Sot në histori: I pritet koka Shën Valentinit

Më 14 shkurt, rreth vitit 270 pas Krishtit, Shën Valentini, një prift i shenjtë në Romë në ditët e perandorit Claudius II, thuhet se është ekzekutuar.

Nën sundimin e Claudius, Roma u përfshi në shumë fushata jopopullore dhe të përgjakshme. Perandorit iu desh të mbante një ushtri të fortë, por e kishte të vështirë t’i bënte ushtarët të bashkoheshin me qëllimet e tij ushtarake. Claudius besonte se burrat romakë nuk ishin të gatshëm të bashkoheshin me ushtrinë për shkak të lidhjes së tyre të fortë me gratë dhe familjet e tyre.

Për të hequr qafe problemin, Claudius ndaloi të gjitha martesat dhe fejesat në Romë. Valentini, duke kuptuar padrejtësinë e dekretit, sfidoi Claudius-in dhe vazhdoi të bënte martesa për të dashuruarit e rinj në fshehtësi.

Kur veprimet e Shën Valentinit u zbuluan, Claudius urdhëroi që ai të vritet. Valentinin e arrestuan dhe e tërhoqën zvarrë para prefektit të Romës, i cili e dënoi të rrihej për vdekje me shkopinj dhe t’i prisnin kokën. Dënimi u krye më 14 shkurt, në ose rreth vitit 270.

Legjenda thotë gjithashtu se ndërsa ishte në burg, Shën Valentini la një shënim lamtumire për vajzën e rojtarit të burgut, me të cilën kishte rënë në dashuri, dhe e kishte firmosur me fjalët: “Nga Valentini juaj”.

Për shërbimin e tij të madh, Valentini u emërua shenjtor pas vdekjes së tij.

Në të vërtetë, origjina dhe identiteti i saktë i Shën Valentinit janë të paqarta. Sipas Enciklopedisë Katolike, “Të paktën tre Shën Valentinë të ndryshëm, të gjithë martirë, përmenden në martirologjitë e hershme nën datën 14 shkurt”. Njëri ishte prift në Romë, i dyti ishte peshkop i Interamna-s (sot Terni, Itali) dhe i treti Shën Valentin ishte martir në provincën romake të Afrikës.

Legjendat ndryshojnë se si emri i martirit u lidh me romancën. Data e vdekjes së tij mund të jetë përzier me festën e Lupercalia, një festë pagane dashurie. Gjatë Lupercalia-s, emrat e vajzave të rejave vendoseshin në një kuti, nga ku burrat zgjidhnin një letër rastësisht. Në vitin 496 pas Krishtit, Papa Gelasius vendosi t’i jepte fund festës së Lupercalia dhe deklaroi që 14 shkurti të festohej si Dita e Shën Valentinit.

Gradualisht, 14 shkurti u bë një datë për shkëmbimin e mesazheve të dashurisë, poezive dhe dhuratave të thjeshta si lulet.

Burimi: Britannica

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here