Kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe gruaja e tij, Sophie, po ndahen pas 18 vitesh martesë

Të dy thanë në deklaratat e postuara në Instagram se e morën vendimin pas “shumë bisedash kuptimplota dhe të vështira”. Një deklaratë nga zyra e kryeministrit tha se ata të dy kanë nënshkruar një marrëveshje ndarjeje ligjore.

Trudeau, pasardhësi 51-vjeçar i një prej politikanëve më të famshëm të Kanadasë, u betua në detyrë në vitin 2015. Sophie Trudeau është një ish-modele dhe prezantuese televizive. Çifti u martua në vitin 2005. Së bashku, ata sollën pushtetin e yjeve në zyrën e kryeministrit dhe u shfaqën në faqet e revistës Vogue.

Ata kanë tre fëmijë, 15-vjeçarin Xavier, 14-vjeçaren Ella-Grace dhe 9-vjeçarin Hadrien.

Si gjithmonë, ne mbetemi një familje e ngushtë me dashuri dhe respekt të thellë për njëri-tjetrin dhe për gjithçka që kemi ndërtuar dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë”, thanë të dy në Instagram.

Një zyrtar i njohur me këtë çështje tha se Trudeau do të vazhdojë të jetojë në Rideau Cottage në Otava, ku ai ka jetuar që nga viti 2015, dhe fëmijët do të jetojnë kryesisht atje për të ruajtur stabilitetin.

Zyrtari tha se Sophie është zhvendosur në një shtëpi të veçantë në Otavë, por do të kalojë kohë në Rideau Cottage në disa momente, përfshirë ditët kur Justin do të jetë duke udhëtuar. Zyrtari foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht.

Ajo ka luajtur një rol më pak të dukshëm vitet e fundit, duke udhëtuar rrallë me kryeministrin në udhëtime zyrtare. Të dy u panë së bashku publikisht në ngjarjet e Ditës së Kanadasë në Otava muajin e kaluar.

Ata mbeten një familje e ngushtë dhe Sophie dhe kryeministri janë të përqendruar në rritjen e fëmijëve të tyre në një mjedis të sigurt, të dashur dhe bashkëpunues”, thuhet në deklaratën e zyrës së Trudeau. “Familja do të jetë së bashku me pushime, duke filluar nga java e ardhshme.”

Zyra e tij kërkoi respektimin e privatësisë së tyre.

Justin Trudeau dhe Sophie Gregoire u takuan si fëmijë kur ajo ishte shoqe klase me vëllain e tij më të vogël, Michel, dhe u rilidhën si të rritur kur bashkë-organizuan një gala bamirësie në vitin 2003.

Trudeau është kryeministri i dytë që njoftoi një ndarje gjatë kohës që ishte në detyrë.

Babai i tij, Pierre Trudeau dhe nëna, Margaret Trudeau, u ndanë në vitin 1977 dhe u divorcuan në vitin 1984 gjatë vitit të fundit të Trudeau në zyrën e kryeministrit.

Margaret Trudeau shkroi në kujtimet e saj se kishte një romancë me Senatorin Ted Kennedy. Gjatë një vizite të vitit 1977 në Uashington DC me Pierre, ajo u ul duke dëgjuar fjalimin e të shoqit para Kongresit, ndërsa ndihej “e ndarë midis një nevoje intensive për të dhe një malli për Ted Kennedy“. Margaret shkroi se ishte e apasionuar pas Kenedit pasi e kishte takuar atë disa vite më parë. Ajo i tha Kenedit se ai “nuk e kishte shkatërruar martesën time, por se unë e kisha përdorur atë për të më ndihmuar të shkatërroja një martesë që tashmë kishte përfunduar“.

Vetëm disa javë më vonë Margaret, e cila atëherë kishte një sëmundje mendore të padiagnostikuar, e la burrin e saj për të festuar me Rolling Stones në Toronto. Martesa përfundoi menjëherë pas kësaj.

Justin, i cili ishte fëmijë kur prindërit e tij u ndanë, shkroi në librin e tij të vitit 2014 “Common Ground” se jeta publike i bëri të gjitha. “E dija, edhe atëherë, se kërkesat e imponuara nga jeta që bënin prindërit e mi i preknin ata shumë më tepër sesa stresi i zakonshëm i prindërimit,” shkroi ai.

Justin Trudeau kanalizoi fuqinë e yjeve të babait të tij ikonë liberale kur fitoi për herë të parë detyrën në vitin 2015. Skandalet, lodhja e votuesve dhe inflacioni ekonomik kanë ndikuar në popullaritetin e tij pas tetë vjetësh në pushtet.

Vetëm pak muaj më parë Trudeau postoi një foto të tij duke u mbajtur për dore me gruan e tij në përvjetorin e tyre dhe shkroi: “Çdo milje e këtij udhëtimi së bashku është një aventurë. Unë të dua, Soph. Gëzuar përvjetorin!

Nelson Wiseman, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Torontos, kishte menduar se Trudeau do ta konsideronte seriozisht dorëheqjen diku vitin e ardhshëm ose në fillim të 2025.

Tani mendoj se ai ka më shumë gjasa të qëndrojë në arenën politike,” tha Wiseman.

Burimi: apnews.com
Përktheu dhe përshtati: mendimi.al
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here