Komisioni Evropian do të publikojë këtë të mërkurë një strategji të re për përgatitjen e krizave, në të cilën do t’u kërkojë qytetarëve të kenë në shtëpi ushqime dhe furnizime të mjaftueshme për të paktën 72 orë vetë-mbështetje, në rast lufte, pandemie apo fatkeqësie natyrore.
Sipas dokumentit të strategjisë që ka siguruar Politico, “periudha fillestare pas një ndërprerjeje të madhe është më kritike” dhe duhet të merren masa për të siguruar furnizimet bazë, strehimin dhe pajisjet kritike në nivel europian.
Pas pandemisë së COVID-19 dhe pasojave të agresionit rus ndaj Ukrainës, BE po përballet me një krizë pas tjetrës – nga kërcënimet kibernetike, te përmbytjet dhe tronditjet financiare. Në dokument thuhet qartë: “Evropa nuk mund të mbetet reaktive.”
Për çfarë po përgatitet BE?
Zëvendëspresidentja e Komisionit, Roxana Mînzatu, deklaroi: “Duhet të rregullojmë çatinë përsa kohë që dielli shkëlqen.” Qëllimi i strategjisë është të ndihmojë qytetarët dhe shtetet në përgatitjen për çdo lloj krize pa marrë parasysh origjinën apo natyrën e saj.
Strategjia përfshin:
- Planifikim për ruajtjen e furnizimeve jetike (ushqim, ujë, energji)
- Krijimin e një qendre të re të koordinimit të krizave në nivel BE-je
- Thellimin e bashkëpunimit publik-privat
- Trajnime digjitale dhe ndihmë për vendet kandidate
- Sistem paralajmërimi për sulmet kibernetike
Kërcënimet nga lufta dhe sulmet hibride
Dokumenti paralajmëron për rrezikun e luftës së drejtpërdrejtë dhe hibride, duke përfshirë edhe sulmet kibernetike që kanë shënjestruar rrjetet energjetike dhe infrastrukturën kritike, veçanërisht në anën lindore të Evropës. Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut janë përmendur si burime të vazhdueshme të këtyre kërcënimeve.
Komisioni propozon krijimin e një “Sistemi Evropian të Alarmit Kibernetik” dhe promovimin e diplomacisë kibernetike dhe bashkëpunimit me NATO-n.
Ndikimi i fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike
Përgatitja nuk ka të bëjë vetëm me luftën, por edhe me përmbytjet, zjarret dhe pasojat e ndryshimeve klimatike. BE synon të krijojë një strategji të përbashkët për stoqe emergjente, duke përfshirë rezervat e përbashkëta të barnave, ujit, energjisë dhe ushqimit.
Gjithashtu, Komisioni do të forcojë masat për t’i bërë sistemet financiare dhe shëndetësore më elastike, dhe do të integrojë përgatitjen për kriza në investimet dhe politikat e jashtme të BE-së, sidomos në vendet partnere që preken nga ndryshimet klimatike.
Një ligj i ri për përgatitjen?
Komisioni po shqyrton krijimin e një Ligji Evropian për Përgatitjen, që do të vendosë standarde të përbashkëta dhe objektiva afatgjata për qëndrueshmëri. Strategjia përmban 30 veprime kryesore në 7 fusha, përfshirë bashkëpunimin civil-ushtarak dhe edukimin e popullsisë.
Në një aneks të veçantë përmenden mbi 60 veprime që duhet të zbatohen brenda dy viteve, përfshirë integrimin e edukimit për përgatitjen në shkolla, luftën ndaj lajmeve të rreme dhe analizën e rreziqeve në sektorin financiar.