Si do ta rikthejë Lulzim Basha besimin e publikut?

Pas denoncimeve të forta të opozitës një ditë më parë mbi konҫesionet si skemë e pastrimit të parave, ka reaguar sot Andi Bushati në një shkrim me titull “Luli foli drejtë, po kush e beson?”. Analiza e Bushatit është po ashtu deri diku e drejtë. Akuzat e opozitës qëndrojnë, ngjarjet që denoncohen janë reale, por Lulzim Basha nuk gëzon sot besueshmërinë që kishte në popull në muajt e ҫadrës. Ҫfarë mund të ketë ndodhur me Lulzim Bashën, njeriun që shfaqi në ҫadër formatin e një lideri të madh, i cili shpërtheu në atë nivel karzime sa shumë prej demokratëve nuk ndjenin më boshllëkun e mungesës së fjalimeve të “doktorit”? Ҫfarë e detyroi Bashën, të linte mënjanë lidershipin e madh dhe të hynte në një marrëveshje? Vetë, Lulzim Basha ka pohuar në intervistat e tij të fundit se marrëveshja nuk ishte e mirë dhe se ka qenë i detyruar nga ndërkombëtarët. Nga ana tjetër, Sali Berisha, ka folur për një marrëveshje të mirë, por për këshilltarë elektoralë mizerabël.

Sidoqoftë, Lulzim Basha mori në maj një kthesë 180 gradë nga ajo që kishte nisur në shkurt. Problemi nuk qëndron në faktin se ai u tërhoq nga ҫadra me një marrëveshje dhe hyri në zgjedhje. Me gjasa, kjo mund të ketë qenë një lëvizje e zgjuar. Në atë kohë, tendenca për të krijuar opozitën artificialisht ishte e madhe. Me hyrjen në zgjedhje, PD-ja mbajti statusin e opozitës zyrtare. Komunikimi elektoral problematik i bashkuar me një listë kandidatësh për deputetë e cilësuar si “pa shije” (që nuk të krijon ndonjë ndjesi me kuptim), jo vetëm e bënë Partinë Demokratike një forcë politike me pak numra, por edhe një forcë politike të pabesueshme. Lulzim Basha disa herë mori mbi vete përgjegjësinë e listës dhe të rezultatit duke e kthyer veten praktikisht në një lider me një numër gabimesh mbi kurriz. Pikërisht këto gabime të vetëpranuara nga Basha e bëjnë Bashën të pabesueshëm në deklaratat e tij të vërteta. E gjitha kjo duket si një skemë komploti, ku e vërteta është vendosur në një gojë që duket e pavërtetë. Nuk janë ende të qarta motivet përse Lulzim Basha gjendet në këtë situatë. Më parë ai ka treguar seriozitetin e një plani për ta hapur Partinë Demokratike dhe për të krijuar hapësira për të rinjtë. Disa projekte të tij me të rinjtë në 3 vitet e fundit dëshmonin aftësinë dhe vizionin për një parti të hapur. Por Lulzim Basha në mënyrë të papritur e ngriu atë plan. Motivet mund të supozohen, por nuk dihen qartësisht. Eshtë menduar se ai mund të ketë qenë i kërcënuar apo këshilltarët e tij mund të kenë qenë të shitur tek kundërshtari. Fataliteti i Partisë Demokratike nuk ishte vetëm rezultati i dobët. Ai rezultat mund të ishte i pritshëm në një Shqipëri të kanabizuar dhe kriminalizuar. Fataliteti është në atë që ndodh sot. Sot, Lulzim Basha po flet. Por, sot Basha nuk është i besueshëm edhe pse thotë të vërteta. I tillë do të jetë, deri sa shqiptarët të kuptojnë se krimi shkoi aq lart sa ta izolonte të vërtetën përmes një loje të ndyrë. Se kush është pjesë e kësaj loje, koha do ta tregojë. Deri atëherë shqiptarët do të vuajnë paudhësitë e qeverisjes më të dobët ndonjëherë dhe do të kapërdijnë dhimbjen duke u tallur me benevrekët e Ramës.

Pyetja është: Si do ta rikthejë Lulzim Basha besimin e publikut?/mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here