Ekipi gjimnastikor i grave gjermane ndryshoi gjërat gjatë Olimpiadës në Tokio 2020 me veshjet e tyre, një veprim që vjen me një përpjekje për të zvogëluar “seksualizimin” e këtij sporti dhe u pa si protesta e sportisteve gjermane.
Garueset zgjodhën të vishen me veshje me mëngë të gjata dhe pantallona deri në kyçin e këmbës gjatë garës të dielën, 25 Korrik. Ekipi kreu rutinat e tyre me kostumet me pantallona vishnje deri tek kyçet e këmbëve dhe bluza të bardha. Tradicionalisht, gjimnastet garojnë në trupore me kilota dhe bluza me mëngë të gjata ose gjysmë, ose dhe pa mëngë në formën e kanatjereve. Sipas Federatës Gjermane të Gjimnastikës, kalimi nga kostumet e mëparshme në kostume trupore të plota ishte një kundërshtim kundër “seksualizimit në gjimnastikë”.
Veshjet e reja të ekipit kishin për qëllim “të paraqiteshin (estetikisht) pa u ndier në siklet”. Anëtarët e ekipit ishin njëzëri në vendimin për të bërë ndryshimin në uniformë. “Bëhet fjalë për çfarë na bën të ndihemi rehat,” tha gjimnastja Elisabeth Seitz, për CNN. “Ne donim të tregonim se çdo grua, të gjithë, duhet të vendosin se çfarë të veshin.” Ndërrimi i kostumit u pranua me lehtësi nga trajnerët e ekipit pasi donin që vajzat të ndihen më të sigurta dhe më komode. Seitz shpreson se qëndrimi i ekipit gjerman do të ndezë një ndryshim në ekipet e tjera të gjimnastikës.
Seksualizimi i grave që merren me sport nuk është fenomeni i ri. Gratë në sport shihen ose si vajza të bukura e provokuese, ose të maskilizuara dhe, prandaj, bien pre e talljeve ose shakave. Sporti është, në shumë mënyra, një nga bastionet e fundit të binarit gjinor. Tani është pranuar në mënyrë universale se gjinia është një konstrukt social, dhe ka larmi në identitetet gjinore. Por organet sportive ende e njohin seksin të matur me nivelet e hormoneve në mënyrë që të përcaktojnë se kush mund të konkurrojë në cilën kategori. Në industri të tjera në botën e sotme nuk është e pranueshme të bëhet një dallim kaq i qartë midis gjinive. Megjithatë, shumica e ngjarjeve sportive ndahen në dy pjesëmarrje të qarta të bazuara në seks; edhe gara të tilla si gjuajtja me hark kanë konkurse të dallueshme për gra dhe burra.
Historikisht gratë supozohej të merrnin pjesë vetëm në ato ngjarje që gjykoheshin të ‘përshtatshme’ për to; të tilla si ushtrimet në dysheme dhe gjimnastikë. Sporte të tilla si futbolli ose boksi, nga ana tjetër, janë ushtruar zakonisht nga meshkuj. Në fakt, sportet (sidomos lojërat olimpike që nga lashtësia) kanë qenë gjithmonë festime të maskulinitetit – jo domosdoshmërisht të kapaciteteve të trupit të njeriut ose fuqisë së njerëzve, por veçanërisht të gjinisë së burrave. Ndërsa gjithnjë e më shumë gra kanë hyrë në sport që nga vitet 1950 e më sot, këto qëndrime janë ndryshuar disi. Jemi në 2021 dhe gratë ende konsiderohen si seksi ‘i dobët’ dhe bëhet çdo përpjekje për t’i mbajtur sportet e grave sa më ‘femërore’. Kjo vihet re me uniformat e tyre gjatë debutimeve për disa nga sportet që janë konsideruar sporte “për femra” siç u përmend dhe më sipër.
Një problem tjetër që hasin sportistet femra janë dhe normat e nivelit të hormoneve të cilat janë të parashikuara me rregullore. Prania e androgjeneve në atletet identifikuese femra ende shihet si një “avantazh i padrejtë” dhe ka shkaktuar shqetësim të madh tek atletet femra me hiperandrogjenizmin. Kjo është dukuri që ndodh tek femra të cilat në trupin e tyre kanë nivele të larta të hormoneve androgjene (mashkullore ndryshe) dhe si rrjedhojë përjetojnë efektet që japin këto hormone në trup, si qime në fytyrë ose trup, ulje ose mangësi të menstruacioneve, rënie flokësh, etj.
Shoqata Ndërkombëtare e Federatës së Atletikës (IAAF) ka vendosur që atletet me nivele të larta të testosteronit duhet të ‘rregullojnë’ kushtet e tyre dhe nuk mund të konkurrojnë derisa hormonet androgene të ulen në nivele më të ‘pranueshme’. Kjo pavarësisht nga pranimi i përhapur shkencor se testosteroni është një njësi matëse arbitrare; dhe është e padrejtë ta përdorësh atë për të përcaktuar gjininë. Gjëja më ë cuditshmë është që këto rregulla janë vetëm për femra. Qoftë në lidhje me rrobat e veshura gjatë konkurimit apo nivelet e hormoneve, sasia e seksualizimit, testet poshtëruese të përcaktimit të gjinisë, gjykimin e rrobave të veshura, etj- janë gjëra që meshkujt nuk përballen gjatë konkurimit.
Kodi i etikës me uniformat e sportistësve insiston në atë që është më e rehatshme dhe të rrisë performancën gjatë garimit. Por, kjo nuk është njësoj tek femrat, kostumet e të cilave janë gjithmonë të rrezikuara të tregojnë pak më shumë se ç’duhet në ndonjë aksident të vogël gjatë lëvizjeve të trupit. Dhe kjo i bën ato më vulnerable ndaj vëmendjes në media, ngacmimeve të shumta dhe bullizimit. Ekipi Gjerman me shfaqjen e unifromave të reja kërkon të mposhtë këto hendeqe në garimet e femrave, duke ndryshuar standardin e veshjeve për femra dhe të përqëndrohet vetëm në performancë dhe jo vetëm pamje tërheqëse femërore.
Burimi: CNN, Reuters