Vendimi i prodhuesit të naftës dhe gazit vjen një ditë pasi rivali BP njoftoi planet për të hequr aksionet në Rosneft.
Prodhuesi norvegjez i naftës dhe gazit, Equinor, po largohet nga sipërmarrjet e tij të përbashkëta në Rusi dhe do të ndalojë investimet e reja atje, vetëm një ditë pasi BP tha se po ndërpret lidhjet me vendin pas pushtimit të Ukrainës.
Equinor është dy të tretat në pronësi të qeverisë norvegjeze dhe ka një partneritet strategjik me grupin shtetëror rus të naftës Rosneft që përfshin projekte në të gjithë Siberinë.
Equinor tha se priste të merrte zhvlerësime në lidhje me sipërmarrjet. Lëvizja e grupit erdhi si pjesë e një përpjekje të bashkërenduar nga qeveritë perëndimore për të izoluar ekonominë e Rusisë. Qeveria e Norvegjisë urdhëroi të dielën fondin e saj të naftës 1.3 trilion dollarë, fondin më të madh të pasurisë sovrane në botë, për të hequr dorë nga 3 miliardë dollarë investimet ruse.
BP të dielën tha se ishte duke hequr 20% të aksioneve të saj në Rosneft, kompania ruse e naftës që mori përsipër pjesën më të madhe të biznesit të grupit rival Yukos pas një goditjeje nga Presidenti Vladimir Putin.
Anders Opedal, shefi ekzekutiv i Equinor, tha të hënën në mëngjes: “Në situatën aktuale, ne e konsiderojmë pozicionin tonë si të paqëndrueshëm. Tani do të ndalojmë investimet e reja në biznesin tonë rus dhe do të fillojmë procesin e daljes nga sipërmarrjet tona të përbashkëta në një mënyrë që të jetë në përputhje me vlerat tona.”
Ai shtoi se Equinor ishte “thellësisht i shqetësuar” nga pushtimi rus i Ukrainës dhe do të “kontribuonte me financim në përpjekjet humanitare në rajon”.
Equinor, e cila ka qenë në Rusi për më shumë se 30 vjet, rriti partneritetin e saj me Rosneft në 2020, duke paguar 550 milionë dollarë për të fituar 49% të aksioneve në një duzinë licencash kërkimi dhe prodhimi në Siberinë lindore. Disa analistë e dënuan lëvizjen në atë kohë, për zgjerimin në Rusi pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe për investimin në fusha me emetim të lartë të karbonit.
Prodhimi aktual i Equinor në Rusi është modest me vetëm 25,000 fuçi ekuivalente nafte në ditë kundrejt totalit të grupit prej rreth 2 milionë fuçi në ditë. Kompania ka 70 punonjës në Rusi.
Burimi: Financial Times