Pse të studioni në turizëm, mikëpritje dhe udhëtime? Ja një rekomandim i mirë

Kur vjen momenti për të zgjedhur se cilën karrierë profesionale do të ndjekim, shpesh analizojmë çfarë na pëlqen të bëjmë, cilat janë pagat në treg dhe mundësitë e punësimit dhe aksesin që mund të kemi në shkolla që lidhen me fushën ku duam të investohemi. Kuptohet, edhe miqtë dhe familjarët na ndikojnë në vendimarrje, por më e mira është që këtë vendim ta marrim me veten tonë dhe të jemi të informuar sa më mirë.

Industria e mikpritjes, turzimit dhe udhëtimeve është në zhvillim në Shqipëri. Turizmi është prioritet strategjik për qeverinë dhe praktikisht mund të shohim investime konkrete në zhvillimin e destinacioneve të reja turistike, fshatra tursitike tradicionale nga njëra anë dhe infrastrukturë më moderne dhe luksoze nga ana tjetër. I gjithë ky zhvillim infrastrukturor ka nevojë për burime njerëzore të trajnuara. Të gjithë operatorët vendas dhe të huaj po kërkojnë të punësojnë në të gjitha nivelet menaxheriale staf të mirëorientuar në sektor. Shqipëria po zhvillon një sektor turizmi i cili është në rritje të vazhdueshme.

Ja disa fakte:

Renditja Globale e vendeve sipas pjesës që turizmi zë në GDP, e vendos Shqipërinë të 13-ën në Botë e të 2-ën në Rajonin e Mesdheut pas Kroacisë.

Sipas Bankës Botërore në studimin e saj në vitin 2022:

  • Në dy dekadat e kaluara Sektori i Udhëtimit dhe Turizmit (T&T) në Shqipëri është zhvilluar me një ritëm të dukshëm.
  • Gjatë 10 viteve të fundit (përpara Pandemisë), rritja vjetore e hyrjeve ndërkombëtare në Shqipëri është shumë më lart se mesatarja Europjane prej 5 %.
  • Turizmi ka qenë një nga kanalet kryesore me të cilët Shqipëria është integruar në Ekonominë globale.
  • Ai është burimi më i madh i valutës së huaj, duke eksportuar me një rritje të konsiderueshme nga 405 milionë USD në vitin 2000 deri në 2.8 miliardë USD në vitin 2018.
  • Eksportet e turizmit përfaqësojnë në Shqipëri 38 % të eksporteve totale në 2018 si dhe më tepër se sa 70%. të eksporteve të shërbimeve , duke qenë mbi mesataren globale prej 7% dhe atë europiane prej 6%.

Sipas INSTAT:

  • Numri i hoteleve dhe strukturave të ngjashme është rritur nga 100 në vitin 2000 në më shumë se 1100 në 2019-ën.
  • Numri i dhomave të vlefshme është rritur nga 2300 në rreth 34,000 dhe numri i shtretërve është rritur nga 6,000 në afërsisht 78,000.
  • Oferta e shërbimeve të tjera të lidhura me sektorin T&T është rritur në mënyrë të konsiderueshme.

Shumë prej punonjësve që aktualisht po punojnë në Turizëm pa patur një diplomë specifike, por vetëm njohuri nga terreni dhe diploma në fusha të lidhura me turizmin, e ndiejnë se pas disa vitesh punë, kanë nevojë për një kualifikim të mëtejshëm.

Në sektor ka vende pune si:

  • Specialist dhe drejtues në zyra të turizmit pranë bashkive, prefekturave, qarqeve
  • Specialist/Menaxherë në Hotele, Resorte, Restorante, SPA, në organizatat e destinacioneve
  • Specialist/Menaxher në agjenci turistike dhe tour operatorë
  • Specialistë turizmi pranë administratës publike në nivel qëndror
  • Guide dhe Menaxhim i guidave turistike
  • Specialist për komunikimin në turizëm
  • Specialist dhe drejtues për eventet,
  • Drejtues/ekzekutiv i turizmit në institucione, ente, kompani (publike apo private), pranë agjencive/ drejtorive në administratën publike
  • Kërkues shkencor për turizmin në Institucione të arsimit të lartë dhe institute kërkimore
  • Ekspert i fushës së turizmit / turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillimit ekonomik të lidhur me turizmin në organizata ndërkombëtare/donatorë dhe NGO
  • Bashkëpunëtor kërkimor në studime lidhur me ekonominë e turizmit, fushat kulturore dhe të trashëgimisë, marketingun e turizmit etj

Shqipëria ka shumë avantazhe të rëndësishme si: destinacion i ri, mjedisi relativisht i pashkatërruar dhe burimet kulturore të paeksploruara.

Ministria e Turizmit pohon se:

Turizmi mund të japë një kontribut të rëndësishëm në tre dimensionet themelore të zhvillimit të qëndrueshëm:

  • vendet e punës dhe mundësitë tregtare për të mbështetur aktivitete turizmi,
  • të promovojë përparësitë për ruajtjen mjedisore
  • të ndikojë në zhvillimin social e larminë kulturore .

Sektori i Turizmit në Shqipëri duhet ende të arrijë potencialin e tij të plotë dhe kjo krijon hapësira punësimi dhe mundësi për një karrierë që zgjat gjithë jetën.

Departamenti i Marketingut dhe Turizmit në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, ka hapur regjistrimet për programet Master në Manxhim Turizëm. Zbulo më shumë për hapat që duhen ndjekur në: Fillojnë aplikimet për studimet e Ciklit të Dytë, Master! – Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës (feut.edu.al)

Burime: The Global Economy INSTAT

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here