Rrëmuja me vlefshmërinë e kolaudimit të automjeteve. Nuk njihet afati kohor prej 2 vitesh në kufijtë jashtë Shqipërisë. Po në rast aksidenti?

Në dhjetor të vitit 2020 DPSHTRR ka njoftuar për një shtyrje afati të kolaudimit të automjeteve për 2 vjet sipas ndryshimeve të ligjit për kodin rrugor, specifikisht për kolaudimin e automjeteve.

Gjithashtu, drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe në një intervistë në një televizion lokal ka shpjeguar për publikun lehtësimin dhe shtyrjen e procesit të kolaudimit me 12 muaj shtesë.

Këto ndryshime janë bërë pas largimit të kompanisë koncesionare SGS në dhjetor të 2020, e cila e la këtë drejtori të papregatitur për të rregulluar sistemin në kohë për certifikimin e lëvizhshmërisë së automjeteve me targa shqiptare. Në fillim të vitit mjetet lëvizën për katër muaj pa kolaudim.

Njoftimi për datën e re të kolaudimit, sqaroi Gonxhe, do të bëhet nëpërmjet njoftimeve me sms, apo në portalin e-albania.

Ndërkohë që drejtuesit e mjeteve janë në vetëdije për shtyrjen e afatit 2 vjeçar, në çertifikatën e kolaudimit data e skandencës nuk ka vlefshmërinë 24 mujore siç është njoftuar, por 12 mujore. Dhe nëse, e ke kaluar këtë afat brenda vitit 2021 dhe paraqitesh pranë pikave të kolaudimit të DPSHTRR, të vendoset një shënim informal në çertifikatë me shkrim dore, data e re e vlefshmërisë. Ky shënim nuk ka as firmë dhe as vulë zyrtare për shtyrjen e afatit, dhe për më tepër nuk njihet nga organet kufitare. Njihet vetëm brenda territorit të Shqipërisë.

Shumë drejtues automjetesh të pasqaruar më parë për këtë kanë ngecur në pikat kufitare dhe janë detyruar të kthehen sërish e t’i nështrohen kolaudimit të mjetit. Ndaj, duhet të bëni kujdes me dokumentet e makinës nëse keni ndërmend të lëvizni për pushime apo dhe punë këto festa.

Por problemi nuk qëndron vetëm tek lëvizshmëria e automjetit jashtë kufijve, por dhe tek siguria e mjeteve te pakolauduara në një periudhë 1 vjeçare, të cilat bëhen shkak i një konflikti të përshkallëzuar në rast aksidenti. Automjetet e vjetra në Shqipëri mund të kenë nevojë për t’u kontrolluar për funksionimin e disa elementeve që janë thelbësore për sigurinë e lëvizjes së mjetit. Nëse një mjet i kolauduar me shënim dore përballet më një keqfunksionim të frenave apo rrotave, apo motorrit etj, në rast aksidenti si do të trajtohet masa e fajësisë dhe i gjithë konflikti që do të lindë si rrjedhojë?

Një çështje tjetër që lidhet me kolaudimin vjetor të mjeteve është norma e ndotjes së ajrit. Rreziku që automjetet e pakontrolluara për një vit do të lëvizin nëpër Shqipëri me standart të pakontrolluar të çlirimit të karbonit nga llojet e ndryshme të karburantit që konsumohet në vend, do të çojë në një përkeqësim të situatës së ndotjes së ambjentit, ndërkohë që e gjithë bota po lufton me minimizimin e këtij rreziku./mendimi.al

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here