Nga Indrit Vokshi: Letër një vajze.

LETËR NJË VAJZE –

(që shqetësohet vetëm kur ndodh vrasja).

Më ke parë mua në foto në aktivitete politike, ke thënë hë edhe ti ça merresh me ato punë, sikur do ta ndryshosh ti Shqipërinë. Merru me diçka tjetër. Ndoshta duhet të dilja në foto me të dashurën në një ambient mondan që të thoje, oh sa bukur, sa shkoni me njëri-tjetrin.
Ke parë shkrimet e mia mbi arsimin, mbi sigurinë, mbi financat, mbi gjykatat, shkrime të cilat kanë synuar një ndihmë modeste për ta bërë ketë vend më pak të dhunshëm. Ke thënë oh çna mërziti, gjithë ditën për ato poston. Ndoshta duhet të shkruaja diçka intime, diçka rozë, psh diçka të tipit “po pinim me një vajzë e sapo u shtrimë për ta çuar dehjen në tjetër nivel, ajo tha po ndihem keq e nuk donte të vazhdonte”. Që ti të bëheshe kurioze, ta lexoje dy herë e t’ia tregoje me shpejtësi ndonjë shoqeje, duke edhe gjykuar atë; po ajo debilja kur shkon deri në krevat çbën si e ndershme kot.
Kam folur për edukimin fetar në shkolla. Me qëllim që brezat të kenë mundësi të bëhen më të moralshëm, të njohin diçka si Zoti mbi vete e të mos ndihen vetë zotër, të mos e kenë vrasjen si opsion. Të bëjnë jetë më të mbledhur, më familjare. Ke thënë se feja është errësirë e prapambetje edhe pse feja si urdhëresa kyesore ka mos vrit, mos dhuno, duaj, duro.
Dmth nuk je interesuar për asgjë publike, as për financa, as për vjedhjet, as për sigurinë, as për arsimin. Dhe jo vetëm që sje interesuar vetë por, as ke mbështetur me kurajo të paktën dikë që po interesohet. Madje po të mos isha unë kaq i qartë, kokderr dhe i vendosur në timen, me siguri do të isha kompleksuar e ndjer i prapambetur. Do synoja të isha handsome boy, kështu thuhet, besoj.
Për ty ka pasur dhe ka më shumë interes lidhja e Miriamit me Albanin, rrobat e reja që kanë dalë në treg apo ndonjë skandal. Për ty diktaturë quhet vetëm nëse prindi nuk e lejon vajzën të dalë në party. E nëse dikush diku sillet si presbiterian ti do t’i rrish gati për t’i thënë mos na bëj moral. Nuk quhet diktaturë as mbyllja e biznesit, as retorika autoritare, as një shoqëri e dominuar nga kriminelë të lidhur me pushtetin, as partiizimi i arsimit, asgjë. Janë gjëra që ti i harron sapo të dalë një temë tjetër më argëtuese. Diktatura pra quhet mohimi i argëtimit. Jo të gjitha sa përmenda të cilat ndikojnë në amoralitetin publik dhe privat. E bëjnë vendin më të varfër, njeriun më të pashpresë, atmosferën më të dhunshme dhe, si rrjedhojë edhe vrasjen e gruas por edhe të burrit, më të mundshme.

E sot, shqetësohesh për pasojën, se vrasja është pasoja, pasi gjatë gjithë kohës stë ka rënë ndërmend për shkakun. Sepse sot është në modë të shqetësohesh për pasojën e t’i lash me kaq detyrimet ndaj vendit ku jeton. E nuk mund të mos ndjekësh ti modën.

Gjithkush ka të drejtë të thotë se s’mund të përgjithësohet duke të të marrë ty si kampion. Sepse ashtu është, s’mund. Kam unë mikesha të interesuara e të përgjegjshme. Mirpo a mund të thotë ndokush se tek kjo letër nuk gjeti veten apo dikë të njohur?

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here