Zj. K. për Ornelën dhe mamanë e partnerit të saj

“Përshëndetje Zonja dhe Zoti K.,

Uroj që këto ditë të nxehta vere, të mos kenë influencuar në raportin tuaj si në rastin tim.

Unë që po ju shkruaj, jam një zonja nga Tirana. Kam dy vite bashkëjetesë dhe e ndjej që dita-ditës lidhja jonë po zbehet. Debatet tona fillojnë për gjëra banale dhe degradojnë si mos më keq! Shkas i zënkave bëhet shpesh mamaja e partnerit tim, e cila kërkon të jetë shumë prezente në jetën tonë. Madje, shpesh mendoj se ne kemi një raport tresh. Dëshirën time për ta respektuar, personi, pa dashur ti them zonja, pasi supet e saj nuk mund të mbajnë asesi një titull të tillë, – e ka përkthyer si përulësi. Xhelozia e saj është aq e madhe, saqë trillon çdo lloj diagnoze për të qënë në qendër të vëmendjes të të birit. Sinqerisht dhe pushimet, rrallë i bëjmë si çift. Ajo çka më shqetëson më shumë, është partneri i cili nuk di të pozicionojë rolin e secilës prej nesh. Shumicën e vendimeve i merr me mamanë narciste! Me respekt, Ornela.”

E dashur Ornela. Bëre shumë mirë që më shkruajte. Nuk besoj që vapa të jetë ndikuesi kryesor i cmendurisë së partnerit tënd. (Shaka) Problemi me shumë meshkuj është që nuk kanë, b…mjaftueshëm t’i japin fund një ndarjeje. Siç janë të lidhur e të varur me mamatë e tyre, ashtu dhe varen në marrëdhëniet me partneren. Shumë djemve u pëlqen varësia ndaj një lidhjeje, dhe nuk e kuptojnë dot kur ajo merr fund. Duan që atë ta bësh ti. Ndaj të mërzit.

Ne si femra, kemi instikte që kur e ndjejmë në stomak që diçka nuk shkon, me të vërtetë nuk shkon. Mua më duket që partneri yt nuk ka më interes për ty dhe fut mamanë në mes për të të bërë të ndjehesh keq dhe ta bësh ti hapin e para për ndarjen. Këtij nuk i them zotëri, por një qenush të llastuar, i cili fshihet akoma pas mamit dhe kërkon që mami t’ja zgjidhë problemin me ty, siç ia zgjidhte me mësueset në shkollë. Ti ke dy problem në një. E para një partner të pakomunikueshëm, dhe e dyta një mama mbiprotektive ndaj të birit. Çdo çift ka problemet dhe keqkuptime, dhe grindje, madje do të thoja që s’do të ishte marrëdhënie e shëndoshë nëse do të ishte pa këto. Por ti duhet të ndjesh siguri nga ai. Pyete veten, a të mbron ai përpara të ëmës, shokëve, kolegëve, që do të thotë: a flet ai mirë për ty dhe nuk lejon njeri të të gjykojë? Nëse po, duhet të shikosh diçka pozitive tek ai në këtë aspekt. Nëse jo, dije që ai s’ka për të të mbrojtur ndonjëherë. Ky është një vlerësim që ai bën për ty.

Nëse mamaja përfshihet kaq shumë që në fillim, dije se do përfshihet dhe me pas. Dhe ti do jesh ajo diçkaja që ka ngecur mes partnerit tënd dhe mamasë. Mos bjer në rrjetat e tyre toksike. Nuk është më koha kur mamatë duhet të futen në jetën e çdo çifti e të marrin vendime për ta. Ajo duhet të ketë besim tek i biri, i cili është i rritur tashmë dhe të lejojë që ju të keni jetën tuaj, mirë apo keq.

Nëse ndjen që ti je në një marrëdhënie helmuese për ty, duhet të dalësh prej saj. Shiko dhe vlerëso veten, dhe ku ti kërkon të pozicionohesh në jetën tënde. Nuk mund të bësh kompromise me lumturinë tendë. Është shumë e rëndësishme që ti të jesh e lumtur dhe të jesh sa më e sukseshme në jetë.

Të duhet të arsyetosh me gjakftohtësi për gjërat që po të ndodhin, pa patur frikë ta shohësh në sy arsyen e vërtetë të situatës tënde. Për këtë të duhet ta shohësh situatën në distancë duke mos e gjykuar me nxehtësinë që të jep qënia në epiqendër të ngjarjes. Në jetë hasim 4 lloje të ndryshme problemesh: problemin e thjeshtë (është i zgjidhur i gatshëm), problemin e komplikuar (ka faktorë të pnjohur, por me ndihmën e ekspertëve zgjidhet), problemin kompleks dhe problemin kaotik. Tek i parafundit jemi të aftë të kuptojmë vetëm pasi jemi jashtë situatës komplekse arsyet pse ndodhi dhe si u zhvillua, ndërsa në rastin e problemit të fundit, aksioni/veprimi është thelbësor, por edhe më e rëndësishme është shpejtësia e reagimit/veprimit/aksionit.

Thënë kjo,  dua të të them vepro! Jemi zgjidhje qoftë edhe duke u larguar. Partneri yt është ai, jo nëna e tij. /mendimi.al

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here