosura nga qeveria për të ndaluar përhapjen e virusi.

Me përhapjen e variantit omicron duke i mbajtur njerëzit në shtëpi, ai tha se nuk kishte një rritje mjaft të madhe të klientëve – edhe pse qeveria në kufizimet e saj të dhjetorit nuk mbylli pijetoret dhe krijoi një përjashtim nga rregullat për mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura për ambientet e mikpritjes.

Para pandemisë, “ne nuk është se po shkëlqenim – por nuk mendoj se dikush tjetër ishte më mirë,” tha Tofalli. Por ai dhe stafi i tij luftuan për ta bërë pijetoren një sukses të vërtetë. “Ishte një pijetore e shkëlqyer, e vlerësuar me çmime si lokali më i vjetër në vend. … Provova gjithçka. Unë jam ende duke u përpjekur.”

Tofalli njoftoi mbylljen e afërt të Ye Olde Fighting Cocks javën e kaluar, duke e bërë atë një nga qindra pijetoret në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që mbyllen që nga viti 2020. Shumë pijetore të tjera – elementë kryesorë të shoqërisë britanike që po përjetonin një rënie në numër edhe para koronavirusit – janë detyruar të pushonin ose të nxirrnin në pension të parakohshëm stafin. 

“Para goditjes së pandemisë, normat e përshkallëzuara të biznesit dhe taksat që po paguanim nënkuptonin se kushtet e tregtimit ishin jashtëzakonisht të vështira”, shkroi Tofalli në një deklaratë të tijën në Facebook duke njoftuar lajmin, “por ne ishim në gjendje të mbijetonim dhe po ndiqnim një plan pesë-vjeçar emocionues dhe ishim me shpresë për të ardhmen.”

“Megjithatë, pandemia Covid-19 ishte shkatërruese dhe marzhet tona tashmë të ngushta të fitimit nuk na dhanë asnjë rrjet sigurie,” shkroi ai.

Mitchells & Butlers, një nga operatorët më të mëdhenj të restoranteve, bareve dhe pijetoreve në Britani, tha në një deklaratë për The Post: “Ne mund të konfirmojmë se fatkeqësisht qiramarrësit tanë në Ye Old Fighting Cocks janë tërhequr, por i sigurojmë vendasit se ky nuk është fundi i pijetores.”

“Aktualisht jemi duke eksploruar të gjitha mundësitë për të ardhmen dhe shpresojmë që ta rihapim pijetoren nën menaxhimin e ri sa më shpejt të jetë e mundur,” thoshte deklarata.

Guiness World Records, në një deklaratë për The Washington Post, tha se pijetorja – një strukturë e shekullit të 11-të në një vend të shekullit të 8 – dikur ishte mbajtësi i rekordit për titullin “pijetorja më e vjetër”. “Megjithatë, ky titull tani është joaktiv,” tha ai. “Ky rekord u mbyll në vitin 2000 kur u bë e qartë se nuk ishte e mundur të verifikohej plotësisht. Edhe kur publikuam informacione në lidhje me të kaluarën, nuk ishim kurrë në gjendje të deklaronim përfundimisht se cili ishte lokali më i vjetër në vend, pasi mosha dhe përdorimi historik i ndërtesave në shumë raste është i pasigurt.”

Tofalli tha se ka rreth 10 punonjës me kohë të plotë. Në verë, rreth 25 njerëz punonin në Ye Olde Fighting Cocks, duke përfshirë punonjësit me kohë të pjesshme.

“Ata njerëz janë pjesë e historisë së pijetores”, thoshte ai; “babai i shefit të kuzhinës festoi ditëlindjen e tij me pije në Ye Olde Fighting Cocks dhe drejtori i përgjithshëm u transferua në Shën Alban vetëm për të punuar këtu. Ata mund të humbasin punën e tyre ose t’i mbajnë ato si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme me pronarët e rinj”, tha Tofalli.

Nuk është hera e parë që Ye Olde Fighting Cocks është në një situatë të vështirë. Kur Tofalli e mori pijetoren me qira 10 vjet më parë, Ye Olde Fighting Cockd ishte në gjendje të keqe dhe kishte qenë mbyllur për nëntë muaj, tha ai. Britania po përjetonte pasgoditjet e krizës financiare globale të vitit 2008.

Ishte “koha më e keqe që mund të merrje me qira një pijetore”, tha Tofalli, por ai i tha vetes: “Unë do ta kthej në një nga pijetoret më të mëdha në vend”.

Siç tha më parë për The Post, kur e mori përsipër, “Vendi ishte një hale. …  Dhe mbante erë të qelbur.”

Ndërsa Tofalli e vlerëson veten si tipi që e sheh “gotën gjysëm plot”, ai pranoi me trishtim heqjen dorë nga pijetorja e tij e dashur. “Kam humbur ëndrrën time. Kam qenë pak i trishtuar. Mua më lejohet.”

Tofalli tha se ditët e fundit ishte prekur shumë nga mesazhet mbështetëse nga klientët vendas dhe të tjerët. “Gjëja e parë që njerëzit po bëjnë tani është që ose qajnë – janë të mërzitur personalisht për mua, ose pijetoren, ëndrrën, trashëgiminë ose historinë – më pas … ka një pauzë të vogël dhe të gjithë thonë: ‘Por a e mban mend kur…?’”

Tofalli tha: “Nuk e di nëse duhet të qesh apo të qaj, por të them të drejtën, i kam bërë të dyja.”

Një mbledhje fondesh për pijetoren në GoFundMe mbodhi 1.390 paund, ose rreth 1.877 dollarë, për dy ditë. Një përshkrim i fushatës – i titulluar “Shpëtoni Ye Olde Fighting Cocks!” — thoshte: “Kam kaluar netë të panumërta këtu me miqtë, familjen dhe madje kam takuar të fejuarën time këtu. Është një pjesë e pazëvendësueshme e historisë që duhet shpëtuar.”

Ndërsa negociatat për të ardhmen e pijetores vazhdojnë, Tofalli tha se është i bindur se Ye Olde Fighting Cocks do të ketë një të ardhme të gjatë. “Shikoni, pijetorja nuk ka vdekur,” tha ai, duke e përshkruar mbylljen si “gjumë letargjik”.

Por ai tha se ka nevojë për një dashamirës për të investuar në pijetore për një kohë të gjatë, duke e bërë atë të aksesueshme për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe duke përmirësuar strukturën, për shembull, në mënyrë që të mbijetojë “për një mijë vitet e ardhshme”.

Burimi: The Washington Post

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here