Çfarë po ndodh me fiskalizimin? Ja sa lekë janë mbledhur vetëm nga çertifikimet

Që nga 1 Janari 2021, në zbatim të Ligjit 87/2019, reforma e sistemit tatimor “Për faturimin elektronik dhe monitorimin e qarkullimit”, ka hyrë zyrtarisht në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ligji ndryshon të gjitha transaksionet që ndodhin brenda Republikës dhe përfshin teknicitetin e raportimit tek autoriteti tatimor, si dhe aplikimin për faturimin elektronik. 

Reforma lejon lëshimin automatik të një fature elektronike me të gjitha informacionet e nevojshme si për shitësin ashtu edhe për blerësin në kohën e transaksionit. Duke regjistruar faturën, deklarata është e vlefshme për të dy palët në transaksion dhe raportohet automatikisht tek Autoriteti Tatimor. 

Ligji ka qenë fillimisht i zbatueshëm për të gjitha transaksionet midis kompanive dhe njësive publike nga 1 janari, megjithatë që nga 1 korriku 2021 ai filloi të zbatohet për transaksionet midis bizneseve. Nga 1 shtatori 2021 do të jetë i zbatueshëm edhe për të gjitha transaksionet me para në dorë. 

Duke iu referuar publikimeve të Autoritetit Tatimor, qëllimi i kësaj reforme është raportimi në kohë reale dhe dixhitalizimi i ekonomisë. Qëllimi është të minimizohet mundësia e evazionit fiskal dhe të rritet ndërgjegjësimi qytetar për rëndësinë e raportimit të drejtë. Rezultatet e pritura janë përmirësimi i mbledhjes së TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin, rritja e efikasitetit në raportimin e taksave si dhe përmirësimi i kontrolleve dhe inspektimeve në terren për shkak të raportimit të shpejtë të secilit transaksion. 

Ndërkohë, bizneset e mëdha po hasen me vështirësitë e çertifikimit të sistemit të tyre për fiskalizim. Me mijëra biznese gjatë muajit qershor dhe fillimit të korrikut nuk po arrijnë dot të përfundojnë çertifikimin e tyre online. 

Po çfarë nënkupton kjo për biznesin? Ata nuk janë në gjendje të shesin dhe si rrjedhojë të marrin pagesat në kohë pasi pagesat kryhen me bankë. Kjo ngrirje e sistemit nga AKSHI po sjell pengesa të vazhdueshme dhe ngërçe në transaksionet e përditshme. Bizneset janë të paqarta nëse ato do të munden të përdorin blloqet tatimore ndërkohë që presin çertifikimet e tyre. 

Pse ky bllokim? Pse ky ngërç? A nuk duhej që Drejtoria Tatimore të ishte vetë gati për këtë ndryshim kaq të shpejtë? Nëse bizneseve ju vihet afat për të kryer pagesat ndaj shtetit (ndryshe atyre ju bllokohen të gjitha llogaritë bankare), po Drejtoria Tatimore çfarë përgjegjësie mban për bllokimin e transaksioneve të biznesit? Si do të rikuperojë biznesi humbjet nga shitjet gjatë këtyre ditëve që qëndron i bllokuar? 

Zv.ministrja e financave Vasilika Vjero tha në Komisionin e Ekonomisë se janë më shumë se 100 mijë tatimpagues që do të hyjnë në procesin e fiskalizimit sipas afateve kohore të përcaktuar në ligj. Ajo shtoi se nuk do të ketë më shtyrje. Të bëjmë një llogaritje të thjeshtë: Nëse janë minimumi 100 mijë tatimpagues dhe deri në 1 Prill kanë qenë të detyruar të paguajnë për vulën elektronike 4000 lekë, dhe për çertifikatën elektronike 4000 lekë të tjera, me një llogaritje aritmetike, në arkën e DPT-së duhet të jenë arkëtuar minimum 800 milionë lekë nga tatimpaguesit gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, dhe kjo vetëm për procesin e fiskalizimit.

Këta tatimpagues, a nuk kanë të drejtë të orientohen dhe të shërbehen siç duhet, dhe jo të ndeshen me bllokime të aktivitetit të tyre tregtar? /mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here