Elon Musk mohon lidhjen me gruan e bashkëthemeluesit të Google

Dhe telashet nuk kanë të sosur për CEO-n e Tesla-s, Elon Musk. Pas publikimit të lajmit se ai kishte pasur një lidhje me gruan e bashkëthemeluesit të Google, Sergey Brin, vjen reagimi i Elon Musk, i cili e ka mohuar të ketë një lidhje me Nicole Shanahan.
Komentet e Musk erdhën pasi Wall Street Journal raportoi se miqësia e tij me Brin kishte përfunduar për shkak të lidhjes së supozuar.

Duke iu përgjigjur një komenti në lajmin e postuar në Twitter, Musk iu referua lajmit si “gjepura“.

Musk vazhdoi duke thënë se ai është ende mik me z. Brin dhe se ata ishin “në një festë së bashku mbrëmë!

Duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje, Wall Street Journal tha se Musk ishte i angazhuar në një lidhje të shkurtër në fund të vitit të kaluar me zonjën Shanahan.

Kjo e shtyu zotin Brin të paraqiste kërkesën për divorc në fillim të këtij viti, duke i dhënë fund miqësisë së gjatë mes dy miliarderëve të profilit të lartë të teknologjisë, tha gjithashtu gazeta.

Por Musk shkroi në Twitter: “Unë e kam parë Nicole vetëm dy herë në tre vjet, të dyja herët me shumë njerëz të tjerë përreth. Asgjë romantike“.

Në kohën e lidhjes së supozuar në dhjetor, Brin dhe gruaja e tij ishin të ndarë, por ende jetonin së bashku, tha Wall Street Journal, duke cituar një person të afërt të zonjës Shanahan.

Në një postim të veçantë në Twitter, Musk tha se “WSJ [Wall Street Journal] ka bërë kaq shumë goditje mbi mua dhe Tesla-n sa kam humbur numërimin“.

Edhe pse ata kanë një marrëveshje paramartesore, z. Brin dhe zonja Shanahan aktualisht janë duke negociuar një zgjidhje divorci, e cila mund të jetë deri në 1 miliard dollarë, tha gazeta.

Zonja Shanahan është një avokate me bazë në Kaliforni dhe themeluese e kompanisë ligjore të teknologjisë ClearAccessIP dhe Fondacionit Bia-Echo, sipas profilit të saj në LinkedIn.

Fondacioni Bia-Echo është një organizatë filantropike që promovon “jetegjatësinë dhe barazinë riprodhuese, reformën e drejtësisë penale dhe një planet të shëndetshëm dhe të jetueshëm“.

Musk, i cili është gjithashtu CEO i SpaceX, aktualisht është përfshirë në një luftë ligjore mbi planin e tij të braktisur për të blerë Twitter për 44 miliardë dollarë.

Në fillim të këtij muaji, platforma e mediave sociale e paditi atë pasi ai njoftoi se po largohej nga propozimi i tij për marrjen e firmës.

Musk është personi më i pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar prej më shumë se 240 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.

Sipas të njëjtit indeks, zoti Brin ka një pasuri rreth 95 miliardë dollarë, duke e bërë atë njeriun e tetë më të pasur në botë.

Burimi: BBC
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here