Nga Reila Bozdo: Cili do të jetë ekuilibri i ri inteligjencë artificiale – njeri ?

Një nga kompanitë më të mëdha, më të vjetra dhe më të suksesshme në botë, ka realizuar video-reklamën e fundvitit duke përdorur inteligjencën artificiale.

Janë me mijëra komente nën video të cilat kritikojnë kompaninë për përdorimin e AI dhe lënien pa punë të artistëve të vërtetë.

Komuniteti online po reagon fuqishëm me një logjikë të pastër: kompania multimilionëshe ka aq mundësi sa të punësojë artistë të vërtetë, s’ka pse përdor AI!!!

Ky reagim ngre një nga problemet kryesore në përdorimin e inteligjencës artificiale në biznes; atë të zvogëlimit të mundësive ku artistët mund të gjenerojnë të ardhura në jetën e tyre profesionale.

Sot imazhet grafike me AI po konkurrojnë punën reale të paguar. Nga njëra anë kjo siguron përfitime për biznesin, por po dëmton profesionet në të cilat njerëzit investojnë pasion dhe arsim. Në fund të fundit ne jetojmë në një botë ku me paratë nga puna që mund të kryejmë, blejmë të mira dhe shërbime për një jetë sa më cilësore.

AI po përdoret aktualisht gjerësisht nga studentët në botë. Detyra të bëra shpejt, me ChatGPT në mënyrë sipërfaqësore po krijojnë presion në sistemin arsimor për të rikonceptuar mënyrën se si kontrollohen dijet. Edhe në forumet online të mësuesve në botë vihet re se si përdorimi i AI në detyra pa etikë nga studentët po lodh stafet mësimdhënëse në pritje të një zgjidhjeje. Një palë bën sikur bën detyra vetë dhe pala tjetër sikur ka korrigjuar detyra të realizuara nga studenti.

Disa profesione po kërcënohen sot, të tjera do të jenë të rrezikuara nesër ndërsa AI përmirësohet.

Si do të vendoset ekuilibri i ri mes njeriut dhe AI pa shkaktuar tronditje të mëdha sociale?

Kjo është dilema e madhe për tregun e punës në kohën e inteligjencës artificiale për të cilën duhet të bëhen gati të gjithë.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here