Kur fillon një vit i ri, gjithmonë jemi të ngazëllyer për të filluar nga e para. Në këtë mënyrë bëjmë plane dhe themi “Ky është viti që unë do të …….” (dhe secili mendon një ose disa rezoluta me bindje të plotë. Por me kalimin e vitit, gjërat ndryshojnë.
Diçka urgjente del. Na kap rutina e punës, angazhimet ditore me familjen, ose ne ndryshojmë, dhe planet që bëjmë në fillim të vitit ndryshojnë me ne. Ndonjëherë i përfundojmë në sirtar rezolutat e këtij viti dhe ecim përpara me aktivitetet e zakonshme.
“Viti i ardhshëm do të jetë shumë më i mirë,” mendojmë me vete. Unë e kam përjetuar edhe këtë. Për vite me radhë, i kam shtyrë planet, sepse nuk më dukej se ishte koha e duhur për to. Plane si thjeshtimi i orarit tim të punës u përsëritën në listën e çdo viti derisa të mërzitesha prej tyre. Ato më kujtonin se ende nuk u kisha dhënë prioritetin e duhur në jetën time ashtu siç doja. Pastaj bëra diçka ndryshe. E zhvendosa fokusin tim në rishikimin e vitit që po mbaronte përpara se të shikoja vitin e ardhshëm. Pse ishte kjo e rëndësishme?
Shijova sukseset e mia. Kur filloi dhjetori, ajo që nuk kisha arritur gjatë vitit dominonte në mendimet e mia. I harrova ndryshimet e mira që kisha bërë dhe u ndjeva më negativ për veten time. Festimi i fitoreve të vitit e ktheu negativitetin në pozitivitet.
Unë bëra paqe me veten time. Rishikimi më çoi që t’i jepja vetes lavdinë e duhur. Por, nëse nuk kisha qenë më e mira e vetes, atëherë mund të ndaloja e të mendoja, ta falja veten dhe të vazhdoja. Mund të ndryshoja. Kur i pranova gabimet e mia, mësova të mos i përsërisja. E nisa vitin e ri me një plan vërtet të pastër.
Jepini fund vitit tuaj qëllimisht
Ju mund ta mbyllni vitin tuaj qëllimisht siç bëra unë. Thjesht bllokoni për vete një gjysmë ore ose më shumë gjatë sezonit të festave, merrni diçka për të shkruar dhe bëjini vetes dhjetë pyetje:
- Çfarë e bëri këtë vit të paharrueshëm?
Kam zbuluar se ka gjithmonë diçka të paharrueshme për çdo vit. Ndoshta është një moment historik si një ditëlindje e veçantë. Ndoshta është një person i ri me të cilin jeni lidhur ose njohur. Çfarë do t’ju vinte fillimisht në mendje kur mendoni për vitin tuaj në vitet në vijim?
- Çfarë pëlqyet nga gjërat që bëtë këtë vit?
Keni filluar një hobi të ri? Gjeni kohë për të qeshur në ditët tuaja? Shikoni prapa se çfarë aktiviteti ju ka sjellë gëzim në 12 muajt e fundit.
- Çfarë është e vetmja gjë /ose kush është i vetmi person për të cilin jeni mirënjohës?
Kur jam e zënë, shpesh harroj të falënderoj për përvojat e mia pozitive. Çdo ditë bëhet një ndjekje e nxituar për suksesin e radhës. Kur ju dhe unë praktikojmë mirënjohjen për gjërat e mira, jeta jonë bëhet më e thjeshtë dhe më e lumtur.
- Cila është fitorja juaj më e madhe këtë vit?
Mos harroni atë që keni arritur dhe që e bëri këtë vit më të mirë dhe jepini vetes një përqafim. Edhe nëse viti nuk ishte perfekt, nuk ishte i keq.
- Çfarë keni lexuar/shikuar/dëgjuar që ka pasur më shumë ndikim këtë vit?
Përmbajtja në media që konsumojmë na frymëzon, formon mendimet tona dhe na ndihmon të arrijmë potencialin tonë të plotë. Disa rrjete ku jam abonuar dhe një dokumentar që kam parë më kanë dhënë një këndvështrim të ri, për shembull. Për ju, mund të jetë një libër, një film apo edhe një shfaqje.
- Për çfarë u shqetësove më shumë dhe si përfundoi?
Unë gjithmonë kam disa shqetësime në thellësi të mendjes sime në një moment apo në një tjetër. E kap veten që jam e shqetësuar për punën time, një mik që po kalon një kohë të vështirë, etj.
Është e natyrshme të stresohem për gjërat që nuk mund t’i kontrolloj dot, por kam kuptuar që shumë nga shqetësimet e mia janë të panevojshme në planin afatgjatë. Duke parë se për çfarë shqetësohesha dhe çfarë ndodhi në të vërtetë, më kujton të mos ndalem në dyshimet dhe frikën time. Shpresoj që të jetë një kujtesë nga e cila do të përfitoni dhe ju gjithashtu.
- Cili ishte zhgënjimi juaj më i madh dhe pse?
Ne nuk jemi perfekt dhe të gjithë bëjmë gabime. Është një e vërtetë e pakëndshme të cilën nuk na pëlqen ta mendojmë. Por përballja me dështimet tona na ndihmon në mënyra të tjera më pozitive. Kur pohojmë dhe pranojmë gabimet tona, ne rritemi. Dhe më e mira nga të gjitha, ne kemi më pak gjasa t’i përsërisim ato.
- Cila është ajo gjë që ka ndryshuar tek vetja juaj?
Fakti që ne mund të ndryshojmë është e mrekullueshme. Ka liri në të diturin se nuk jemi të detyruar të jemi ata që kemi qenë gjithmonë. Ne mund të eksplorojmë kufijtë tanë dhe të jetojmë në mënyra të reja kur duam. Për shembull, këtë vit u kujdesa për veten ndryshe. Unë kujdesesha për marrëdhëniet e mia dhe u bëra më e duruar me njerëzit rreth meje. Më interesonte mjedisi dhe se si ndikuan zgjedhjet e mia në të. Gjithashtu mësova të kujdesesha më pak për atë që njerëzit mendojnë për mua. Po ju? Si keni ndryshuar?
- Çfarë ju ka befasuar më shumë këtë vit?
Jeta është befasuese dhe kjo pyetje më kujton gjithmonë se nuk është domosdoshmërisht e keqe. Një surprizë mund të na tregojë se sa e paparashikueshme është jeta, por gjithashtu mund të shtojë argëtim në të përditshmen tonë. Mund të jetë pak dhe zbavitëse, si për shembull se si më pëlqeu një gotë verë e mirë kur isha një pirëse e përkushtuar e birrës para 2020-ës. Surpriza ose befasia mund të jetë e madhe dhe domethënëse, si për shembull sa të lehtësuar jeni ndjerë pasi keni hequr dorë nga ajo që ju rëndon në mënyrë të pandërgjegjshme. Çfarëdo që ju ka befasuar këtë vit mund të jetë një kënaqësi e vërtetë.
- Nëse do të mund të ktheheshit në 1 janarin e kaluar, çfarë sugjerimesh do t’i jepnit vetes suaj së atëhershme?
A ka ndonjë mësim që keni mësuar që do të dëshironit ta njihnit mirë para fillimit të vitit? Megjithëse nuk mund të flasim vërtet me veten tonë në të kaluarën, ne mund t’i përvetësojmë këto mësime që nxjerrim. Do të kemi nevojë për to sot dhe në vitin që vjen.
Bërja e këtyre pyetjeve është një nga ritualet e mia të preferuara në fund të çdo viti. Unë jam ende e emocionuar për atë që sjell viti i ri, por kam zbuluar se përfundimi i vitit tim kështu, më ndihmon të bëj ndryshime të qëllimshme. Është ndërprerja nga zhurma e një jete të ngarkuar e cila më udhëhoqi të përputhem me mënyrën se si i jetoj vlerat e mia.
Shpresoj që të bashkoheni me mua për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve para përfundimit të vitit dhe se kjo ju ndihmon të krijoni një jetë të thjeshtë dhe kuptimplotë.