Stanislav Petrov, burri që shpëtoi botën

    Natën e 26 shtatorit të vitit 1983, bota gati mori fund. Ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, dhe të dyja palët i kreshpëroheshin njëra-tjetrës me armët bërthamore. Në fillim të asaj pranvere, presidenti Regan kishte shpallur Nismën e Mbrojtjes Strategjike, të ashtuquajturën “Lufta e Yjeve,” një mburojë raketore e planifikuar të kërcënonte me përmbysjen e ekuilibrave delikat të Luftës së Ftohtë. Vetëm tri javë më parë, më 1 shtator, Ushtria Sovjetike pati goditur dhe rrëzuar një aeroplan pasagjerësh që fluturonte nga Alaska për në Seul, i cili pati humbur rrugën në hapësirën ajrore sovjetike. U vranë dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë njerëz, duke përfshirë një kongresmen amerikan. Nga frika e shpagimit, Bashkimi Sovjetik ishte në alarm.
    Për të gjurmuar lëshimin e raketave nga SHBA-ja, Bashkimi Sovjetik kishte pozicionuar më herët në hapësirë një sistem satelitor të quajtur Oko. Pak pas mesnatës së 26 shtatorit, sistemi dërgoi një raport serioz: Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një raketë bërthamore në drejtim të Bashkimit Sovjetik.
    Atë natë, nënkoloneli Stanislav Petrov ishte me shërbim në bunkerin Serpukhov-15, jashtë Moskës, dhe ishte përgjegjësia e tij t’i raportonte për lëshimin e raketës zinxhirit komandues të eprorëve të tij. Në bunker ulërinë sirenat dhe në ekran u duk të pulsonte një sinjal i kuq gjigant “lëshim”, i cili e lajmëronte oficerin e shërbimit se ishte zbuluar një raketë në fluturim, por, megjithatë, Petrovi ende ishte i pasigurt. Sistemi Oko ishte i ri, dhe oficeri kishte merak se mos sinjali për lëshimin e raketës ishte i rremë, kushedi, mund të qe dhe ndonjë virus. Ai priti.
    Një tjetër lëshim. Ja ku u bënë dy raketa njëra pas tjetrës. Pastaj një tjetër. Edhe një tjetër. Edhe një tjetër – pesë raketa gjithsej. Ekrani pulsonte “lëshim”, gjë që tregonte se vendi i tij po sulmohej me raketa. Sistemi raportonte me një besueshmëri të nivelit më të lartë. Nuk kishte asnjë dyshim: kishte nisur goditja bërthamore dhe Komandës Ushtarake Sovjetike i mbeteshin fare pak minuta për të vendosur se çfarë do të bënte, përpara se raketat të shpërthenin mbi Moskë.
    Nënkoloneli Petrov seç pati një ndjenjë të çuditshme. Përse Shtetet e Bashkuara do të lëshonin vetëm pesë raketa? A nuk dukej si pa kuptim? Një sulm i vërtetë dhe i papritur duhet të kryhej me një mori raketash, për të dhënë një goditje të papërballueshme e për të shkatërruar njëherë e mirë sistemet e raketave sovjetike të dislokuara në tokë. Petrovi nuk u bind se kishte të bënte me një sulm të vërtetë. Por, nga ana tjetër, nuk ishte i sigurt se alarmi ishte i rremë.
    Duke mos i shqitur sytë nga të dhënat e kompjuterit, Petrovi, për t’u siguruar, mori në telefon operatorët e radarëve të bazuar në tokë. Çuditërisht, radarët tokësorë nuk kishin zbuluar gjë.
    Petrovi i vendosi shanset e sulmit 50 me 50 dhe, natyrisht, në raste të tilla nuk është aspak e lehtë të parashikosh se në ç’krah do të rrokulliset monedha. Nënkoloneli kishte nevojë për më tepër informacion. Kishte nevojë për më shumë kohë. Të ngrinte telefonin ishte puna më e lehtë që mund të bënte, por pasojat mund të ishin të tmerrshme. Në qoftë se ai do t’i kishte thënë Komandës Sovjetike të lëshonte raketat bërthamore, do të kishin vdekur miliona njerëz. Dhe ky do të ishte fillimi i Luftës së Tretë Botërore.
    Petrovi, me një lëmsh në grykë, shkoi të fliste në telefon me eprorët e tij për t’i vënë në dijeni se sistemi nuk punonte si duhet. Dhe nënkoloneli kishte pasur të drejtë: nuk bëhej fjalë për asnjë lloj sulmi. Reflektimi i dritës së diellit në pjesën e sipërme të reve kishte shkaktuar dërgimin e alarmit të rremë në satelitët sovjetikë. Pra, sistemi kishte gabuar. Njerëzimi shpëtoi nga një Armagedon i mundshëm në saje të një njeriu, i cili para se të merrte një vendim, vuri mendjen në punë, duke kërkuar informacion më të zgjeruar. Ç’do të kishte bërë një makinë, po të ishte në vend të Petrovit? Përgjigjja është e qartë: Në çdo rast, makina do të kishte bërë atë punë për të cilën ishte programuar, pa i kuptuar kurrë pasojat e veprimit të saj…
    *Marrë nga libri “Ushtria e Askujt” i autorit amerikan Paul Scharre, Botart 2020.
    Shpërndaje

    PËRGJIGJU

    Please enter your comment!
    Please enter your name here