Sipas raportimeve, një gjykatë ruse ka gjobitur Google me një shifër marramendëse prej 20 decilionë dollarësh – shumë më tepër se të gjitha paratë ekzistuese në botë. Kjo gjobë i është vendosur gjigantit të teknologjisë për shkak të ndalimit të llogarive të 17 kanaleve televizive ruse në platformën YouTube, e cila është në pronësi të Google, si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare.
Ndër kanalet pro-Kremlinit të përfshira në çështje thuhet se janë Rusia 1 dhe platforma e lidhur me prezantuesen e Russia Today, Margarita Simonyan, e cila njihet për mbështetjen e saj ndaj presidentit Vladimir Putin. Sipas RBC, një gjykatës në Moskë e përshkroi këtë rast si “një çështje me shumë, shumë zero“.
Raportimet tregojnë se gjoba ka dyfishuar vlerën e saj çdo javë që nga viti 2020, duke arritur në një shumë të pabesueshme prej 20 decilionë dollarësh. Për krahasim, raporti i fundit i Google për tremujorin e tretë të vitit tregon një të ardhur totale prej 88.2 miliardë dollarësh – shumë larg nga mundësia për të paguar një gjobë kaq të jashtëzakonshme. Gjoba gjithashtu tejkalon vlerën e tregut të Google, e cila arrin rreth 2 trilionë dollarë.
Sipas Bankës Botërore, ekonomia globale arrin në rreth 100 trilionë dollarë, një shifër me 12 zero – ende shumë më pak për të arritur shumën e gjobës ruse, e cila numëron të paktën 36 zero.
Google mbylli degën e saj në Rusi në vitin 2022 pas pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga ana e Putinit. Filiali rus, Google LLC, shpalli falimentin, por shumë nga shërbimet e saj, përfshirë motorin e kërkimit dhe YouTube, vazhdojnë të jenë të aksesueshme për rusët. Ndërsa Kremlini ka ndaluar disa platforma si Twitter dhe Facebook, deri më tani ka mbajtur të hapura shërbimet e Google.
Gjithsesi, Google vazhdon të përballet me presione për mosfshirjen e përmbajtjes që Moska e konsideron të paligjshme dhe për kufizimin e aksesit në disa media ruse në YouTube. Platforma ka ndaluar disa faqe pro-Moska, përfshirë kanalin propagandistik Tsargrad TV, i cili është në pronësi të oligarkut Konstantin Malofeev, që para katër vitesh.
Pavarësisht shumave të habitshme të kërkuara nga gjykatat në Moskë, është e pamundur që Google të përballet ndonjëherë me një gjobë në vlerën e një googol – një numër që përmban 100 zero.