Vendimi politik për djegjen e mandateve është vendimi më i sulmuar dhe kontestuar që prej vitit 1990. Por, është pikërisht ky sulm, që në fakt e bën atë edhe aktin më të fortë dhe më të rëndësishëm në politikën shqiptare. Është një sulm i egër, i mirërakorduar, që po ndërmerret intensivisht, pikërisht nga ata, të cilëve po u luan dheu nën këmbë.
Të gjithë tellallët e kryeministrit, brenda dhe jashtë qeverisë, nuk reshtin së argumentuari faktin, që djegja e mandateve ishte një gabim fatal, që do ta dëmtonte Opozitën. Në fakt, është e vërtetë, që ai ishte një akt i fortë dhe fatal, por po rezulton fatal për kënetën e establishmentit politik në Shqipëri, përbindëshat e të cilit janë zgjuar menjëherë, sepse ky akt i ka zhveshur nga çdo maskë dhe legjitimitet.
Sigurisht, kjo vjen për shkak se me këtë vendim, z. Basha ia hoqi pushtetin establishmentit dhe ia riktheu atë qytetarëve. Tani vendimin për zgjidhjen e kësaj krize nuk e ka më në dorë askush, përveç qytetarëve shqiptarë.
Të gjithë e dinë që pas këtij akti nuk ka më kthim pas . Ndaj ka ndezur një lëvizje antiestablishment, e cila nuk varet më prej askujt dhe nuk do të ndalet deri në pastrimin e politikës shqiptare nga mbetjet toksike të tranzicionit. Jo më kot, kjo i ka lemerisur dinozaurët e establishmentit të vjetër, të cilët i janë vërsulur si asnjëherë tjetër Opozitës pa asnjë argument .
Në fakt, për vëzhguesit e hollë të politikës, kjo nuk ishte një ngjarje e paparalajmëruar. Z . Basha e pati lajmëruar këtë vendim hapur, që në Dhjetorin e shkuar, kohë kur protestat studentore ishin në kulm, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku deklaronte:
“Sot, ne kemi nevojë për një politikë perendimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit, për veprime të vërteta jo për parrulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk eshte e lehte, por as e pamundur.
Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve.
Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes, që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re.
Ne duhet të krijojmë kushtet .Duhet të ndërtojmë rrugën për këtë kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Hapja e rrugës për këtë kalim të madh, për këtë ndryshim të madh mund të arrihet vetëm përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik dhe shoqëror, të lirë, të hapur dhe meritokratik.
Ky është dhe do të jetë deri në fund qëllimi im kryesor dhe, mbi të gjitha, si drejtues i Partisë Demokratike”.
Pra, ky vendim ishte qartazi një vendim i paralajmëruar i Lulzim Bashës, i cili në thelb synonte krijimin e kushteve dhe ndërtimin e rrugës për një kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Por çfarë u arrit nëpërmjet këtij vendimi?
Nëpërmjet këtij akti së pari u arrit një objektiv madhor. Ishte një akt që e përcaktoi që në fillim, që kriza shqiptare ishte një krizë e demokracisë dhe përfaqësimit që ironikisht kishte lindur atu ku duhej të zgjidhej, tek kutia e votimit. Ajo përcaktonte qartazi, që fatin e saj nuk e kishin në dorë më politikanët, por e kishin në dorë vetëm qytetarët. Ajo gjithashtu përcaktonte që nuk duhet të zgjidhet më nga liderët politikë, siç ishte bërë deri tani me marrëveshje, por duhet të zgjidhet vetëm nga qytetarët nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Vetëm kështu mund t’i jepet fund tranzicionit dhe riciklimit të të njëjtave kriza çdo dy vjet ,nëpërmjet një akti, që në thelb, refuzon çdo marrëveshje pa qytetarët dhe në dëm të qytetarëve.
Së dyti, me këtë akt ai e ktheu zemërimin popullor nga një lëvizje opozitare në një lëvizje të strukturuar politike, kundër sistemit të vlerave të vitit 2013, marrëveshjeve të pamoralshme, aleancës me krimin për të vjedhur zgjedhjet. Ky akt i dha kauzë luftës dhe dëshpërimit, që ishte mbjellë nga urrejtja, lakmia për pushtet dhe arroganca e shëmtuar e Ramës.
Së treti, është pikërisht ky akt që po e mban Opozitën të bashkuar, përkundër luftës së egër për ta zhdukur atë. Është ky akt, që e ka pastruar atë nga dhe i ka zhveshur maskat mercenarëve pa integritet , që më shumë se misioni i të djathtës dhe Opozita, u duhej një mandat për të bërë pazare me pushtetin.
Së katërti, djegja e mandateve, e mbajti opozitën jashtë parlamentit në një lëvizje madhështore, jehona e të cilës arriti që të shkojë deri në Berlin dhe Washington dhe e detyroi Ramën të bënte një vetëvrasje politike, gabimin e tij fatal dhe historik, zgjedhje pa opozitën.
Por, mbi të gjitha ky akt paralajmëroi refuzimin e çdo lloj marrëveshjeje në dëm të qytetarëve dhe fillimin e një epoke të re që po dëshmon, që vetëm aleanca me qytetarët triumfon mbi çdo aleancë dhe pazar tjetër.
Ndaj të gjithë ‘bishat’ e egra të kënetës shqiptare janë bërë bashkë dhe i janë sulur këtij akti. Ndaj establishmenti politik dhe ai mediatik ka filluar të kërcasë dhëmbët me nervozizëm kundër frymëzuesit të këtij akti të jashtëzakonshëm. Sepse, ky akt nënkupton nxjerrjen në pension të establishmentit më të korruptuar shqiptar, që po mban peng demokracinë shqiptare dhe mban larg shqiptarët nga Europa.
Sigurisht, që në kuptimin politik kjo e ka dëmtuar jo pak Lulzim Bashën dhe Opozitën, sepse mbi të ka rënë e gjithë makineria dhe presioni i pushtetit, por nga ana tjetër ky akt qëndron në themel të një kontrate të re me qytetarët, ky akt ka rizgjuar ëndrrën për vlerat perëndimore dhe një Shqipëri si gjithë Europa .
Ndryshe, nga Rama që firmosi kapitullimin e tij përballë Ilir Metës me gjakun e viktimave të 21 Janarit, vetëm për pushtetin e tij, kauza opozitare nuk mund të shitet në emër të pushtetit të askujt, sepse kjo kauzë tashmë i përket vetëm qytetarëve. Kjo, e ka vënë seriozisht në alarm establishmentin.
Djegja e mandateve ishte si një elektroshok mbi trupin e sëmurë të demokracisë shqiptare, e cila ngjalli realisht frymëzim pikërisht atëherë kur po jepte shpirt ngadalë nën thonjtë e pisët të rilindjes. Ndërsa protestat, më masivet e organizuara ndonjëherë në Shqipëri pas vitit 1990, treguan që trupi i demokracisë shqiptare e ka forcën dhe fuqinë për ta luftuar këtë sëmundje të rëndë dhe për tu rikuperuar plotësisht .
Përkundër të gjitha parashikimeve të ‘profetëve’ të establishmentit, z.Basha është shumë i qetë dhe as që e ka ndërmend të tërhiqet nga kushtet e vendosura. Kjo i ka nxjerrë të gjithë djajtë nga shishja, ku rrinin mbyllur që prej 2013 dhe ç’ nuk po bëjnë e ç’nuk po sajojnë për një marrëveshje të re.
Sigurisht, që mungesa e pragmatizmit politik e ka dëmtuar dhe po e dëmton lëvizjen. Kjo i ka krijuar një situatë jo pak të disfavorshme, por kjo Opozitë duket që nuk do të heqë kurrë dorë nga qëllimi i saj, duke provuar kështu që kjo është një betejë për jetë a vdekje me qytetarët dhe për qytetarët , ndaj sot ka mbështetjen më të madhe, jo vetëm të Opozitës, por të shumicës së popullit shqiptar. Fundi i betejës është shumë afër, dhe sigurisht ky akt do të hyjë në historinë shqiptare si akti që rrëzoi establishmentin më të rrezikshëm politik pas atij komunist në 1990.