Mentor Kikia sulmon parlamentin: “ Ky është parlamenti historik. Ky është “Viti Zero” i politikës sonë.”

Gazetari i njohur Mentor Kikia ka sulmuar sot parlamentin e Shqipërisë me një status në Facebook.
Ai shkruan:

”Ky është parlamenti historik. Ky është “Viti Zero” i politikës sonë.

Ky parlament ka hyrë tashmë në histori. Edhe ne të tjerët gjithashtu jemi bërë protagonistë të historisë. Paçka se nuk e dimë, pasi historia nuk është lajm, që shkruhet menjëherë sapo ndodh. Sot ne jemi Viti Zero, jemi “Krishti”, ku ndajnë epokat. Koha sot matet me para dhe pas Erës Sonë, apo para dhe pas Krishtit. Por të jemi të sigurtë, se kur ti referohen në të ardhmen politikës, nuk do të thonë, psh, vitet 2010, por do të thonë: Koha kur në parlament hynë edhe kriminelët dhe tutorët e prostitutave. Nuk do të thonë psh, viti 2020, por “Koha kur ishin deputetë edhe ata që nuk dinin as të shkruanin as të lexonin”, “Koha kur u bë deputete një grua, që në moshën 40 vjeçare dëgjoi për herë të parë fjalën korporatë”, “Koha kur u bënë deputetë edhe ca njerëz që nuk i merrnin seriozisht as në lagje”, “Koha kur një deputet, të vetmin fjalim që mbajti në 8 vjet, ia bënë meme dhe u gajasën të gjithë”.
Por do të thonë edhe që ishte “koha kur njerëzit, për inat të qeverisë nuk ngriheshin në protesta, por ikin nga vendi”. Apo “Koha kur në media kishte 24 emisione politike në një javë dhe asnjë emision për arsimin dhe problemet sociale”.
Kjo është pika më e ulët që ka shënuar ndonjëherë shteti ynë. Kjo është zeroja absolute. Më keq se kaq nuk mund të ketë.
E vetmja gjë pozitive në këtë situatë është se ka shpresë. Ka shpresë pasi çfarëdo që të ndodhë do të jetë më e mirë sesa kjo që është.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here